Prizren, 17 prill 2025
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me zëvendëskryeministren në detyrë, Emilija Rexhepi, mori pjesë në ngjarjen e organizuar me rastin e shënimit të 8 Prillit, Ditës së Romëve.
“Data 8 prill është një datë krenarie për komunitetin rom. Gëzohem që jam këtu për të festuar bashkë me juve. Jam i lumtur që të konfirmoj nga këtu, në mesin tuaj, përkrahjen e qeverisë sonë dhe timen, ndaj komunitetit tuaj, që ka një trashëgimi të vjetër në shoqërinë tonë dhe kontribut të çmuar për shtetin tonë” u shpreh kryeministri Kurti në krye të herës të fjalës së tij.
Ai tha se kemi punuar bashkë me pjesëtarë e përfaqësues të komunitetit rom për të rritur mundësitë për shkollim e arsimim, punësim e shëndetësi dhe mirëqenie. Me këtë rast përmendi bursat e ndara për nxënës dhe studentë të komuniteteve jo shumicë, përfshirë atyre rom, mbështetjen për qendrat mësimore për fëmijë, themelimin e Grupit Ndërinstitucional për Promovimin e Punësimit të Romëve, Ashkalive dhe Egjiptianëve që ka dhënë rezultate pozitive dhe miratimin e Rregullores për Pranim në Shërbimin Civil për të mundësuar shpalljen e vendeve të punës për anëtarët e komuniteteve jo shumicë, në rast se një institucion nuk e ka plotësuar kuotën ligjore prej 10%për komunitetet jo shumicë.
Kryeministri theksoi se jemi të përkushtuar për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të komunitetit rom. Ne angazhohemi çdo ditë për bashkëpunim edhe më të thellë për realizimin e synimeve të përbashkëta – për më shumë barazi dhe më shumë mirëqenie.
“Kemi shumë arsye që të festojmë së bashku, dhe shumë të tjera për të forcuar më tej bashkëpunimin tonë si për sfidat ashtu edhe për të gjitha çështjet që kemi përballë neve. Andaj, urime e gëzuar Dita Botërore e Romëve. Le të punojmë, bashkë, të gjithë, çdo ditë. Bahtalo 8 Aprili!”, u shpreh në fund.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
E nderuara Zëvendëskryeministre, znj. Emilija Redzepi,
I nderuari Ministër për Zhvillim Rajonal, z.Fikrim Damka,
I nderuar z.Albert Kinolli, Deputet i zgjedhur në Kuvendin e Republikës dhe Kryetar i Partisë së Romëve të Bashkuar të Kosovës,
Të nderuar deputetë të zgjedhur të Kuvendit të Republikës, Rasim Demiri, Enis Kervan dhe Fidan Jilta,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,
Motra dhe vëllezër,
Data 8 prill është një datë krenarie për komunitetin rom. Gëzohem që jam këtu për të festuar bashkë me juve. Jam i lumtur që të konfirmoj nga këtu, në mesin tuaj, përkrahjen e qeverisë sonë dhe timen, ndaj komunitetit tuaj, që ka një trashëgimi të vjetër në shoqërinë tonë dhe kontribut të çmuar për shtetin tonë.
Më mirë se fjalët, gjithmonë flasin veprat. Kemi punuar bashkë me pjesëtarë e përfaqësues të komunitetit rom për të rritur mundësitë për shkollim e arsimim, punësim e shëndetësi dhe mirëqenie. Një shoqëri më e barabartë, është një shoqëri që krahas përfitimeve, i shton edhe mundësitë për të kontribuar. Përfitimet e shtojnë mirëqenien dhe zhvillimin. Kontributi shton ndjenjën e përkatësisë dhe kohezionin social.
Gjatë qeverisjes sonë, prioritet i kemi dhënë mbështetjes së komuniteteve jo shumicë, përfshirë komunitetin tuaj, në arsim e në punësim:
-Kemi ndarë rreth 2000 bursa për nxënës të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, në vlerë prej 600 mijë euro. Në krahasim me të gjitha qeveritë e kaluara së bashku e kemi trefishuar mbështetjen për bursa;
-Kemi ndarë 650 mijë euro për qendrat mësimore të fëmijëve rom, ashkali dhe egjiptian, për gjithsej 1905 fëmijë;
-Pastaj, e kemi themeluar Grupin ndërinstitucional për Promovimin e Punësimit të Romëve, Ashkalive dhe Egjiptianëve. Prej vitit 2022 në 2023 kemi siguruar një rritje prej 31% në numrin e vendeve të punës të siguruara për rom, ashkali dhe egjiptian përmes Agjencisë së Punësimit;
-Miratuam Rregulloren për Pranim në Shërbimin Civil, e cila është bazë ligjore për të shpallur vende të punës vetëm për anëtarët e komuniteteve jo shumicë, në rast se një institucion nuk e ka plotësuar kuotën ligjore prej 10% të të punësuarve që duhet të jenë nga komunitetet jo shumicë.
Në Zyrën e Kryeministrit si dhe në katër ministri deri tash janë shpallur vende pune të rezervuara në bazë të kësaj Rregulloreje.
Nuk mund të përfundoj fjalimin pa e përmendur edhe rëndësinë e gjuhës rome. Një gjuhë e bukur, të cilën e njohim edhe përmes poezisë së Kujtim Paçakut, dramaturgjisë së Nexhip Menekshes dhe shkrimeve të Ibrahim Elshanit e të tjerëve. Gjuha rome përdoret edhe nga qeveria; përkatësisht në Platformën e Zyrës për Çështje të Komuniteteve brenda Zyrës së Kryeministrit, ku të gjitha informacionet janë të disponueshme në gjuhën rome, bashkë me buletinin dyjavor që dërgohet te më shumë se 1000 adresa nga kjo Zyre.
Siç theksohet edhe në urimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për 8 Prillin, jemi të përkushtuar për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të komunitetit rom. Ne angazhohemi çdo ditë për bashkëpunim edhe më të thellë për realizimin e synimeve të përbashkëta – për më shumë barazi dhe më shumë mirëqenie.
Kemi shumë arsye që të festojmë së bashku, dhe shumë të tjera për të forcuar më tej bashkëpunimin tonë si për sfidat ashtu edhe për të gjitha çështjet që kemi përballë neve.
Andaj, urime e gëzuar Dita Botërore e Romëve. Le të punojmë, bashkë, të gjithë, çdo ditë.
Bahtalo 8 Aprili!
Ju faleminderit.
Last modified: 17 Prill, 2025