Prishtinë, 10 korrik 2024
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në ngjarjen përkujtimore të gjenocidit në Srebrenicë, organizuar në sallën e Institutit të Historisë. Në fjalën e tij, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, ai shprehu solidaritetin dhe mbështetjen e plotë për popullin boshnjak.
“Para 29 vitesh, në qytetin e vogël të Srebrenicës, u krye një nga tmerret më të mëdha të gjenocidit në Evropë. 8372 burra dhe djem boshnjakë u vranë mizorisht, në mënyrë sistematike. Ky krim la plagë të hapura për mijëra familje boshnjake, siç la plagë të hapur në ndërgjegjen e njerëzimit. Andaj, çdo përvjetor është dhembje që ripërtërihet, jo vetëm për popullin boshnjak, por edhe për ne, popullin e Kosovës, që 25 vite më parë kemi përjetuar tmerret e luftës.” tha kryeministri Kurti.
Më tej, ai shtoi se masakra në Srebrenicë ishte dhe paralajmërim për projektin gjenocidal të Serbisë në Kosovë, ku nga viti 1998 deri në vitin 1999, mbi 13 mijë shqiptarë të Kosovës u vranë, mbi 1 milion u dëbuan nga shtëpitë e tyre, afër 1600 janë ende të pagjetur dhe rreth 20 mijë gra e vajza por edhe burra dhe djem, janë të mbijetuar të përdhunimit seksual.
Kryeministri rikujtoi se sot Qeveria e Republikës së Kosovës ka shpallur 11 korrikun ditë memoriale në përkujtim të gjenocidit të Srebrenicës, duke shtuar se: “Gjenocidi në Srebrenicë na kujton plagët tona të përbashkëta, plagë që ende janë të njoma, siç janë ende qindra varre të zbrazëta. Pashmangshëm na kujtohet ideologjia çetnike që u përdor nga Serbia në Kroaci, Bosnjë e Kosovë. Njësiti famëkeq “Shkorpionët” që ka marrë pjesë në masakrën e Srebrenicës, është i njëjti që ka kryer masakra edhe në Kosovë. Ndër to, edhe masakrën mbi familjen e Nënkryetares tonë të Kuvendit, Saranda Bogujevci, të cilës iu vranë 16 anëtarë të familjes ndërkaq ajo u mbijetoi 16 plumbave në trupin e saj kur si kishte as 14 vjeç.”
Ai nënvizoi se teksa vazhdon mohimin e gjenocidit dhe glorifikimin e dhunës, pasardhësit politikë të Millosheviqit që udhëheqin me Serbinë, ringjallin ambiciet e saj ekspansioniste ndaj Bosnjë dhe Hercegovinës por dhe Kosovës. “Andaj, për viktimat dhe për të mbijetuarit që ua vranë më të shtrenjtit, ne nuk mund të harrojmë. Në emër të drejtësisë, paqes, e të pajtimit, e të ruajtjes së të vërtetës, ne duhet të kujtojmë.” përfundoi fjalën e tij kryeministri.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
E nderuara znj. Saranda Bogujevci, Nënkryetare e Kuvendit të Republikës së Kosovës,
E nderuara znj. Emilija Rexhepi, Zëvendëskryeministre e Republikës së Kosovës për Çështje të Pakicave dhe të Drejta të Njeriut,
Të nderuar ministra të Qeverisë sonë, Rozeta Hajdari, Nenad Rashiq dhe Elbert Krasniqi,
I nderuari z. Šemsudin Mehmedović, deputet në Parlamentin e Bosnjë dhe Hercegovinës,
I nderuari z. Mensur Bektic, artist dhe profesor i filigranit, autor i lules së Srebrenicës, simbol i gjenocidit në Srebrenicë,
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës dhe zëvendësministra të Qeverisë sonë,
Të nderuar kryetarë të komunave, të Prishtinës dhe asaj veriore të Mitrovicës, Përparim Rama dhe Erden Atiq,
I nderuari profesor Nexhmedin Spahiu,
E nderuara Zëvendëskryeministre dhe Ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës që porsa na u bashkangjit, znj. Donika Gërvalla-Schwarz,
Shkëlqesi ambasadorë dhe diplomatë të tjerë të vendeve mike të akredituara në Republikën e Kosovës,
Të nderuar përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile,
Të nderuar pjesëmarrës,
Zonja dhe zotërinj,
Dame i gospodo, dragi prijatelji,
Para 29 vitesh, në qytetin e vogël të Srebrenicës, u krye një nga tmerret më të mëdha të gjenocidit në Evropë. 8372 burra dhe djem boshnjakë u vranë mizorisht, në mënyrë sistematike.
