Prishtinë, 30 janar 2025
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot mori pjesë në konferencën me temën “Qëndrueshmëria Kombëtare – Sfidat dhe Rruga Përpara”, organizuar nga Ministria e Mbrojtjes me synimin e ndarjes së praktikave më të mira dhe forcimit të bashkëpunimit në përballimin e sfidave të përbashkëta.
Në fjalën e tij, kryeministri theksoi se qëndrueshmëria dhe gatishmëria janë domosdoshmëri shtetërore dhe kombëtare.
“Qëndrueshmëria është aftësia jonë për të parashikuar, përballuar dhe rimëkëmbur nga çdo goditje, qofshin ato fatkeqësi natyrore, akte të qëllimshme kundër infrastrukturës kritike apo sfida të tjera që vënë në rrezik qytetarët e Republikës dhe sovranitetin e shtetit. Kjo nënkupton jo vetëm reagimin, por edhe përgatitjen për çdo situatë të mundshme, duke minimizuar rreziqet dhe maksimizuar mbrojtjen e burimeve tona jetike”, deklaroi ai.
Për këtë aspekt, gjatë viteve të fundit, janë ndërmarrë hapa të rëndësishëm për të forcuar Qëndrueshmërinë tonë Kombëtare, sikurse përgatitja e hartimit të draft konceptit dhe më pas miratimi i tij në Qeveri në shtator të vitit të kaluar, investimi në infrastrukturën strategjike, përmirësimi i sistemeve të energjisë së rinovueshme dhe ngritja e kapaciteteve për reagimin emergjent ndaj krizave.
“Kemi nisur reforma të thella në sektorin e mbrojtjes dhe të sigurisë, nëpërmjet blerjeve të qëndrueshme ushtarake, kemi rritur jo vetëm gatishmërinë tonë për të mbrojtur integritetin dhe sigurinë e vendit, por edhe aftësinë për të parandaluar dhe rimëkëmbur nga çdo goditje. E në këtë aspekt besoj që qëndrueshmëria jonë kombëtare ka traditë të thellë historike, pra ajo çfarë duhet të bëjmë në shekullin XXI-të dhe posaçërisht në këtë dekadë është që këtë qëndrueshmëri tonën kombëtare ta përshtatim për avancimet tona të jashtëzakonshme teknologjike të shekullit XXI dhe sidomos institucionet e shtetit të jenë të sinkronizuara edhe karshi sfidave por edhe përbrenda me njëra tjetrën.” shtoi kryeministri.
Republika e Kosovës vazhdon që të gjitha përpjekjet e saj t’i bashkërendojë e t’i bëjë këmbëngulëse në drejtim të anëtarësimit në NATO. Ashtu sikurse aleatët e NATO-s, kryeministri tha se u jemi përkushtuar shtatë kërkesave bazë për Qëndrueshmërinë kombëtare duke i inkorporuar këto kërkesa në Planin e Reagimit Kombëtar.
Kryeministri Kurti tha se do të fuqizohen edhe më shumë katër shtyllat kyçe të qëndrueshmërisë: parandalimin, gatishmërinë, reagimin dhe rimëkëmbjen nga goditjet.
