Prishtinë, 11 shtator 2024
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mbrëmë mori pjesë në ceremoninë e hapjes së edicionit të 16-të të Festivalit “PriFest”.
Kryeministri tha se ishte nder i madh që ishte pjesëmarrës në këtë ngjarje të jashtëzakonshme kulturore, duke cilësuar se “PriFest” është bërë një ndër zhvillimet më të rëndësishme të kulturës në Kosovën e pasluftës dhe se ky sukses është fryt i përkushtimit dhe i vizionit të atyre që e organizojnë, por edhe neve që marrim pjesë.
E në këtë natë të veçantë të këtij festivali, ai tha se duhet ta kujtojmë e përkujtojmë kontributin, angazhimin dhe përkushtimin e artistes e regjisores së madhe Vjosa Berisha.
Në fjalën e tij, kryeministri Kurti përmendi mbështetjen e qeverisë për të ndihmuar institucionet kulturore, duke theksuar se mbështetja për filmin sot në Kosovë është më e madhe se kurrë. “Kemi realizuar reformën më të madhe legjislative në kulturë; kemi finalizuar marrëveshjen ndërministrore për bashkëprodhime kinematografike me Francën dhe me Izraelin, jemi në prag të nënshkrimit me Bullgarinë, e në konsultime me Zvicrën dhe Austrinë. Filmi është shpallur interes shtetëror dhe brenda ditësh hyn në fuqi edhe incentiva prej 30% e rabatit – një hap që do të sjellë një epokë të re për industrinë tonë të filmit”, tha ai.
Po ashtu, kryeministri tha se mbështetja nga Ministria e Kulturës për skenën e pavarur është shumëfish dukshëm më lartë sesa më herët gjatë këtyre tre viteve të fundit dhe këtë vit, në mesin e organizatave që për herë të parë gëzojnë mbështetje trevjeçare, janë tre festivale të filmit që tashmë janë etabluar si institucione në vete, e një prej tyre është “PriFilmFesti”. Kjo rikonfirmon angazhimin e qeverisë për t’i qëndruar afër skenës së pavarur kulturore, aty ku ziejnë, kultivohen dhe ngritën talentet dhe të cilën ne e shohim si partnere të zhvillimit të mëtutjeshëm cilësor të artit në përpjekjen e përhershme për ta bërë artin kulturë dhe kulturën sa më artistike.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
E nderuar znj. Saranda Bogujevci, nënkryetare e Kuvendit të Republikës së Kosovës,
Të nderuara ministre Haxhiu e Nagavci,
I nderuar Kryetar i Prishtinës, Përparim Rama,
I nderuari Fatos Berisha, drejtor i Festivalit “ PriFest”,
Të nderuar përfaqësues e drejtues të institucioneve tona kulturore,
Të nderuar artistë dhe artdashës,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,
Është një nder i madh të jem sonte këtu me juve për të festuar këtë ngjarje të jashtëzakonshme kulturore! “PriFest” është bërë një ndër zhvillimet më të rëndësishme të kulturës në Kosovën e pasluftës. Ky sukses është fryt i përkushtimit dhe i vizionit të atyre që e organizojnë dhe juve, neve që marrim pjesë. Padyshim se kontributin, angazhimin dhe përkushtimin e artistes, regjisores së madhe Vjosa Berisha, duhet ta kujtojmë e përkujtojmë sa herë që mblidhemi për “PriFest”. Mungesa e saj vazhdon dhe rritet porsi “PriFest-i”.
Mbështetja për filmin sot në Kosovë është më e madhe se kurrë. Kemi realizuar reformën më të madhe legjislative në kulturë; kemi finalizuar marrëveshjen ndërministrore për bashkëprodhime kinematografike me Francën dhe me Izraelin, jemi në prag të nënshkrimit me Bullgarinë, e në konsultime me Zvicrën dhe Austrinë. Filmi është shpallur interes shtetëror dhe brenda ditësh hyn në fuqi edhe incentiva prej 30% e rabatit – një hap që do të sjellë një epokë të re për industrinë tonë të filmit.
Sivjet, nga Qendra Kinematografike e Kosovës janë përkrahur plot 35 projekte filmike në shumën e gjithmbarshme prej 1.4 milionë euro. Është duke u punuar në përmirësimin e kushteve infrastrukturore të kinemave publike, me fillim në kinemanë “Jusuf Gërvalla” në Pejë, “Lumbardhi” në Prizren si dhe këtu “Armata” në Prishtinë. Janë mbështetur shtatë filmbërës të rinj për të ndjekur studimet në shkollën e filmit FAMU në Pragë. Mbështetja nga Ministria e Kulturës për skenën e pavarur është shumëfish dukshëm më e lartë sesa më herët gjatë këtyre tri viteve të fundit. E këtë vit, në mesin e organizatave që për herë të parë gëzojnë mbështetje trevjeçare, janë tre festivale të filmit që tashmë janë etabluar si institucione në vete. PriFilmFesti është sigurisht njëri prej tyre. Kjo rikonfirmon angazhimin e qeverisë për t’i qëndruar afër skenës së pavarur kulturore, aty ku ziejnë, kultivohen dhe ngritën talentet dhe të cilën ne e shohim si partnere të zhvillimit të mëtutjeshëm cilësor të artit në përpjekjen e përhershme për ta bërë artin kulturë dhe kulturën sa më artistike. E sonte meqë mora vesh do ta kemi edhe filmin më të ri të regjisorit tonë të mirënjohur Isa Qosja, i cili na e sjellë filmin “Lejleku”, e për më shumë se një orë e gjysmë do ta shohim se çka na sjellë “Lejleku”.
“PriFest” është dëshmi e fuqisë së artit dhe kinemasë në Kosovë. Unë filmin nuk e shoh pa kinema jo vetëm anasjelltas. Andaj, uroj një festival të suksesshëm për të gjithë!
Dhe, ju falënderoj shumë për vëmendjen e pjesëmarrjen.
Last modified: 11 Shtator, 2024