Prishtinë, 15 shkurt 2023
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori sot pjesë në e Hapjen e Konferencës “Kosova dhe Urbanizmi i Ri: Qëndrueshmëria, Inovacioni, Teknologjia, Qëndrueshmëria dhe Investimet” të organizuar nga Kolegji UBT në bashkëpunim me Federatën Panshqiptare të Amerikës VATRA dhe me Rrjetin e Bizneseve të Diasporës Shqiptare.
Në fjalën e tij, kryeministri Kurti tha se është nder prania e tij sot në prag të 15-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe të merrte pjesë në këtë konferencë të rëndësishme për të diskutuar, në frymë shkencore e profesionale, për të ardhmen e qëndrueshme të qyteteve tona, dhe për të ardhmen e qëndrueshme të shoqërisë sonë.
“Urbanizmi i Ri, me premisat e tij për të ndërtuar Qytete më të qasshme; më të jetueshme; më funksionale e me më shumë vlera estetike; më të sigurta, miqësore ndaj këmbësorëve e biçiklistëve, hapësira publike më kreative e më të gjalla, – është ndër përpjekjet bashkëkohore për të ndërtuar qytete që kanë në qendër të vëmendjes njeriun dhe natyrën’’ u shpreh kryeministri Kurti.
Ai tha se përveç Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, janë edhe Ministria e Zhvillimit Rajonal, si dhe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, të cilat, në bashkëpunim horizontal me ministritë tjera, dhe me bashkëpunim vertikal e direkt me pushtetin lokal janë duke ndërtuar politika e duke realizuar projekte që sigurojnë një zhvillim të qëndrueshëm dhe rrisin cilësinë e jetesës.
Në këtë drejtim, bashkëpunimi me akademinë, me universitetet, me fakultetet, me institutet e hulumtimit është jashtëzakonisht i rëndësishëm, theksoi kryeministri, duke shtuar se ai nuk është vetëm synim i yni i njëanshëm, por është i domosdoshëm për të ndërtuar një të sotme stabile dhe një të ardhme të qëndrueshme dhe prosperuese, për të gjithë.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
I nderuari, z. Christopher Hyland;
I nderuari President i Federatës Panshqiptare VATRA, z. Elmi Berisha;
I nderuari, President i Rrjetit të Bizneseve të Diasporës, z. Nazar Mehmeti;
I nderuari President i Universitetit për Biznes dhe Teknologji, profesor Edmond Hajrizi;
I nderuari, President i AESOP, z. Thomas Dillinger;
I nderuari, Përfaqësues i GiZ-it gjerman, z. Mark Barrett;
I nderuari profesor, Jorge Manuel Calico Lopes De Brito;
I nderuar nënkryetar i komunës së Prishtinës, z.Alban Zogaj,
I nderuari deputet i Kuvendit të Republikës, z.Besnik Tahiri,
Të nderuar përfaqësues të komunave të Kosovës, të institucioneve të Republikës,
Të dashur student, zonja dhe zotërinj,
Të nderuar të pranishëm,
Është nder për mua që të jem sot para jush në prag të 15-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe të marr pjesë në këtë konferencë të rëndësishme për të diskutuar, në frymë shkencore e profesionale, për të ardhmen e qëndrueshme të qyteteve tona, dhe për të ardhmen e qëndrueshme të shoqërisë sonë.
Qytetet dhe ambientet në të cilat jetojmë, janë produkt konkret i mendjes dhe i dorës së njeriut.
Urbanizmi i Ri, me premisat e tij për të ndërtuar Qytete më të qasshme; më të jetueshme; më funksionale e me më shumë vlera estetike; më të sigurta, miqësore ndaj këmbësorëve e biçiklistëve, hapësira publike më kreative e më të gjalla, – është ndër përpjekjet bashkëkohore për të ndërtuar qytete që kanë në qendër të vëmendjes njeriun dhe natyrën. As natyrën pa njeriun dhe as njeriun pa natyrën, po të dyjat bashkë e jo në kurriz të njëra tjetrës.
