Kryeministri Kurti mori pjesë në përurimin e rrugës që lidh fshatin Sellcë me fshatin Vicë


Image


Image


Image


Image


Image


Image


Image


Image


Image


Image


Image


Image


Image


Image


Image


Image


Image


Image

 

Tetovë, 11 gusht 2023

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në kuadër të vizitës që i bëri sot Maqedonisë së Veriut, përkatësisht Komunës së Tetovës, mori pjesë në përurimin e rrugës që lidh fshatin Sellcë me fshatin Vicë.

Para të pranishmëve të shumtë, kryeministri Kurti duke e vlerësuar të rëndësisë së veçantë përurimin e kësaj rruge, tha se zhvillimi ekonomik dhe ndërtimi i infrastrukturës nuk duhet të jetë i rezervuar për zonat urbane, për qytetet e qytezat, por duhet të jetë edhe zhvillim rural.

“Në bazë të llogaritjeve, parallogaritjeve të cilat janë bërë nuk është një kosto shumë e lartë, është e përballueshme, por kthimi në këtë investim është i jashtëzakonshëm meqenëse shkurtohet rruga, fitohet koha dhe përfitojnë edhe qytetarët edhe ekonomia. Aksi që lidh Prizrenin me Tetovën është marrëveshje midis dy qeverive tona nga mbledhja e përbashkët e nënshkruar nga dy kryeministrat, pra nga unë dhe nga homologu im maqedonas, Kovaçevski. Andaj, dëshirojmë që ky studim fizibiliteti të pasohet sa më shpejt me punimet dhe me realizimin e këtij projekti madhor i cili është rajonal dhe ndihmon shumë në zhvillimin e të dyja vendeve tona”, tha kryeministri Kurti.

Zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ndërkaq tha se rruga Prizren-Tetovë është një prej prioriteteve të Qeverisë së Kosovës, andaj edhe menjëherë është nënshkruar një marrëveshje me Qeverinë e Maqedonisë. Ai tha se kjo rrugë është e rëndësisë shumë të madhe edhe për zhvillimin e turizmit, edhe për afrimin e dy qyteteve, Prizrenit me Tetovën, për zhvillimin ekonomik të të dy vendeve, sepse shkurtohet rruga në masë të madhe.

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, tha se është nder për të që bashkë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti të përurojnë një segment të rrugës nga Tetova deri në Vicë, një investim që është i një rëndësie të veçantë për rajonin e Malësisë, por edhe për Komunën e Tetovës, e cila me investime të mëtutjeshme do të angazhohet që të jetë një aks i rëndësishëm edhe i turizmit malor ndërmjet dy shteteve, Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Kosovës. Ai ka falënderuar kryeministrin e Kosovës, ministrat dhe qeverinë për angazhimin e tyre në drejtim të lidhjes së Tetovës me Prizrenin.

Deklarata e plotë e kryeministrit Kurti:

Unë i falënderoj përzemërsisht banorët e fshatit Vicë për këtë mikpritje kaq të përzemërt, kaq të ngrohtë, për këtë dashamirësi kaq të madhe që e shfaqën me rastin e ardhjes tonë këtu. E falënderoj kryetarin e Komunës së Tetovës, z. Bilall Kasamin, që na solli në një fshat i cili është ndër më të bukurit që i kam parë në jetën time. Dhe ardhja jonë këtu është edhe mirënjohje për banorët e këtij fshati me rreth 180 shtëpi, të cilët vazhdojnë të qëndrojnë këtu, të mos e lëshojnë fshatin, por të jenë këtu në vendlindjen e tyre, në vendbanimin e tyre ku jetojnë e ku punojnë.

Zhvillimi ekonomik dhe ndërtimi i infrastrukturës nuk duhet të jetë i rezervuar për zonat urbane, për qytetet e për qytezat, por duhet të jetë edhe zhvillim rural. Këtë e bëjmë në Kosovë, është shumë mirë kur shoh që kjo ndodh edhe në vendin tonë fqinjë, në Maqedoninë e Veriut, në komunën tonë të dashur të Tetovës.

E kemi thënë disa herë që në qiell duket se Prizreni dhe Tetova kanë qenë një qytet, por kur i ka sjell zoti në tokë e malet e Sharrit i kanë ndarë, i kanë bërë dy qytete, Prizrenin dhe Tetovën.

Natyrisht që kjo rruga që pamë këtu është rrugë e brendshme e komunës, por ne jemi shumë të interesuar që të ecim sa më shpejtë për lidhjen infrastrukturore të Prizrenit dhe Tetovës, që pra në qiell ishin një qytet e në tokë janë dy, përmes aksit i cili parasheh edhe një tunel.

Në bazë të llogaritjeve, parallogaritjeve të cilat janë bërë, nuk është një kosto shumë e lartë, është e përballueshme, por kthimi në këtë investim është i jashtëzakonshëm, meqenëse shkurtohet rruga, fitohet koha dhe përfitojnë edhe qytetarët edhe ekonomia.

Aksi që lidh Prizrenin me Tetovën është marrëveshje midis dy qeverive tona nga mbledhja e përbashkët e nënshkruar nga dy kryeministrat, pra nga unë dhe nga homologu im maqedonas Kovaçevski. Andaj, dëshirojmë që ky studim fizibiliteti të pasohet sa më shpejt me punimet dhe me realizimin e këtij projekti madhor, i cili është rajonal dhe ndihmon shumë në zhvillimin e të dyja vendeve tona.

Bashkë me mua këtu është edhe zëvendësministri nga Qeveria e Republikës së Kosovës për Infrastrukturë, Hysen Durmishi, i cili gjithashtu do të mund të thoshte disa fjalë për rëndësinë që ka lidhja e Tetovës me Prizrenin, lidhja e Prizrenit me Tetovën.​

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors