Prishtinë, 12 maj 2023
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ishte folës kryesor në konferencën e mbajtur sot nga Grupi i Ballkanit për Politika me temën ”Balkan Dialogues Initiative”.
Në fjalën e tij, kryeministri Kurti tha se platformat si këto janë një agora e rëndësishme, ku idetë takohen, përplasen dhe luftojnë me njëra-tjetrën për të krijuar një sintezë të ekuilibruar.
Fjalimin e tij kryeministri e nisi duke përmendur luftën në Ukrainë, nga siç tha ai agresori rus me ambicie hegjemoniste dhe ndërsa njerëzit luftojnë për të mbrojtur lirinë e tyre, koncepte të tilla si liria, uniteti dhe solidariteti duhet të bëhen veprime që drejtojnë politikën tonë të jashtme.
Kjo, siç tha ai, është arsyeja pse Kosova e ka harmonizuar politikën e saj të përbashkët të sigurisë së jashtme me atë të BE-së dhe ka aplikuar të gjitha pakot e sanksioneve ndaj Federatës Ruse. ‘’Nuk ka asnjë mospajtim nëse Kosova duhet të vendosë sanksione dhe të rreshtohet me BE-në, sepse vizioni ynë është i qartë: ne rreshtohemi me kombet paqësore, demokratike në Evropë që mishërojnë lirinë, unitetin dhe solidaritetin dhe jemi në anën e luftës çlirimtare të populli ukrainas’’, u shpreh ai.
Në konferencën e sotme, kryeministri foli edhe për aplikimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës në BE. Pas kalimit me sukses të fazës së parë të anëtarësimit në Këshillin e Evropës, tash së fundmi, raportit pozitiv për vendin të vitit të kaluar dhe vendimit të liberalizimit të vizave pas gjithë asaj vonese, kryeministri Kurti tha se Kosova po pret që të marrë edhe pyetësorin për BE, që do të konfirmonte që Kosova meriton statusin kandidat.
Sa i përket dialogut me Serbinë, ai theksoi se jemi të përkushtuar, konstruktiv dhe kreativ dhe se beson se Marrëveshja Bazike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përbën një avancim të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve, sepse bazohet në parime universale të barazisë së sovranëve, respektimit të integriteti territorial, pavarësisë, heqjen dorë nga kundërshtimet për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në organizata ndërkombëtare, shkëmbimin i misioneve diplomatike me ambasadorë, njohja e simboleve shtetërore, vulave doganore, targave dhe e pasaportave.
Në fund, ai tha se reformat e brendshme në sundimin e ligjit, progresi ekonomik dhe social, liberalizimi i vizave dhe suksesi në fazën e parë të anëtarësimit në Këshillin e Evropës, konfirmojnë se po bëjmë hapat e duhur në rrugën e duhur drejt të ardhmes Evropiane.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
Faleminderit shumë Naim dhe mirëmëngjesi të gjithëve,
Shkëlqesia juaj ambasador Jens Grondahl, ambasador i Norvegjisë në Kosovë
I nderuar z. Pierre Mirel, Drejtor i Përgjithshëm Nderi në Komisionin Evropian, këshilltar i Institutit Jacques Delors
E nderuara znj. Susanne Schutz, Drejtoreshë e Evropës Juglindore, Turqisë dhe shteteve të EFTA-s, Zyra Federale e Jashtme, Gjermani,
I nderuar z. Peter Grk, Koordinator Kombëtar për Ballkanin Perëndimor, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Evropiane, Slloveni
Të nderuar ambasadorë,
Të nderuar mysafirë,
Faleminderit për ftesën tuaj dhe faleminderit BPRG-së, BFPE-së dhe Këshillit Atlantik për organizimin e kësaj ngjarjeje. Platformat si këto janë një Agorë e rëndësishme, ku idetë takohen, përplasen dhe ballafaqohen me njëra-tjetrën për të krijuar një sintezë të ekuilibruar.