Përveç Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, janë edhe Ministria e Zhvillimit Rajonal, si dhe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, të cilat në bashkëpunim horizontal me ministritë tjera, dhe me bashkëpunim vertikal e direkt me pushtetin lokal janë duke ndërtuar politika e duke realizuar projekte që sigurojnë një zhvillim të qëndrueshëm dhe e rrisin cilësinë e jetesës.
Më lejoni që të ndaj me ju një pasqyrë të gjendjes aktuale, veprimet e deritanishme dhe kahjen e orientimit të Qeverisë sonë:
Ja po na bashkëngjitet edhe Jim Xhema. Mirëserdhe i nderuari Jim Xhema. Është kënaqësi dhe nder që ju kemi sot në mesin tonë. Jim Xhema është një prej atyre veprimtarëve të shquar të çështjes kombëtare të Kosovës në mërgatë, i cili ka punuar tejet shumë e për të cilin është folur tejet pak. Andaj i kemi shumë borxh, por më lejoni që në emër të të gjithë juve ta përshëndes përzemërsisht.
Në 35 komuna të Kosovës apo 92% të komunave tashmë e kemi të përfunduar apo miratuar Planin Zhvillimor Komunal si dokumentin më të rëndësishëm strategjik e zhvillimor të nivelit lokal. Pjesa tjetër janë në përfundim të procesit të hartimit dhe miratimit të këtij dokumenti.
Sa i përket dokumentit tjetër me rëndësi që është Harta Zonale Komunale, gjithsej 8 komuna nga 38 apo 21% tashmë e kanë miratuar Hartën Zonale Komunale; 24 komuna të Kosovës janë në hartim e sipër të këtij dokumenti të rëndësishëm, ndërkaq vetëm 6 komuna tjera ende nuk e kanë filluar procesin.
Përmes Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, jemi duke bërë lehtësira për të përshpejtuar procesin, veçanërisht përmes thjeshtimit të procedurave të mbikëqyrjes dhe dhënies së pëlqimeve të nevojshme. Digjitalizimi i tërë këtij procesi është një komponentë e rëndësishme, të cilën synojmë ta arrijmë deri në mes të vitit 2024.
Kur jemi tek digjitalizimi, po ashtu nëpërmjet Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, kemi kompletuar dhe përditësuar Databazën Kombëtare Gjeohapësinore, ndërkaq synojmë që deri në fund të vitit 2024 të gjitha komunat e Kosovës t’i kenë të krijuara dhe të kompletuara databazat gjeo-hapësinore lokale. Për këtë qëllim tashmë janë ndarë 400,000 Euro.
Qeveria ka miratuar edhe vendimin për hartimin e Planit të ri Hapësinor të Kosovës, i cili do të reflektojë edhe vizionin tonë për zhvillim të qëndrueshëm, koheziv e të balancuar. Ky vizion dhe ky orientim strategjik i yni, do të reflektojë edhe në dokumentet tjera strategjike si në nivelin qendror ashtu edhe në atë lokal.
Aktualisht jemi duke punuar në përpilimin e hartave të rrezikut nga përmbytjet dhe hartave të rrezikshmërisë së përmbytjeve. Finalizimi i tyre do t’ju ndihmojë qyteteve tona të parandalojnë dëmet e mëdha nga vërshimet, si dhe të menaxhojnë krizat dhe emergjencat potenciale më lehtë e më mirë.
Në kuadër të Ri-strukturimit të Institutit për Planifikim Hapësinor do të theksohet edhe më shumë komponenta urbane. Do të rritet kapaciteti dhe aftësia planifikuese e menaxhuese e Institutit dhe do të shtohen mekanizmat dhe resurset e nevojshme për përkrahje të nivelit lokal në fushën e planifikimit dhe zhvillimit të qëndrueshëm urban, meqenëse nuk mund të kemi shtet të suksesshëm pa i pasur të tilla edhe komunat e Republikës.
