Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti mori pjesë në pritjen e organizuar në shënim të 16-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës në Ambasadën e Kosovës në Londër

24 Shkurt, 2024

 

 

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë mbrëmë në pritjen zyrtare me rastin e shënimit të 16-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës të organizuar nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Londër.

Aty, në një ceremoni solemne, me të ftuar të shumtë nga kori diplomatik, autoritete qeveritare dhe përfaqësues të organizatave të ndryshme ndërkombëtare të akredituara në Londër, si dhe bashkatdhetarë tanë, në ambientet e “The Royal Horseguards”, kryeministri Kurti pati një fjalë rasti.

Ai tha se Londra është një vend i shkëlqyeshëm për të festuar pavarësinë e Kosovës, duke qenë  kryeqyteti i një vendi mik e partner dhe mbështetës i palëkundur i pavarësisë sonë.

“Në mesin e thirrjeve të fuqishme për të ndaluar gjenocidin në Kosovë, Mbretëria e Bashkuar ishte njëri ndër zërat më të lartë dhe më të fortë. Në vitin 1999, mbështetja për ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë ishte më larta në përqindje në mesin e britanikëve se në çdo vend tjetër të NATO-s”, tha kryeministri Kurti.

Fjalë mirëseardhëse në këtë ceremoni, pati edhe Ambasadori i Republikës së Kosovës në Londër, Ilir Kapiti i cili foli për rolin e misionit diplomatik të Kosovës në Londër, lidhjet mes Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar si dhe avancimin e mëtejmë të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Të pranishmëve iu drejtua edhe Ambasadori i emëruar i Mbretërisë së Bashkuar në Republikën e Kosovës, Jonathan Hargreaves.

 

Last modified: 24 Shkurt, 2024

Comments are closed.

×