Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti mori pjesë në Akademinë Përkujtimore në 40-vjetorin e rënies së heroit Zijah Shemsiu

5 Maj, 2025

 


Prishtinë, 5 maj 2025

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në Akademinë Përkujtimore me rastin e shënimit të 40-vjetorit të rënies së veprimtarit të shquar politik, Zijah Shemsiu, e organizuar nga Shoqëria “Lëvizja” dhe Shoqata e të burgosurve politikë.

Zijah Shemsiu u vra nga torturat e autoriteteve jugosllave të sigurimit, siç ishte vrarë 21 vite më parë në burgun e Prishtinës, Fazli Greiçevci. Ata e paguan me jetën e tyre veprimtarinë e tyre politike dhe angazhimin e tyre për realizimin e vullnetit politik të shqiptarëve të shtypur nën Jugosllavi. Zijah Shemsiu vdiq në një kohë kur thirrja “Kosova Republikë” ishte një parullë popullore, kurse sot, 40 vjet më pas, katër dekada më vonë, ai po kujtohet në Republikën e Kosovës, kur kjo parullë tashmë është realitet politik.” u shpreh kryeministri Kurti në fjalën e tij.

I njohur me nofkën Sefa, Zijah Shemsiu ishte mes organizatorëve të aktiviteteve mbështetëse ndaj atyre në Kosovë, sikur që ishte demonstrata e 11 prillit 1981 në kryeqytetin zviceran, Bern. Zijahu shpërndante trakte dhe shtypin e organizatave të fshehta politike, sikurse gazetat “Zëri i Kosovës”, “Liria” dhe “Lajmëtari i lirisë”. Shumë aktiv në diasporën politike shqiptare, Zijah Shemsiu kontribuoi në krijimin e klubeve shqiptare si klubi “Asim Vokshi” në Lozanë dhe klubi “Igballe Prishtina” në Gjenevë.


Kryeministri kujtoi rolin e Zijah Shemsiut dhe bashkëveprimtarëve, aktivizmin e tyre politik dhe hartimin, shkrimin dhe nënshkrimin eletrës të titulluar “Ngjarjet në Kosovë nuk janë kundërrevolucion”. 

Kjo letër proteste i drejtohej Kryesisë së Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë dhe kishte për qëllim t’i sqaronte shkaqet, arsyet dhe rrethanat e karakterin e vërtetë të demonstratave të vitit 1981. Në të vërtetë ajo nuk ishte thjesht një letër burgu dhe as një pamflet, por një traktat politik i mbushur me argumente logjike e shkencore dhe teorizime sociale e politike.” u shpreh kryeministri.

E kujtojmë bashkë me shokët e bashkëveprimtarët e tij, shumë prej të cilëve janë edhe këtu sot mes nesh, meqënëse politika pa historinë nuk është gjë tjetër përveçse përhumbje: pa kohë dhe pa themele, pa ide e pa kuptim. Lavdi Zijah Shemsiut, mes mirënjohjesh e nderimesh për brezin e demonstratave të viteve 1968 dhe 1981, si dhe ndër të gjithë ata që janë angazhuar në pafund mënyra për jetësimin e vullnetit politik të shqiptarëve.” përfundoi fjalën e tij kryeministri Kurti.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

E nderuara familje Shemsiu,

Të nderuar ish të burgosur politikë të të gjitha gjeneratave,

Të nderuar shokë dhe bashkëveprimtarë të Zijah Shemsiut,

I nderuari z. Shefki Sadiku, kryetar i Shoqatës së ish të burgosurve politikë të Kosovës,


I nderuari z. Xhavit Jashari, Kryetar i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve,


I nderuari z. Xhevat Bislimi, Kryetar i Shoqërisë “Lëvizja”,

Të nderuar përfaqësues të institucioneve shtetërore, profesorë e studentë, veprimtarë të çështjes kombëtare,

Të nderuar të pranishëm,

Zonja dhe zotërinj,

Motra dhe vëllezër,

Historia politike e Kosovës, ka kapituj të tërë të cilët mund të lexohen dhe të njihen pothuajse të plotë përmes profileve biografike të disa prej veprimtarëve më të shquar të saj. I tillë është veçanërisht kapitulli i përpjekjes së shqiptarëve të Kosovës për avancimin e të drejtave të tyre politike në ish Jugosllavi, për Republikë të Kosovës dhe për bashkim me Shqipërinë. Ky kapitull mund të lexohet te biografia e Adem Demaçit dhe Fazli Greiçevcit, apo te biografia e Rexhep Malajt dhe Nuhi Berishës, siç mund të lexohet te biografia e Zijah Shemsiut, për të cilin jemi bërë bashkë sot këtu, në këtë akademi përkujtimore, me rastin e 40-vjetorit të rënies së tij, përkatësisht të mbytjes nën tortura në Beograd.