Ndërsa historia shkëlqen para syve tanë, ndërsa në kontinentin tonë zhvillohet një luftë, nga një agresor me ambicie hegjemoniste dhe ndërsa njerëzit luftojnë për të mbrojtur lirinë e tyre, koncepte të tilla si liria, uniteti dhe solidariteti duhet të bëhen veprime që drejtojnë politikën tonë të jashtme. Kjo është arsyeja pse Kosova ka harmonizuar politikën e saj të përbashkët të sigurisë së jashtme me atë të BE-së dhe ka aplikuar të gjitha pakot e sanksioneve ndaj Federatës Ruse. Nuk ka asnjë mosmarrëveshje nëse Kosova duhet të vendosë sanksione dhe të rreshtohet me BE-në, sepse vizioni ynë është i qartë: ne rreshtohemi fort me kombet paqësore, demokratike në Evropë që mishërojnë lirinë, unitetin dhe solidaritetin dhe jemi në anën e luftës çlirimtare të popullit ukrainas.
Kjo është arsyeja pse më 12 maj të vitit të kaluar kemi aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe më 15 dhjetor kemi aplikuar për anëtarësim në BE. Më 24 prill vendi ynë siguroi mbi 2/3 e votave në Komitetin e Ministrave, duke kaluar kështu fazën e parë të aplikimit tonë. Si vendi i fundit demokratik në kontinent që nuk është pjesë e Këshillit të Evropës, dhe në të njëjtën kohë si një vend me një kornizë të gjerë kushtetuese që u jep të drejta pakicave, Kosova është e gatshme të bëhet anëtare e plotë e KiE-së dhe flamuri i saj të valëvitë në Strasburg. Anëtarësimi ynë në Këshillin e Evropës do t’u jepte mundësi të gjithë qytetarëve të Kosovës, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike, të kërkojnë drejtësi në gjykatën më të lartë evropiane për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Për liberalizimin e vizave muajin e kaluar, më 19 prill, Presidenti i Parlamentit Evropian miratoi edhe vendimin e vonuar për liberalizimin e vizave për qytetarët kosovarë. Që nga fillimi i janarit 2024, poseduesit e pasaportave kosovare do të mund të udhëtojnë lirshëm në 32 vende të tjera evropiane. Kjo do të shpijë në forcimin e më shumë lidhjeve, ndërtimin e më shumë besimit dhe eksplorimin e më shumë mundësive.
Sa i përket anëtarësimit në BE, pas një raporti pozitiv të vendit vitin e kaluar dhe përfundimit të procesit të liberalizimit të vizave, ne mezi presim të marrim pyetësorin i cili besojmë se do të konfirmojë se ne e meritojmë statusin e kandidatit. Në të vërtetë, gatishmëria e Kosovës për anëtarësim në BE u përforcua vetëm këtë javë me raportin e Parlamentit Evropian për progresin tonë. Në atë raport, Parlamenti shprehimisht përshëndeti kërkesën e Kosovës për anëtarësim dhe ritheksoi mbështetjen e tij të plotë për anëtarësimin tonë në Këshillin e Evropës. Raporti gjithashtu përgëzoi përparimin e Kosovës në forcimin e demokracisë dhe sundimit të ligjit. Dhe vlerësoi Kosovën si një nga liderët në të gjithë rajonin për përpjekjet tona kundër korrupsionit. Progresi ynë i shpejtë në këto fusha është konfirmuar edhe nga organizata të shumta ndërkombëtare, një fakt i theksuar edhe në raportin e Parlamentit Evropian. Për shembull, pozita e Kosovës është përmirësuar me 20 vende gjatë dy viteve të fundit në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International dhe me 22 vende në Indeksin e Lirisë së Medias të Reporterëve pa Kufij. Projekti botëror për drejtësi përsëri e renditi Kosovën të parën në rajon lidhur me sundimin e ligjit dhe të dytën në të gjithë botën për përmirësimin më të madh në sundimin e ligjit. Kështu, të dhënat tona tregojnë se ne kemi qenë më se të gatshëm për të bërë punën e vështirë të nevojshme për t’u anëtarësuar në BE. Ne e kuptojmë se nuk ka asnjë rrugë të shkurtër ose prapambetje për anëtarësimin. Ne jemi gati të gjykohemi thjesht për meritat tona.
