Prishtinë, 7 maj 2025
Organizuar nga Ministria e Zhvillimit Rajonal dhe Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), sot u mbajt konferenca me titull “Roli i Universiteteve në Zhvillimin Socio-Ekonomik Rajonal të Balancuar”, në të cilën mori pjesë Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti.
“Universitetet hapin portat e dijes dhe ushqejnë shoqërinë tonë në krejt sferat, duke luajtur një rol të rëndësishëm në organizimin shoqëror, përpilimin e politikave dhe kërkimeve shkencore të cilat përdoren për ta rritur zhvillimin dhe për ta avancuar shoqërinë.” u shpreh kryeministri Kurti në fjalën e tij hyrëse.
Në këtë konferencë, kryeministri foli edhe për mbështetjen nga ana e Qeverisë, ku për herë të parë është aprovuar Projektligji për Zhvillim Rajonal të Balancuar, për zhvillimin afatgjatë dhe të qëndrueshëm nëpër rajone. Me këtë rast, ai tregoi për miratimin e Programit për Zhvillim Rajonal të Balancuar 2025-2027, i cili parasheh një sërë veprimesh dhe aktivitetesh, e në kuadër të këtij programi, kryeministri përmendi skemën e dizajnuar nga Qeveria për Programin për Zhvillim Rajonal të Balancuar, prej të cilit nga viti 2021 e deri në vitin 2024, janë përkrahur 901 projekte në vlerën rreth 7 milionë euro.
Ndër të tjera, sa i përket përkrahjes nga shteti, ai potencoi mbështetjen nëpërmjet masave siç është ajo e Pakos së Ringjalljes Ekonomike për mbështetjen e bizneseve për qasje në financa, mbështetje të bizneseve përmes subvencionimit të pagave të punëtorëve, skema e punësimit të garantuar “Qeveria për Familjet”, shtesat për lehona dhe fëmijë, shtesat për punëtorët e sektorit privat e publik dhe pensionistë, subvencionimi i energjisë elektrike për familjet dhe bizneset, ndihma për familjet në asistencë sociale e rritja e mbështetjes për bujqësi.
“Bashkë prodhojmë, bashkë e nxisim produktivitetin e përkrahim rritjen e bizneseve tona jo vetëm në tregun e brendshëm por edhe në zgjerimin e aktivitetit të tyre duke depërtuar në tregjet e mëdha ndërkombëtare. Në këtë mënyrë, në veçanti i kemi inkurajuar të rejat dhe të rinjtë, sipërmarrësit e rinj, bizneset e vogla e të mesme, për t’u rritur më tej e për të kontribuar pozitivisht në jetën ekonomike e në progresin shoqëror të vendit tonë.” tha ai.
Kryeministri Kurti e përmbylli fjalën e tij duke i uruar organizatorëve e pjesëmarrësve diskutime sa më të frytshme e produktive, gjersa kërkimi shkencor e karakteri hulumtues i universitetit dhe i studiuesve, në funksionim të mbarë e të mirë me institucionet vendore e qendrore, ka potencialin që të nxisë dije, prodhojë ide dhe të njëjtat të jetësohen në praktikë përmes politikave të cilat i zhvillojnë rajonet, avancojnë shtetin dhe e rrisin mirëqenien e qytetarëve pa dallim.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
I nderuari z. Fatmir Sejdiu, ish-president i Republikës së Kosovës,
I nderuari z. Fikrim Damka, ministër i Zhvillimit Rajonal,
I nderuari z. Tunç Angılı, ambasador i Turqisë në Kosovë,
I nderuari Profesor Arben Hajrullahu, rektor i Universitetit të Prishtinës,
I nderuari Profesor Uğur Ünal, rektor i Universitetit Gazi në Turqi,
Të nderuar profesorë e studentë,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,
Është përherë kënaqësi të marr pjesë në konferenca ku diskutimet ndërthuren mes dijes e teorisë dhe praktikës e rolit të institucioneve në jetësimin e tyre. Institucionet në vetvete janë organizma shtetëror e shoqëror, që e zhvillojnë veprimtarinë e tyre në një fushë të caktuar të ekonomisë, të arsimit, të shkencës, të kulturës, të jetës shoqërore apo edhe asaj politike. Por institucionet e dijes, ato arsimore, janë kryeqendra nga ku burojnë institucionet e tjera. Universitetet hapin portat e dijes dhe ushqejnë shoqërinë tonë në krejt sferat, duke e luajtur një rol të rëndësishëm në organizimin shoqëror, përpilimin e politikave dhe të kërkimeve shkencore të cilat përdoren për ta rritur zhvillimin dhe për ta avancuar shoqërinë.
Kësisoj, në këtë konferencë ku fokusi është në: “Rolin e Universiteteve në Zhvillimin Socio-Ekonomik Rajonal të Balancuar”, duhet ta shtjellojmë edhe mendojmë thellë e gjatë se si duhet të shfrytëzohet i gjithë potenciali i institucionit të dijes, për t’i shërbyer shoqërisë, politikave progresiste dhe ndërtimit të një shoqërie të drejtë e të barabartë, si për brezin tonë ashtu edhe për ata të cilët vijnë pas nesh.