Më tej, përveç projektit ambicioz për hekurudhën Durrës-Prishtinë, dhe ndërtimit të portit të thatë të Durrësit në Prishtinë, rrugës Prizren-Tetovë dhe asaj Pejë-Rozhajë, me të cilat do t’i forcojmë lidhjen e komunikimin me të tri shtetet, jemi të vendosur që të përfundojmë edhe projekte të tjera madhore brenda Kosovës. Me mbi 60 milionë euro të ndarë vetëm për vitin 2023 synojmë t’i vazhdojmë punimet e t’i përfundojmë pjesën më të madhe të tyre në Autostradën e Gjilanit, rrugën Prishtinë-Podujevë, Dollc-Gjakovë, Kievë-Zahaq dhe Prishtinë-Mitrovicë. I gjithë ky investim do të ketë një ndikim direkt në lehtësimin e qarkullimit të njerëzve dhe mallrave, dhe rrjedhimisht edhe në zhvillimin e qëndrueshëm.
Përveç miratimit të Strategjisë për Ndryshimet Klimatike, kemi miratuar edhe propozim-vendimin për themelimin e Këshillit Kombëtar për Ndryshime Klimatike.
Gjithashtu, kemi miratuar programin e projektit Flows, projekt tejet i rëndësishëm për zvogëlimin e humbjeve në rrjet dhe zhvillimin e digave në Kosovë.
Tashmë ka përfunduar studimi i fizibilitetit për projektin e banueshëm e të përballueshëm.
Bashkë me krijimin e databazës për energji solare, kemi siguruar lokacionin për një prej projekteve më të mëdha të energjisë diellore në Evropë, “Solar4Kosovo”. Ky investim me vlerë 64 milionë euro parashihet t’i shtojë sistemit të ngrohjes së Prishtinës rreth 70 MW kapacitet, nga i cili do të përfitojnë rreth 60 mijë banorë.
Kemi përfituar më shumë se 100 milionë euro grante nga Bashkimi Evropian dhe Gjermania për trajtimin e ujërave të zeza dhe menaxhimin e mbeturinave. Të dy projekte do të kontribuojnë në mbrojtjen e mjedisit sipas standardeve mjedisore të Bashkimit Evropian, me qëllim të zgjidhjes së problemit të menaxhimit të mbeturinave të ngurta dhe ujërave të zeza me të cilat po ballafaqohet Kosova.
Bashkë me përfundimin e procesit të identifikimit të deponive ilegale në Komunat e Kosovës, është përfunduar edhe aplikacioni i Sistemit Informativ të Mbeturinave.
Kemi përfunduar dhe publikuar dokumentin “Tipologjia dhe Performanca Energjetike e Ndërtesave të Banimit në Republikën e Kosovës” në mënyrë që ta rrisim efiçiencën dhe kursimin e energjisë në Kosovë e posaçërisht të asaj elektrike. Pra jetesa dhe banesa janë gjithashtu në fokus të të gjitha këtyre projekteve zhvillimore që ne i bëjmë, në mënyrë që edhe ato të mos jenë në kurriz të njëra tjetrës, por të jenë shtylla të ekosistemit të zhvillimit dhe progresit tonë.
Përmes Grantit të Performancës, si dhe Grantit për Komuna të Pastërta, po vazhdojmë përkrahjen për rritjen e transparencës- si komponentë e rëndësishme e qeverisjes lokale, dhe rritjen e vetëdijesimit dhe ndërgjegjësimit ndaj mjedisit- si komponentë po ashtu e rëndësishme e zhvillimit të qëndrueshëm, në harmoni me natyrën e jo kundër saj.
E krahas punëve dhe planeve tona si Qeveri, bashkëpunimi me akademinë, me universitetet, me fakultetet, me institutet e hulumtimit është jashtëzakonisht i rëndësishëm. Ai nuk është vetëm synim i yni i njëanshëm. Por është domosdoshmëri për të ndërtuar një të sotme stabile dhe një të ardhme të qëndrueshme dhe prosperuese, për të gjithë. Prandaj edhe jemi sot dhe jo vetëm sot këtu me juve.
Ju Faleminderit.
Last modified: 15 Shkurt, 2023