Ky krim la plagë të hapura për mijëra familje boshnjake, siç la plagë të hapur në ndërgjegjen e njerëzimit. Andaj, çdo përvjetor është dhembje që ripërtërihet, jo vetëm për popullin boshnjak, por edhe për ne, popullin e Kosovës, që 25 vite më parë kemi përjetuar tmerret e luftës.
Masakra në Srebrenicë, krahas së qeni dëshmi e terrorit të regjimit të Millosheviqit në Bosnjë dhe Hercegovinë, ishte dhe paralajmërim i projektit gjenocidal të Serbisë në Kosovë. Nga viti 1998 deri në vitin 1999, mbi 13 mijë shqiptarë të Kosovës u vranë, dhe mbi 1 milion u dëbuan nga shtëpitë e tyre, afër 1600 i kemi ende të pagjetur dhe rreth 20 mijë gra e vajza por edhe burra dhe djem, i kemi të mbijetuar të përdhunimit seksual. Nëpërmjet këtyre akteve të dhunës dhe spastrimit etnik, u synua të zhdukej populli ynë nga trojet stërgjyshore.
Andaj, duke njohur vuajtjet e popullit boshnjak, bazuar në rezolutën e Kuvendit të Kosovës, në atë të Parlamentit Evropian dhe së fundmi të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Qeveria e Republikës së Kosovës ka shpallur sot 11 korrikun ditë memoriale në përkujtim të gjenocidit të Srebrenicës.
Gjenocidi në Srebrenicë na kujton plagët tona të përbashkëta, plagë që ende janë të njoma, siç janë ende qindra varre të zbrazëta. Pashmangshëm na kujtohet ideologjia çetnike që u përdor nga Serbia në Kroaci, Bosnjë e Kosovë. Njësiti famëkeq “Shkorpionët” që ka marrë pjesë në masakrën e Srebrenicës, është i njëjti që ka kryer masakra edhe në Kosovë. Ndër to, edhe masakrën mbi familjen e Nënkryetares tonë të Kuvendit, Saranda Bogujevci, të cilës iu vranë 16 anëtarë të familjes ndërkaq ajo u mbijetoi 16 plumbave në trupin e saj kur si kishte as 14 vjeç.
Andaj, teksa përkujtojmë viktimat e Srebrenicës, kujtojmë edhe forcën e atyre që mbijetuan. Nënat, që pavarësisht dhimbjes së tyre të papërshkrueshme, kanë gjetur fuqinë për të kërkuar drejtësi dhe për të mbajtur gjallë kujtimin e bijve të tyre.
Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, shpreh solidaritetin dhe mbështetjen tonë të plotë për popullin boshnjak. Dhimbja jonë është e përbashkët, ashtu sikurse edhe forca jonë për të vazhduar përpara. Mbi të vërtetën dhe drejtësinë, ne po i ngremë të forta e të qëndrueshme themelet e barazisë mes individëve e të paqes mes popujve, që t’ua lëmë trashëgimi brezave të ardhshëm.
Të nderuar të pranishëm,
Ndonëse Gjykata Ndërkombëtare për krimet e luftës në ish-Jugosllavi e përcaktoi krimin në Srebrenicë si gjenocid, e Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e konfirmoi gjenocidin në Srebrenicë, Serbia nuk u mbajt përgjegjëse asnjëherë. Derisa familjet ende kërkojnë eshtrat e të dashurve të tyre, Serbia refuzon të kërkojë falje ose madje edhe të pranojë të kaluarën e saj gjenocidale.
Andaj, nuk ka kohë më të rëndësishme se tani për të kujtuar viktimat e Srebrenicës. Teksa vazhdon mohimin e gjenocidit dhe glorifikimin e dhunës, pasardhësit politikë të Millosheviqit që udhëheqin me Serbinë, ringjallin ambiciet e saj ekspansioniste ndaj Bosnjë dhe Hercegovinës por dhe Kosovës.
Andaj, për viktimat dhe për të mbijetuarit që ua vranë më të shtrenjtit, ne nuk mund të harrojmë. Në emër të drejtësisë, paqes, e të pajtimit, e të ruajtjes së të vërtetës, ne duhet të kujtojmë.
Neka je vječna slava žrtvama genocida u Srebrenici. Neka njihova žrtva nikada ne bude zaboravljena.
Lavdi për viktimat e Srebrenicës dhe të gjitha viktimat e luftërave në Ballkan!
Ju faleminderit.
Last modified: 11 Korrik, 2024