Prishtinë, 17 shtator 2024
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në konferencën përmbyllëse të Javës së Gruas, organizuar nga NDI me mbështetjen e USAID-it.
“Të drejtat e grave janë të drejta të njeriut”, është thënia e famshme, të cilën kryeministri Kurti e citoi gjatë fjalës së tij hyrëse, e për të cilën tha se “respektimi i këtyre të drejtave pasqyrohet në faktin ku vetë të qenit grua shpesh nënkupton një rrezik në vetvete dhe kur mbrohet e drejta e të qenit grua, shpesh mbrohet në relacion me anëtarë të tjerë të shoqërisë”.
“Në Kosovë, pabarazia gjinore thellohet nga mungesa e qasjes ekonomike, që është e lidhur ngushtë me barriera të tjera që kontribuojnë në shtypjen e grave në shoqëri”, deklaroi ai.
Sipas kryeministrit Kurti, asnjë qeveri nuk mund të pretendojë se ka një plan gjithëpërfshirës për shoqërinë pa adresuar barazinë gjinore, prandaj investimi në mirëqenien shoqërore në Kosovë, për këtë arsye, ka një efekt disproporcional për gratë.
Ndër hapat e ndërmarra nga Qeveria e që kontribuojnë drejt forcimit të barazisë gjinore, kryeministri përmendi shtesat për 60 mijë nëna lehona për herë të parë dhe shtesat për 400 mijë fëmijë nën moshën 16 vjeçe. Në anën tjetër, krijimi i kushteve që i mundëson vajzat dhe gratë të zhvillohen në shoqëri është hap tjetër.
“Edukimi falas që kemi mundësuar dhe bursat që kryesisht u jepen vajzave e grave, sidomos në fushat STEM, si dhe punësimi i direkt 12 mijë grave në tri vitet e fundit – falë masave të punësimit, përfshirë edhe përmes platformës “Superpuna”, ku 51% e përfituesve janë gra – janë hapa të vlefshëm. Gjithashtu, vitet e fundit kanë shënuar një numër rekord grash në pozita vendimmarrëse në institucione publike, përfshirë ndërmarrjet publike, ku kemi katërfishuar pjesëmarrjen e tyre nga 10% në afër 45%”, tha kryeministri Kurti.
Gjatë mandatit të Qeverisë, siç tha kryeministri, janë prezantuar edhe reforma të rëndësishme ligjore, sidomos në lidhje me dhunën në familje dhe dhunën seksuale, ndihma juridike falas për viktimat e dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave, si dhe rritje të buxhetit për strehimoret dhe organizatat që ofrojnë shërbime sociale.
Në këtë konferencë, kryeministri përsëriti thirrjen për bashkëpunim ndërmjet shtetit dhe shoqërisë, në mënyrë që ligjet e drejta dhe të mira të ndërveprojnë me solidaritetin gjinor dhe aktivizimin publik e politik.
Për më shumë se një dekadë, “Java e Gruas” ka fuqizuar gjenerata të reja liderësh në Kosovë, duke mbrojtur pjesëmarrjen e grave në politikë dhe duke hedhur themelet për një demokraci më gjithëpërfshirëse.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
Të nderuara deputete e deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës,
E nderuara znj. Nancy Soderberg, drejtore e Zyrës së NDI në Kosovë,
E nderuara znj. Jessica Blitt, ambasadore e Kanadasë në Kosovë dhe në Kroaci,
E nderuara znj. Eileen Devit, udhëheqëse e Misionit të USAID-it në në Kosovë,
E nderuara znj. Beate K. Elsaesser, udhëheqëse e Zyrës për Bashkëpunim nga ambasada e Zvicrës në Kosovë,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,
Së pari, ju falënderoj për ftesën dhe ju përgëzoj për organizimin.
Barazia gjinore ndodhet në thelb të barazisë shoqërore, ndërkaq barazia shoqërore, është ajo, e cila i jep kuptim zhvillimit ekonomik, rritjes ekonomike, sepse pikërisht nëpërmjet saj zhvillimi dhe rritja bëhen progres për të gjithë.
Asnjë qeveri besoj se nuk mund të pretendojë se ka një plan gjithëpërfshirës për shoqërinë pa e adresuar edhe barazinë gjinore, përkatësisht pabarazinë gjinore. Kjo natyrisht nënkupton që demokracia edhe nëse është e papërsosur, dallon shumë në atë që ofron në bazë gjinore. Dhe, grave kudo u është ofruar një version shumë më i papërsosur i asaj demokracie.
Viti i ardhshëm shënon 30-vjetorin e “Deklaratës së Pekinit.” Më 15 shtator të vitit 1995, shtetet u dakorduan t’i bashkohen një reforme do të thoshim revolucionare për të rishikuar ligjet kundër diskriminimit gjinor dhe ku sekretarja e shtetit, atëherë zonja e parë, Hillary Clinton e tha shprehjen e famshme, që “të drejtat e grave janë të drejta të njeriut”.
Se sa janë respektuar këto të drejta, pasqyrohet në faktin e zymtë ku vetë të qenit grua shpesh nënkupton një rrezik në vetvete. Dhe, kur mbrohet e drejta e të qenit grua, shpesh mbrohet në relacion me anëtarë të tjerë të shoqërisë: thuhet se është vajza e dikujt, nëna e dikujt apo gruaja e dikujt, sikur ekzistenca në vetvete nuk mjafton për të pasur vlerë.