“Do të sigurohemi që të gjithë qytetarët tanë të kenë qasje në burime, trajnime dhe mbështetje për të ndërtuar kapacitete lokale qëndrueshmërie. Për ne, një shoqëri e qëndrueshme është ajo që kujdeset për të gjithë – pa lënë askënd prapa”. përfundoi kryeministri.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
E nderuara Presidente, shkëlqesia juaj znj. Vjosa Osmani – Sadriu,
I nderuari Ministër Ejup Maqedonci,
I nderuari komandant i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjeneral Lejtnant Bashkim Jashari,
E nderuara Ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari,
I nderuari Drejtor i NALT-it, Gjeneral Christian Nawrat,
I nderuari drejtor i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha,
Të nderuar ushtarakë të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe drejtorisë së NALT-it,
Të nderuar pjesëmarrës, zonja dhe zotërinj,
Mirëdita të gjithëve! Unë jam i nderuar që jam sot këtu bashkë me juve, në një konferencë të rëndësishme e cila trajton një prej çështjeve më jetike për të ardhmen tonë – Qëndrueshmërinë Kombëtare dhe Gatishmërinë Civile. Dua të falënderoj organizatorët, ekspertët dhe të gjithë pjesëmarrësit për përkushtimin tuaj në forcimin e sigurisë dhe të mirëqenies kolektive. Ky përkushtim është themeli që na siguron se, pavarësisht sfidave, ne mund të ndërtojmë një të ardhme më të fortë dhe më të sigurt për të gjithë qytetarët pa dallim.
Sot, më shumë se kurrë, bota përballet me sfida komplekse – ndryshimet klimatike, kërcënimet ekonomike, rreziqet teknologjike dhe kërcënimet kundër sigurisë kombëtare e globale. Në këtë kontekst, qëndrueshmëria dhe gatishmëria nuk janë më opsione që mund t’i zgjedhim a përzgjedhim, por janë domosdoshmëri shtetërore e kombëtare. Qëndrueshmëria është aftësia jonë për të parashikuar, përballuar dhe rimëkëmbur nga çdo goditje, qofshin ato fatkeqësi natyrore, akte të qëllimshme kundër infrastrukturës kritike apo sfida të tjera që vënë në rrezik qytetarët e Republikës dhe sovranitetin e shtetit. Kjo nënkupton jo vetëm reagimin, por edhe përgatitjen për çdo situatë të mundshme, duke minimizuar rreziqet dhe maksimizuar mbrojtjen e burimeve tona jetike.
Gjatë viteve të fundit, kemi ndërmarrë hapa të rëndësishëm për të forcuar Qëndrueshmërinë tonë Kombëtare, ku Qëndrueshmëria Kombëtare është një ndër elementet kryesore të Mbrojtjes Gjithëpërfshirëse apo mbrojtjes totale për të cilën jemi përgatitur duke hartuar së pari draft konceptin dhe e kemi miratuar atë më pas në Qeveri, në shtator të vitit të kaluar. Kjo mbrojtje nënkupton përgatitjen e gjithë shoqërisë për të përballur situata të krizave, të emergjencave dhe natyrisht që kërkon edhe një ndërgjegjësim dhe pjesëmarrje më të lartë, gjithnjë e më të lartë të qytetarëve dhe bashkëveprim të pandërprerë mes institucioneve dhe komuniteteve.
Po ashtu kemi investuar në infrastrukturën strategjike, kemi përmirësuar sistemet e energjisë së rinovueshme dhe kemi ngritur kapacitetet për reagimin emergjent ndaj krizave. Një shembull i rëndësishëm është mbështetja për forcimin e sistemit tonë të mbrojtjes civile dhe përgatitjen e komuniteteve lokale për sfida të paparashikuara. Pra të bëhemi gati për ato që na merr mendja por duhet të bëhemi gati edhe për ato që tash për tash nuk na e merr mendja. E për më tepër kemi nisur reforma të thella në sektorin e mbrojtjes dhe të sigurisë, nëpërmjet blerjeve të qëndrueshme ushtarake, kemi rritur jo vetëm gatishmërinë tonë për të mbrojtur integritetin dhe sigurinë e vendit, por edhe aftësinë për të parandaluar dhe rimëkëmbur nga çdo goditje. E në këtë aspekt besoj që qëndrueshmëria jonë kombëtare ka traditë të thellë historike, pra ajo çfarë duhet të bëjmë në shekullin XXI-të dhe posaçërisht në këtë dekadë është që këtë qëndrueshmëri tonën kombëtare ta përshtasim për avancimet tona të jashtëzakonshme teknologjike të shekullit XXI dhe sidomos institucionet e shtetit të jenë të sinkronizuara edhe karshi sfidave por edhe përbrenda me njëra tjetrën.
