Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti mori pjesë në manifestimin kulturor tradicional “Ditët e Agimit”

3 Maj, 2025

Zhegër, Gjilan, 3 maj 2025

Organizuar nga Shoqata Kulturore “Ditët e Agimit”, dhe nën përkujdesjen e Komunës së Gjilanit, sot u mbajt manifestimi tradicional “Ditët e Agimit”, për nder të jetës dhe veprës së heroit Agim Ramadani, ngjarje kjo në të cilën mori pjesë Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti.

Për heroin Agim Ramadani, kryeministri theksoi se është ndër dëshmorët e rënë në luftën çlirimtare të popullit shqiptar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, teksa shtoi se dëshmorët e kombit nuk janë të përjetësuar në kujtesën tonë kolektive dhe në historinë e Kosovës vetëm për shkak të aktit të tyre të rënies, por edhe për aktivitetet e tyre sa ishin gjallë, angazhimit dhe veprës së tyre në totalitetin e saj.

“Agim Ramadani është me profilin më të gjithanshëm: trashëgimia ushtarake, politike dhe artistike e të cilit vazhdon ende të na befasojë, teksa shohim fotografitë, poezitë, pikturat dhe dorëshkrimet e tij. Agim Ramadani ishte pra, poet, piktor, aktivist politik, strateg ushtarak, si dhe një patriot me shpirt artisti e fort frymëzues edhe për gjeneratat e sotme sikurse për shoqërinë e tij dikur”, tha kryeministri.

Në tubimin qendror “I këndojmë Agimit”, në fjalën e tij, kryeministri Kurti shtoi se të tilla manifestime ua zgjasin jetën kujtimeve me nderime dhe mirënjohje jetës së dëshmorëve të lirisë dhe i forcojnë lidhjet e këtyre kujtimeve nga njëri brez në tjetrin.

“Sepse duke i kujtuar dëshmorët mes të gjallësh se si ishin ata, sa ishin të gjallë, i mbajmë të gjalla kujtimet tona për ta dhe shembullin e tyre për ne. Ju dëshiroj një pasdite çlodhëse dhe një mbrëmje të këndshme sonte, në këto ditë të hershme të pranverës së sivjetme, dhe ju përgëzoj për mirëmbajtjen e manifestimeve “Ditët e Agimit”. Lavdi Katanas, heroit Agim Ramadani, bashkë me dëshmorët dhe martirët e kombit të rënë për lirinë e Kosovës!” përfundoi fjalën e tij kryeministri Kurti.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

Të nderuara familje të dëshmorëve të kombit,
E nderuara familje Ramadani,
E nderuara znj. Shukrije Ramadani,
I nderuari z. Qahil Halili, Kryetar i Këshillit të Zhegrës,
I nderuari kryetar i komunës së Gjilanit, z. Alban Hyseni,
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës, z. Anton Quni dhe znj. Arijeta Rexhepi,
Të nderuar invalidë e veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, shokë e bashkëluftëtarë të Agim Ramadanit,
Të dashur banorë të Zhegrës dhe të anës së Gjilanit,

Më vjen mirë të shoh që tradita e organizimit të manifestimit kulturor “Ditët e Agimit” po vazhdon të ruhet dhe të mirëmbahet ndërvite. Kjo sepse dëshmorët e kombit të rënë për lirinë e Kosovës, nuk janë të përjetësuar në kujtesën tonë kolektive dhe në historinë e vendit tonë vetëm për shkak të aktit të tyre të rënies, por edhe për shkak të aktivitetit të tyre sa ishin gjallë, të angazhimit dhe të veprës së tyre në totalitetin e saj. Andaj dëshmorët nuk duhet kujtuar vetëm në përvjetorët e rënies së tyre, por edhe në shtrirjen e ditëve të tjera, të ditëve sikur kjo, të çdo dite, pra të ditëve të zakonshme kur ata ishin të gjallë dhe gjallnonin mes të tjerëve siç bëjmë ne sot mes nesh.

E në këtë kuptim, ndër dëshmorët e rënë në luftën çlirimtare të popullit shqiptar për lirinë, pavarësinë e Kosovës, Agim Ramadani është me profilin më të gjithanshëm: trashëgimia ushtarake, politike dhe artistike e të cilit vazhdon ende të na befasojë, teksa shohim fotografitë, poezitë, pikturat dhe dorëshkrimet e tij. Agim Ramadani ishte pra, poet, piktor, aktivist politik, strateg ushtarak, si dhe një patriot me shpirt artisti e fort frymëzues edhe për gjeneratat e sotme sikurse për shoqërinë e tij dikur. Andaj në manifestime si “Ditët e Agimit”, organizohet edhe turnir në futboll të vogël, turnir në “snooker”, turne në karate, gara peshkatarie, lexime poezish, e koncert muzikor.

Të tilla manifestime ua zgjasin jetën kujtimeve me nderime dhe mirënjohje jetës së dëshmorëve të lirisë dhe i forcojnë lidhjet e këtyre kujtimeve nga njëri brez në tjetrin. Sepse duke i kujtuar dëshmorët mes të gjallësh se si ishin ata, sa ishin të gjallë, i mbajmë të gjalla kujtimet tona për ta dhe shembullin e tyre për ne.

Ju dëshiroj një pasdite çlodhëse dhe një mbrëmje të këndshme sonte, në këto ditë të hershme të pranverës së sivjetme, dhe ju përgëzoj për mirëmbajtjen e manifestimeve “Ditët e Agimit”.

Lavdi Katanas, heroit Agim Ramadani, bashkë me dëshmorët dhe martirët e kombit të rënë për lirinë e Kosovës!

Ju faleminderit!

Last modified: 3 Maj, 2025

Comments are closed.