Prishtinë, 15 korrik 2024
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në ngjarjen e organizuar nga ambasada turke në shtetin tonë, me rastin e “Ditës së Demokracisë dhe Unitetit Kombëtar” të Turqisë.
Në fjalën e tij, kryeministri Kurti përkujtoi dëshmorët e demokracisë të cilët 8 vjet më parë, më 15 korrik 2016, i shpëtuan institucionet demokratike të shtetit të Turqisë të zgjedhura nga populli turk, nga një përpjekje e dështuar grusht-shteti.
“Mesnatën ndërmjet 15 dhe 16 korrikut 2016, populli i Kosovës ishte me popullin e Turqisë, sepse ne jemi dy popuj miq, shtetet tona janë partnere dhe aleate, kurse vendet tona ndajnë shumë të përbashkëta si nga e kaluara historike, ashtu edhe nga e tashmja e demokracive tona dhe e ardhmja e synuar prosperuese.” tha kryeministri Kurti.
Ai nënvizoi marrëdhëniet e ngushta me Turqinë, si nga ana e rolit të Turqisë në NATO gjatë luftës në Kosovë dhe kontributit të ushtarëve turq në kuadër të trupave të KFOR-it për sigurinë dhe paqen në Kosovë, e po ashtu dhe nga ana e lidhjeve e shkëmbimeve mes nesh.
Më tej, kryeministri foli për vizitat në Turqi dhe takimet me Presidentin Recep Tayyip Erdoğan, organizimin e forumit të parë ekonomik Kosovë-Turqi teksa shkëmbimet tona tregtare pritet ta kalojnë shifrën 1 miliard euro, vizitën në kompaninë e industrisë së mbrojtjes dhe aviacionit “Baykar”, prej nga kemi blerë fluturaket luftarake dronët Bajraktar TB-2 për ushtrinë tonë dhe kontributin historik e aktual të diasporës shqiptare në Turq
“Janë gjithë këto interesa dhe vlera të përbashkëta që na mbajnë të lidhur dhe në raporte miqësore dy vendet tona. Duke i qëndruar pranë dhe duke e ndihmuar njëri tjetrin, ne i mbrojmë republikat tona dhe vlerat e përbashkëta demokratike.” përfundoi fjalën e tij.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
Shkëlqesia juaj ambasador, z. Sabri Tunç Angılı, ambasador i Republikës së Turqisë në Republikën e Kosovës,
I nderuari Gjeneral Özkan Ulutaş, Komandant i KFOR-it në Kosovë,
E nderuara zëvendëskryeministre, Emilija Rexhepi,
Të nderuar ministra Fikrim Damka dhe Xhelal Sveçla, i Zhvillimit Rajonal dhe i Punëve të Brendshme,
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës, zëvendësministra, përfaqësues e udhëheqës të institucioneve vendore,
Të nderuar shkëlqesi ambasadorë dhe përfaqësues të tjerë të shteteve mike në Republikën e Kosovës,
Të nderuar kryetarë të komunave dhe të dashur miq të përbashkët të Kosovës dhe të Turqisë,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj, motra dhe vëllezër,
Jemi këtu sot për t’i kujtuar dëshmorët e demokracisë që 8 vite më parë, më 15 korrik 2016, i shpëtuan institucionet demokratike të shtetit të Turqisë të zgjedhura nga populli turk, nga një përpjekje e dështuar grusht-shteti.
Mesnatën ndërmjet 15 dhe 16 korrikut 2016, populli i Kosovës ishte me popullin e Turqisë, sepse ne jemi dy popuj miq, shtetet tona janë partnere dhe aleate, kurse vendet tona ndajnë shumë të përbashkëta si nga e kaluara historike, ashtu edhe nga e tashmja e demokracive tona dhe e ardhmja e synuar prosperuese.
Shkëlqesi Ambasador, z. Sabri Tunç Angılı, më lejoni t’ju shprehë gjithë respektin tim dhe të vendit tim për dëshmorët e 15 korrikut dhe përmes jush familjarëve të tyre, Presidentit Recep Tayyip Erdoğan dhe të gjithë popullit turk.
Populli ynë dhe shteti i Kosovës, mbesin dy popuj miq dhe dy shtete partnere dhe aleate me popullin turk dhe shtetin e Turqisë. Kosova nuk e harron asnjëherë rolin e Turqisë në NATO gjatë luftës në Kosovë dhe kontributin e ushtarëve turq në kuadër të trupave të KFOR-it që në baza ditore kontribuojnë për sigurinë dhe paqen në Kosovë.
Lidhjet mes dy vendeve tona reflektohen edhe nga intensiteti i shkëmbimeve mes nesh. Vitin e kaluar dhe sivjet, kam zhvilluar dy takime me Presidentin Recep Tayyip Erdoğan, të parin në Stamboll dhe të dytin në Ankara, gjatë të cilëve kemi diskutuar për thellimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Turqisë në shumë fusha. Ndërkaq shumë ministra të qeverisë sime kanë pritur dhe janë pritur në vizita me homologët e tyre të qeverisë turke.
Para vetëm një muaji e gjysmë, në Stamboll organizuam forumin e parë ekonomik Kosovë-Turqi, teksa shkëmbimet tona tregtare pritet ta kalojnë shifrën 1 miliard euro. Me atë rast njoha dhe vura kontakte me ndërmarrës e prodhues të shumtë turq e shqiptarë në Turqi.
Ato ditë, gjatë vizitës time të parafundit në Turqi, u mirëprita në kompaninë e industrisë së mbrojtjes dhe aviacionit “Baykar”, prej nga ne kemi blerë fluturaket luftarake dronët Bajraktar TB-2 për ushtrinë tonë. Gjithashtu vura një kurorë me lule te mauzoleu i Mustafa Kemal Atatürkut, shtetarit dhe patriotit të madh turk dhe burrështetasit themeltar të Republikës së Turqisë moderne.
Turqia strehon komunitetin numerikisht më të madh të mërgatës shqiptare në botë. I kam takuar si në qarkun e Zejtinburnusë në Stamboll ashtu edhe në Izmir, ku madje Komuna e Foçës ka për kryetare një grua me prejardhje shqiptare, Saniye Bora Fıçı.
Para dhjetë ditësh isha sërish në Turqi për herë të dytë brenda më pak se dy muajve, ku në takime me Guvernatorin e Izmirit, Süleyman Elban dhe Kryetarin e Bashkisë Metropolitane të Izmirit, Dr. Cemil Tugay, biseduam për gjetjen edhe shfrytëzimin e mundësive për bashkëpunim në ekonomi, arsim dhe kulturë.
Janë gjithë këto interesa dhe vlera të përbashkëta që na mbajnë të lidhur dhe në raporte miqësore dy vendet tona. Duke i qëndruar pranë dhe duke e ndihmuar njëri tjetrin, ne i mbrojmë republikat tona dhe vlerat e përbashkëta demokratike.
Lavdi dëshmorëve të 15 korrikut që ranë për demokracinë e Turqisë.
Të përhershme qofshin miqësia, partneriteti dhe aleanca mes Kosovës dhe Turqisë, mes Turqisë dhe Kosovës, mes republikave tona demokratike dhe popujve tanë liridashës!
Ju faleminderit.
Last modified: 22 Korrik, 2024