Si qeveri, jemi pikërisht për një shoqëri ku askush nuk mbetet prapa dhe të gjithë e gëzojnë mbështetjen e përkrahjen e shtetit. E iniciativat e katër viteve të fundit të qeverisjes sonë i kemi patur të shumta për të shtyrë përpara përparimin e shtetit duke e mbështetur secilën e secilin qytetar, në mënyrë që vendi të zhvillohet me hapa të shpejtë e shoqëria të qëndrojë si motorr zhvillimor i një shteti që avancon e nga i cili përfitojnë që të gjithë.
Kemi aprovuar për herë të parë Projektligjin për Zhvillim Rajonal të Balancuar, të miratuar në mbledhjen e 102-të të Qeverisë së Republikës së Kosovës, për zhvillimin afatgjatë dhe të qëndrueshëm nëpër rajone. Jemi angazhuar në finalizimin e kornizës ligjore dhe funksionalizimin e mekanizmave për zhvillim rajonal dhe rritjen e nivelit të zhvillimit socio-ekonomik, si dhe kemi miratuar së fundmi Programin për Zhvillim Rajonal të Balancuar 2025-2027, i cili parasheh një sërë veprimesh dhe aktivitetesh që për qëllim kanë ndërtimin e rajoneve të qëndrueshme dhe zhvillimit të prekshëm për të gjithë.
Qeveria jonë nuk është ndalur me kaq. Rezultatet, numrat e statistikat tregojnë se përmes politikave tona të qëlluara ekonomike, kemi patur një rritje mesatare prej 6 për qind të Bruto Produktit Vendor gjatë këtyre katër viteve të fundit, dyfishim të eksporteve, përmirësim të ndjeshëm të raporteve eksport-import përkatësisht zvogëlimin e deficitit tregtar nga raporti 1 me 9 në 1 me 6 sa është tani, më shumë se dyfishim të investimeve të huaja, buxhet shtetëror vjetor tashmë 60% më i lartë sesa para 5 viteve, e natyrisht që krejt këto të arritura kanë sjellë edhe shtim të punësimit dhe rritje të fitimit dhe zgjerimit të aktivitetit të sektorit privat, qarkullimi i të cilëve është rritur për 2/4 në 5 vitet e fundit.
Kemi ndërmarrë masa si ajo e Pakos së Ringjalljes Ekonomike për mbështetjen e bizneseve për qasje në financa, mbështetje pastaj edhe përmes subvencionimit të pagave të punëtorëve, skema e punësimit të garantuar “Qeveria për Familjet”, shtesat për lehona dhe për fëmijë, shtesat për punëtorët e sektorit privat e publik dhe pensionistë, subvencionimi i energjisë elektrike për familjet dhe bizneset, ndihma për familjet në asistencë sociale e rritja e mbështetjes për bujqësi që ka rezultuar me rritje prej 50% të fondit të tokave bujqësore krahasuar me para 4 vjetëve që tani punohen në Kosovë.
Në mesin e skemave të dizajnuara nga Qeveria, njëra prej tyre është edhe Programi për Zhvillim Rajonal të Balancuar, prej të cilit nga viti 2021 e deri në vitin që lamë pas 2024, janë përkrahur 901 projekte në vlerën prej rreth 7 milionë euro. Ndërmarrja e kësaj iniciative ka për qëllim zhvillimin socio-ekonomik të barabartë, përmes krijimit të vendeve të reja të punës dhe rritjes së bizneseve të reja e prodhuese, biznese të cilat fitimin e tyre e rinvestojnë.
Bashkë prodhojmë, bashkë e nxisim produktivitetin e përkrahim rritjen e bizneseve tona jo vetëm në tregun e brendshëm por edhe në zgjerimin e aktivitetit të tyre duke depërtuar në tregjet e mëdha ndërkombëtare. Në këtë mënyrë, në veçanti i kemi inkurajuar të rejat dhe të rinjtë, sipërmarrësit e rinj, bizneset e vogla e të mesme, për t’u rritur më tej e për të kontribuar pozitivisht në jetën ekonomike e në progresin shoqëror të vendit tonë.
Në Kosovë aktualisht, siç e dini të gjithë, ndodhen shtatë rajone zhvillimore. Kemi shumë punë për të bërë për të avancuar shtetin edhe për ta rritur produktivitetin dhe mirëqenien. Kërkimi shkencor e karakteri hulumtues i universitetit dhe i studiuesve, në funksionim të mbarë e të mirë me institucionet vendore e qendrore, ka potencialin që të nxisë dije, prodhojë ide dhe të njëjtat të jetësohen në praktikë përmes politikave të cilat i zhvillojnë rajonet, avancojnë shtetin dhe e rrisin mirëqenien e qytetarëve pa dallim.
Ju faleminderit e ju uroj panele e diskutime sa më produktive e të frytshme!
Last modified: 7 Maj, 2025