Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti mori pjesë në Akademinë Solemne për “Ditët e Bogdanit 2023”, në Qendrën “BogdaniPolis”

6 Dhjetor, 2023

 

Prishtinë, 6 dhjetor 2023

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në Akademinë Solemne për “Ditët e Bogdanit 2023”, e cila u mbajt në Qendrën “BogdaniPolis”, në Prishtinë.

Duke folur për veprën e Pjetër Bogdanit, Kryeministri Kurti tha se në vitin 1685, Bogdani e kishte botuar në Padova të Italisë, librin “Çeta e profetëve”, e cilësuar tashmë si vepër e parë origjinale e shkruar në gjuhën shqipe.

Kryeministri Kurti vlerësoi se vepra dhe jeta e Pjetër Bogdanit, ka tërhequr vëmendjen e shumë studiuesve, nga Gjon Nikoll Kazazi te Justin Rrota, Shtjefën Gjeçovi, Faik Konica, Injac Zamputti, Eqrem Çabej, Vili Kamsi, Dhimitër Shuteriqi dhe Shaban Demiraj, e deri te Anila Omari, Evalda Paci e Luigj Marlekaj.

“Fjalët për veprën dhe personalitetin e Pjetër Bogdanit, u takojnë studiuesve kompetentë të fushave përkatëse të historisë, gjuhësisë e të teologjisë. Ne të tjerëve, na mjafton që emri i Pjetër Bogdanit na bashkon çdo vit në Ditët e Bogdanit, sikur sivjet për të kujtuar Lazër Mjedën, një tjetër klerik katolik të shquar shqiptar, që përtej punës së tij prej kleriku, kreu dhe shumë aktivitete patriotike”, tha kryeministri Kurti.

Në përfundim, kryeministri uroi të pranishmit në Ditët e Bogdanit, për shumë shëndet dhe të mbara, në çdo përpjekje për të mirën publike të shoqërisë sonë, për paqe dhe përparim dhe për Republikën e Kosovës.

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:

I nderuari Imzot Dodë Gjergji, Ipeshkv i Ipeshkvisë së Kosovës,
I nderuari z. Skënder Hasani, Drejtor i Institutit për Trashëgimi Shpirtërore dhe Kulturore të shqiptarëve në Shkup,
I nderuari Arqipeshkv nga Tivari, Don Zef Gashi,
Zonja dhe zotërinj,
Të nderuar deputetë, drejtues e përfaqësues të institucioneve të Kosovës,
Të nderuar besimtarë, qytetarë, zyrtarë,
Të nderuar të pranishëm,

Teksa kalojnë ditët e dhjetorit dhe po i afrohemi festës së Krishtlindjes dhe Vitit të Ri për të cilat tashmë kanë nisur përgatitjet, jemi mbledhur sonte këtu në Qendrën BogdaniPolis në Prishtinë, në këtë akademi solemne për Ditët e Bogdanit.

Këtë 6 dhjetor, u bënë 334 vjet nga vdekja e Pjetër Bogdanit, teologut dhe shkrimtarit të shquar arbën, i cili vdiq nga murtaja pikërisht këtu në Prishtinë. Pjetër Bogdani vdiq në një kohë kur po u printe mijëra kryengritësve vendas në luftërat austro – osmane në fundshekull të XVII. Vetëm katër vite më parë, më 1685, Bogdani e kishte botuar në Padova të Italisë, librin “Çeta e profetëve”, e cilësuar tashmë si vepër e parë origjinale e shkruar në gjuhën shqipe.

Në një raport të datës 1 janar 1684, që Pjetër Bogdani ia kishte dërguar Kurisë Papnore në Romë, e në të cilin ai e njoftonte Selinë e Shenjtë për gjendjen në Kosovë, ndër të tjera ai ka shkruar, po citoj: “Nëpër Kosovë, janë edhe këto vende: Prishtina, e cila nuk ka kështjellë dhe s’është e rrethuar me mure, por është një vend i banuar me rreth 3000 shtëpi”, mbaron citati.

Njësoj sikur atëherë, Prishtina edhe sot nuk ka kështjellë dhe nuk është e rrethuar me mure, por 339 vite pas prej kur Bogdani shkroi kështu për të, numri i shtëpive në Prishtinë është shumë më i madh se aq në secilën lagje të saj, teksa Prishtina sot është kryeqyteti i Kosovës, kryeqendra e Republikës tonë demokratike, ku tashmë çdo vit shënohen Ditët e Bogdanit.

Ndër kohëra, vepra dhe jeta e Pjetër Bogdanit, këtij kleriku katolik, teologu, filozofi dhe patrioti të shquar, ka tërhequr vëmendjen e shumë studiuesve. Nga Gjon Nikoll Kazazi te Justin Rrota, Shtjefën Gjeçovi, Faik Konica, Injac Zamputti, Eqrem Çabej, Vili Kamsi, Dhimitër Shuteriqi dhe Shaban Demiraj, e deri te Anila Omari, Evalda Paci e Luigj Marlekaj.

Fjalët për veprën dhe personalitetin e Pjetër Bogdanit, u takojnë studiuesve kompetentë të fushave përkatëse të historisë, gjuhësisë e të teologjisë. Ne të tjerëve, na mjafton që emri i Pjetër Bogdanit na bashkon çdo vit në Ditët e Bogdanit, sikur sivjet për të kujtuar Lazër Mjedën, një tjetër klerik katolik të shquar shqiptar, që përtej punës së tij prej kleriku, kreu dhe shumë aktivitete patriotike.

Për angazhimin e tij patriotik, Lazër Mjeda u përndoq dhe u burgos nga autoritetet okupatore serbe, meqë ai kishte denoncuar me raport krimet e ushtrisë serbe mbi popullatën shqiptare në Kosovë, gjatë Luftës së Parë Ballkanike, raporte këto me të cilat u shërbye edhe austriaku Leo Freundlich, për veprën e tij aq me vlerë: “Golgota shqiptare”.

Të nderuar të pranishëm, më lejoni që si Kryeministër i Republikës së Kosovës, në këto Ditët e Bogdanit, sonte t’iu uroj shumë shëndet dhe të mbara, në çdo përpjekje tuaj për të mirën publike të shoqërisë sonë, për paqe dhe përparim dhe për Republikën e Kosovës.

Ju faleminderit!

Last modified: 6 Dhjetor, 2023

Comments are closed.