E megjithatë, njëzet vjet pas Samitit të Selanikut, i cili premtoi anëtarësim për të gjithë rajonin, nuk mund të themi se dikush në Evropë apo në Ballkan është i kënaqur me përparimin e arritur drejt këtij qëllimi. Ka ardhur koha që BE-ja të ndryshojë vizionin e saj për rajonin. Ajo duhet të lidhë rrugën drejt anëtarësimit me përparimin në reformat. Nëse një vend rrëshqet në mënyrë demokratike dhe quhet kryesues për anëtarësimin në BE, ai minon të gjithë procesin e zgjerimit dhe aspektin e tij transformues që ka mbajtur gjallë frymën evropiane. Kjo është arsyeja pse fondet e BE-së duhet të lidhen me vlerat e BE-së dhe përfituesit e BE-së duhet të jenë vendet që janë në përputhje me CFSP-në, që po tregojnë përparim në sundimin e ligjit dhe vlerat që BE-ja përfaqëson.
Për bashkëpunimin rajonal, ne kemi nënshkruar tri marrëveshjet e mobilitetit si pjesë e Procesit të Berlinit dhe kemi qenë vendi i parë që e ratifikuam atë në Parlament, gjë që dëshmoi rolin tonë konstruktiv në proces. Çdo iniciativë e bashkëpunimit rajonal duhet të promovojë paqen, sigurinë dhe stabilitetin dhe ta sjellë rajonin më afër Bashkimit Evropian. Ngritja e barrikadave nuk çon në bashkëpunim rajonal, as mbështetja informale për grupet e krimit të organizuar dhe mosnjohja e dokumenteve. Bashkëpunimi rajonal duhet të bazohet në parimet e barazisë dhe duke pasur parasysh qytetarët si përfituesit përfundimtarë.
Sa i përket Dialogut me Serbinë, ne jemi të përkushtuar, konstruktiv dhe krijues. Ne besojmë se Marrëveshja Themelore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përbën një avancim të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve. Ai bazohet në parimet universale të barazisë së sovranëve, respektimit të integritetit territorial, pavarësisë, heqjes dorë nga kundërshtimet ndaj anëtarësimit të Republikës sonë në organizatat ndërkombëtare, shkëmbimit të misioneve diplomatike nëpërmjet ambasadorëve të akredituar, njohjes së simboleve shtetërore, pasaportave etj. Sa i përket të drejtave të pakicave në Kosovë, kushtetuta jonë ofron një kornizë të gjerë të të drejtave të njeriut dhe të drejta pozitive për pakicat tona.
Takimi i fundit i nivelit të lartë më 2 maj përfundoi me një notë pozitive ku bashkërisht ramë dakord për tekstin e Marrëveshjes për Personat e Zhdukur. Dimë se janë edhe 1617 persona të zhdukur dhe këtu viktima nuk janë vetëm ata që u rrëmbyen, por edhe familjet e tyre, i gjithë populli dhe shoqëria. E kemi trajtuar me urgjencë çështjen e personave të zhdukur, sepse familjet e viktimave jetojnë prej më shumë se njëzet vitesh në një gjendje ankthi traumatik.
Si përfundim, do të thoja se të gjithë hapat e fundit pozitivë, qofshin ato në reformat tona të brendshme në sundimin e ligjit dhe progresin ekonomik e social, apo në sukseset e liberalizimit të vizave dhe ofertës sonë në Këshillin e Evropës, konfirmojnë se Kosova po bën të hapat e drejtë në rrugën e duhur drejt së ardhmes së saj evropiane.
Ju faleminderit shumë!