I lindur në Përlepnicë më 1 korrik të vitit 1950, Zijah Shemsiu u aktivizua politikisht qysh si normalist në demonstratat e vitit 1968, pas të cilave migroi në Zvicër. Atje, Zijahu iu bashkua organizatës së fshehtë politike duke u lidhur fort me veprimtarin Kadri Zeka. Kur në mars dhe prill të vitit 1981 shpërthyen protestat studentore që u shndërruan në demonstrata gjithëpopullore, Zijah Shemsiu u angazhua për mbështetjen e tyre, bashkë me Hasan Malajn, Kadri Abdullahun, Kadri Zekën, Zahir Kamberin, Saime Isufin dhe shokë e shoqe të tjera.

Tashmë i njohur me nofkën Sefa, Zijah Shemsiu ishte mes organizatorëve të aktiviteteve mbështetëse ndaj atyre në Kosovë, sikur që ishte demonstrata e 11 prillit 1981 në kryeqytetin zviceran, Bern. Zijahu shpërndante trakte dhe shtypin e organizatave të fshehta politike, sikurse gazetat “Zëri i Kosovës”, “Liria” dhe “Lajmëtari i lirisë”. Shumë aktiv në diasporën politike shqiptare, Zijah Shemsiu kontribuoi në krijimin e klubeve shqiptare si klubi “Asim Vokshi” në Lozanë dhe klubi “Igballe Prishtina” në Gjenevë.

Pas demonstratave të vitit 1981, mes organizatave të fshehta politike u shtuan zërat për nevojën e organizimeve të armatosura, krahas atyre politike. Ashtu siç kishte shpërndarë trakte e gazeta, tani Zijah Shemsiu u angazhua në grumbullim dhe shpërndarje të armatimeve. Kësisoj, rrugës për të hyrë në Kosovë, të pajisur me armë, municione, bomba dhe shumë kopje të gazetës “Zëri i Kosovës”, më 9 tetor 1983, Zijah Shemsiu bashkë me Sami Kurteshin, u arrestuan dhe u burgosën. Pak më ditë më pas, policia e arrestoi edhe babain dhe tre vëllezërit e Zijahut: Hasanin, Fetahun dhe Shabanin.

Pasi iu nënshtruan hetimeve nën tortura për rreth tetë muaj, të gjykuar nga Gjykata e Qarkut në Beograd, më 24 maj të vitit 1984, Taip Zekën e dënuan me 5 vite burgim, vëllezërit e Zijahut, Fetahun 5 vite, ndërkaq Hasanin dhe Shabanin me nga 4 vite burgosje, kurse verdikti i rastit e dënoi Zijah Shemsiun me 13 vjet burgim, kurse Sami Kurteshin me 9 vjet burgim.

Pak kohë më pas, Zijah Shemsiun e dërguan në një qeli me katër të burgosur politikë të tjerë: Ali Lajçin, Hydajet Hysenin, Gani Kocin dhe Bajram Kosumin. Pikërisht në atë qeli në Burgun Qendror në Beograd apo CZ, siç njihej me shkurtesë famëkeqe, saktësisht më 8 mars 1985, këta pesë të burgosur e hartuan, e shkruan dhe nënshkruan letrën e gjatë të titulluar “Ngjarjet në Kosovë nuk janë kundërrevolucion”. 

Kjo letër proteste i drejtohej Kryesisë së Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë dhe kishte për qëllim t’i sqaronte shkaqet, arsyet dhe rrethanat e karakterin e vërtetë të demonstratave të vitit 1981. Në të vërtetë ajo nuk ishte thjesht një letër burgu dhe as një pamflet, por një traktat politik i mbushur me argumente logjike e shkencore dhe teorizime sociale e politike. Letra “Ngjarjet në Kosovë nuk janë kundërrevolucion” u botua si libër nga redaksia e gazetës “Zëri i Kosovës” në Zvicër, një vit më pas, pra në vitin 1986, kurse së fundmi ai është rishtypur edhe në këtë format xhepi, të cilën kopjen e dytë e mora nga veprimtari Agim Sylejmani.