Republika e Kosovës vazhdon që të gjitha përpjekjet e saj t’i bashkërendojë e t’i bëjë këmbëngulëse në drejtim të anëtarësimit në NATO. Në këtë drejtim, Qëndrueshmëria, siç përkufizohet edhe nga NATO-ja, është aftësia për t’u përgatitur, për të rezistuar, për të reaguar dhe për t’u rimëkëmbur shpejt nga goditjet dhe ndërprerjet. Forcimi i Qëndrueshmërisë është një përgjegjësi kombëtare, por përpjekjet tona padyshim që do ta forcojnë edhe Aleancën në tërësi, meqenëse ne nuk synojmë vetëm të përfitojmë nga aleancat, por edhe të kontribuojmë tek ato.
Ashtu sikurse Aleatët e NATO-s edhe ne u jemi përkushtuar shtatë kërkesave bazë për Qëndrueshmërinë kombëtare duke i inkorporuar këto kërkesa në Planin e Reagimit Kombëtar si linja jete:
E para është vazhdimësia e garantuar e qeverisë dhe shërbimeve kritike. E dyta, furnizime elastike me energji dhe plane rezervë për menaxhimin e ndërprerjeve. E treta, përballimi i lëvizjeve të pakontrolluara të njerëzve dhe koordinimi me reaguesit e parë, të dytë dhe të tretë. Pastaj, burime elastike të ushqimit dhe të ujit; aftësia për t’u përballur me kriza shëndetësore dhe viktima në masë; e gjashta, sistemet elastike të komunikimit civil dhe telekomunikacionit; dhe e shtata sistemet transportuese të sigurta dhe elastike.
Përveç kësaj ne do të fuqizojmë edhe më shumë katër shtyllat kyçe të qëndrueshmërisë: parandalimin, gatishmërinë, reagimin dhe rimëkëmbjen nga goditjet. Qytetari i Republikës është zemra e çdo vendimi tonë si Qeveri. Qëllimi ynë nuk është vetëm të reagojmë, por të ndërtojmë një shoqëri ku çdo individ dhe çdo familje ndihet e mbrojtur dhe e fuqizuar për t’u përballur me sfidat. Nëse çdo qytetar, shkollë dhe biznes është i përgatitur, ne mund të shmangim humbjet e mëdha dhe të përballojmë çdo krizë me guxim dhe efektivitet. Do të sigurohemi që të gjithë qytetarët tanë të kenë qasje në burime, trajnime dhe mbështetje për të ndërtuar kapacitete lokale qëndrueshmërie. Për ne, një shoqëri e qëndrueshme është ajo që kujdeset për të gjithë – pa lënë askënd prapa. Nuk ka dikush, dikund, asnjëherë, që është më pak i rëndësishëm.
Në këto kohë të sfidave, përgjigjja jonë duhet të jetë kombinimi i vendosmërisë dhe i unitetit. Kjo konferencë është një hap drejt ndërtimit të një të ardhmeje ku të gjithë qytetarët ndihen të mbrojtur, dhe vendi ynë mbetet një shembull edhe i qëndrueshmërisë edhe i përgatitjes.
Le të bashkohemi për të forcuar mbrojtjen dhe gatishmërinë tonë, për të investuar në të ardhmen dhe për të ndërtuar një shoqëri që jo vetëm përballet me sfidat, por i kapërcen ato me sukses.
Ju falënderoj për angazhimin tuaj dhe pres me padurim që edhe këtu të shprehen, por edhe të afirmohen në publik e në shoqëri idetë dhe sugjerimet që do t’i prezantoni sot e do t’i ndajmë së bashku.
Ju falënderoj për angazhimin dhe gjithashtu për kontributin e çmuar të deritanishëm e për atë që do ta japim bashkë në vijim.
Last modified: 30 Janar, 2025