Kësisoj, që kalimi nga kërcënimet ndaj jetës, në një jetë të realizuar plotësisht për gjysmën e popullsisë sonë, kërkon që t’i shohim të gjitha aspektet e shoqërisë dhe gjithashtu t’i trajtojmë ato.
Për këtë arsye, më vjen mirë që tema e sotme trajton natyrën gjithëpërfshirëse, e që vetë në titull mban ndërthurjen ekonomike dhe politike të të drejtave gjinore. Një term që më ka lënë gjithmonë përshtypje kur bëhet fjalë për pabarazinë gjinore është “ndërsektorialiteti apo në anglisht si është shumë herë më e famshme, intersecionaliteti”, i krijuar nga Kimberlé Crenshaë nga Columbia University, që përshkruan mënyrat se si format e diskriminimit kombinohen. Pra, diskriminimi në bazë gjinore dhe hasja në vështirësi ekonomike e krijon një formë të vuajtjes, që është më e thellë sesa përjetimi i vetëm gjendjes së rëndë financiare.
Këtë dukuri e shohim me gjithë zhvillimet gjeopolitike. Krizat globale prekin më së shumti ata që janë të diskriminuar në baza të tjera. Për shembull, kriza globale e ushqimit raportohet se prek 150 milionë gra më shumë sesa burra.
Në Kosovë, pabarazia gjinore thellohet nga mungesa e qasjes ekonomike, që është e lidhur ngushtë me barriera të tjera që kontribuojnë në shtypjen e grave në shoqëri. Për ne si qeveri, është kritike të lirojmë popullatën nga barra ekzistenciale dhe të krijojmë hapësirë për qytetarët që të trajtojnë çështjet që nuk mund të zgjidhen nëse mbijetesa është në rrezik. Investimi në mirëqenien shoqërore, për këtë arsye, ka një efekt disproporcional për gratë. Shtesa që i kemi dhënë për 60 mijë nëna lehona për herë të parë dhe shtesat për mbi 400 mijë fëmijë nën moshën 16 vjeçe, janë përpjekje drejt forcimit të një rrjeti të sigurisë.
Hapi i dytë është krijimi i kushteve që i mundëson vajzat dhe gratë të zhvillohen në shoqëri. Edukimi falas që kemi mundësuar dhe bursat që kryesisht u jepen vajzave e grave, sidomos në fushat STEM, si dhe punësimi i direkt 12 mijë grave në tri vitet e fundit – falë masave të punësimit, përfshirë edhe përmes platformës “Superpuna”, ku 51% e përfituesve janë gra – janë hapa të vlefshëm. Gjithashtu, vitet e fundit kanë shënuar një numër rekord grash në pozita vendimmarrëse në institucione publike, përfshirë ndërmarrjet publike, ku kemi katërfishuar pjesëmarrjen e tyre nga 10% në afër 45%.
Gjatë mandatit tonë si qeveri kemi prezantuar edhe reforma të rëndësishme ligjore, sidomos në lidhje me dhunën në familje dhe dhunën seksuale, ndihma juridike falas për viktimat e dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave, si dhe rritje të buxhetit për strehimoret dhe organizatat që ofrojnë shërbime sociale.
Caku nuk është që të mburremi me një statistikë të vetme, apo edhe me disa sosh, por që përmes një serie statistikash të cilat lidhen me njëra tjetrën, të krijojmë një efekt të dominosë pozitive. Mbështetja ekonomike, fuqizimi ekonomik dhe politik, dhe mbrojtja e fortë ligjore janë shtylla që informojnë dhe mbështesin njëra-tjetrën. Çdo pengesë që hiqet nga një fushë, heq një pengesë edhe në një fushë tjetër.
Barazia e njëkahshme, ajo e cila pra nuk është gjithëpërfshirëse, është pabarazi.
Puna që kemi bërë është fillimi i një rruge drejt të cilës jemi nisur, dhe nuk përmban të gjitha ambiciet tona në këtë drejtim. Mos barazia është duke na kushtuar të gjithëve shumë, edhe moralisht edhe ekonomikisht. Dhe në këtë pikë dëshirojmë që të kemi një bashkëpunim, të dy koncepteve kryesore të Republikës do të thosha, të shtetit në njërën anë dhe të shoqërisë në anën tjetër ashtu që ligjet e drejta dhe të mira të ndërveprojnë me solidaritetin gjinor dhe aktivizimin publik e politik.
E përfundimisht, qëllimi nuk është vetëm përfshirja por edhe pjesëmarrja e sërish synimi nuk është vetëm pjesëmarrja e grave në institucionet ekzistuese, por krijimi i një mjedisi ku këndvështrimet dhe vizionet e shtypura, jo me vite e dekada por me shekuj, do të mund të flaken dhe asisoj të ecim bashkë drejt realizimit të një realiteti të ri i cili është edhe i mundshëm edhe i nevojshëm. Ky besoj se është çelësi për një progresion gjeometrik do të thosha dhe zhvillim të qëndrueshëm për të gjithë e para së gjithash mbi të gjitha për gratë.
Ju faleminderit.
Last modified: 18 Shtator, 2024