E ndër të tjera, te kjo letër, sqarohet që, po citoj: “Shkaqet e vërteta të ngjarjeve në Kosovë, duhet të kërkohen në radhë të parë në gjendjen e përgjithshme të rëndë (dhe në shumë aspekte në keqësim të vazhdueshëm) në të cilën ndodhet Kosova dhe populli i saj. Një gjendje e tillë krijonte në masa (dhe s’kishte se si të mos krijonte) një pakënaqësi të përgjithshme eksplozive. Mjaftonte një shkëndi e vogël që kjo pakënaqësi të shpërthejë dhe të marrë zjarr tërë Kosova, dhe kështu ndodhi.” mbaron citati. 

Te kjo letër, të cilën unë ua rekomandoj që ta lexojnë, përkatësisht rilexojnë të gjithë ata të cilët duan ta njohin thelbin e shkaqeve dhe të kontekstit politik e shoqëror që çoi në demonstratat e vitit 1981, do ta gjeni vizionin politik, platformën kombëtare, të një brezi të tërë aktivistësh politikë, shumë prej të cilëve do të luanin rol tejet të rëndësishëm si në çlirimin ashtu edhe në shtetndërtimin e Kosovës.

Kur e shkruajtën atë letër, Hydajet Hyseni ishte i dënuar me 15 vjet burg, Zijah Shemsiu me 13 vjet, Bajram Kosumi me 15 vjet, Ali Lajçi me 15 vjet burg dhe Gani Koci gjithashtu me 15 vjet burg. Ata po i vuanin dënimet në burgun me sigurinë më të lartë në ish Jugosllavi dhe vështirë se mund ta kenë përfytyruar që përveç Zijahut që do të vritej, të katër të tjerët do të ishin nënshkrues të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008: edhe Hydajeti e Aliu, edhe Ganiu e Bajrami.

Por para se ta dorëzonin letrën në fjalë, Zijah Shemsiu e kopjoi atë të tërë në një letër tualeti dhe e fshehu në rrobat e tij. Vetëm pak kohë më pas, ai u transferua në një tjetër qeli, ku nga torturat cnjërëzore edhe vdiq. Zijah Shemsiu u varros më 5 maj 1985, pra saktësisht 40 vite më parë. Kur autoritetet e burgut dhe të policisë e sollën trupin e Zijah Shemsiut te familja e tij, i sollën edhe sendet personale dhe rrobat, pa e ditur se në ato rroba ishte kamufluar rrotulla e letrës ku Zijah Shemsiu e kishte kopjuar letrën që ia mori edhe jetën “Ngjarjet në Kosovë nuk janë kundërrevolucion”.

Zijah Shemsiu u vra nga torturat e autoriteteve jugosllave të sigurimit, siç ishte vrarë 21 vite më parë në burgun e Prishtinës, Fazli Greiçevci. Ata e paguan me jetën e tyre veprimtarinë e tyre politike dhe angazhimin e tyre për realizimin e vullnetit politik të shqiptarëve të shtypur nën Jugosllavi. Zijah Shemsiu vdiq në një kohë kur thirrja “Kosova Republikë” ishte një parullë popullore, kurse sot, 40 vjet më pas, katër dekada më vonë, ai po kujtohet në Republikën e Kosovës, kur kjo parullë tashmë është realitet politik. E kujtojmë bashkë me shokët e bashkëveprimtarët e tij, shumë prej të cilëve janë edhe këtu sot mes nesh, meqënëse politika pa historinë nuk është gjë tjetër përveçse përhumbje: pa kohë dhe pa themele, pa ide e pa kuptim.

Lavdi Zijah Shemsiut, mes mirënjohjesh e nderimesh për brezin e demonstratave të viteve 1968 dhe 1981, si dhe ndër të gjithë ata që janë angazhuar në pafund mënyra për jetësimin e vullnetit politik të shqiptarëve.

Ju faleminderit.

Last modified: 5 Maj, 2025

Comments are closed.