Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti: Komuniteti ashkali është vlerë e shtuar dhe kontribues i vlefshëm për shoqërinë dhe për shtetin tonë

15 Shkurt, 2023

Prishtinë, 15 shkurt 2023

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në festimin e Ditës së Flamurit të komunitetit Ashkali.

Kryeministri tha se ishte kënaqësi pjesëmarrja e tij në këtë kremte të komunitetit ashkali,  i cili me tradita dhe kulturë, është vlerë e shtuar dhe kontribuues i vlefshëm për shoqërinë dhe për shtetin tonë.

“Qeveria jonë është e përkushtuar që të gjithë qytetarët e Kosovës të trajtohen pa diskriminim për asnjërin prej tyre. Andaj kemi arritur dialogun me komunitetet jo shumicë ta ngrisim në nivele të pa para më herët, si qytetarë dhe pjesëmarrës të barabartë të vendit tonë”, u shpreh kryeministri Kurti.

Në fjalën e tij kryeministri veçoi nismat që kanë përfunduar në të mirë të komuniteteve si dhe theksoi se janë edhe një sërë nismash të tjera nga qeveria jonë, nga të cilat përfitojnë drejtpërdrejt komunitetet, duke ndihmuar me integrim, duke rritur pjesëmarrjen ekonomike dhe sociale, e duke ndërtuar aftësi udhëheqëse.

Më tej, kryeministri tha se ne të gjithë, para se të jemi anëtarë të një komuniteti, jemi pjesëtarë të shoqërisë dhe qytetarë të Republikës. Për të arritur progres shoqëror, është i domosdoshëm progresi i vazhdueshëm i të gjithë qytetarëve, duke ua hapur rrugët e lirive e mundësive.

Njëkohësisht kryeministri shprehu mirënjohje ndaj partnerëve ndërkombëtarë, organizatave të shoqërisë civile dhe aktivistëve të të drejtave të njeriut për punën, angazhimin e palodhshëm dhe kontributin shumë të çmuar për komunitetet.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

I nderuar nënkryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Bekim Arifi,

Të nderuar zëvendëskryeministra të Qeverisë së Republikës së Kosovës, z. Besnik Bislimi dhe znj. Emilia Rexhepi,

Të nderuar ministra të Qeverisë sonë z. Nenad Rashiq, ministër i Qeverisë për Komunitete dhe Kthim dhe Elbert Krasniqi ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal,

Shkëlqesi ambasadorë dhe ju diplomatë të tjerë të akredituar në shtetin tonë nga vendet mike,

I nderuar kryetar i këshillit organizativ, z. Artan Asllani,

Të nderuar përfaqësues të subjekteve politike dhe të organizatave të komunitetit ashkali,

Të nderuar përfaqësues të organizatave të ndryshme ndërkombëtare e vendore,

Të nderuar të pranishëm,

Zonja dhe zotërinj,

Është kënaqësi të bashkohem me ju në këtë kremte. E falënderoj këshillin organizativ për ftesën, si dhe shumë përfaqësues të komunitetit të pranishëm këtu, për bashkëpunimin e vazhdueshëm.

Më lejoni që përzemërsisht të ju uroj këtë festë, Ditën e Komunitetit Ashkali, Ditën e Flamurit tuaj. Komuniteti ashkali, me tradita dhe kulturë, është vlerë e shtuar dhe kontribuues i vlefshëm për shoqërinë dhe për shtetin tonë.

Si shoqëri njerëzore duhet të krijojmë barazi aty ku ka gjëra e subjekte të ndryshme  dhe jo thjesht aty ku ato janë identike. Ne e kultivojmë diversitetin si pasuri, kërkojmë solidaritet më të gjithë dhe barazi që nuk lejon askënd të diskriminohet. Shoqëria jonë qëndron e bashkuar me vlerat tona të përbashkëta. Qeveria jonë është e përkushtuar që të gjithë qytetarët e Kosovës të trajtohen pa diskriminim për asnjërin prej tyre. Andaj kemi arritur dialogun me komunitetet jo shumicë ta ngrisim në nivele të pa para më herët, si qytetarë dhe pjesëmarrës të barabartë të vendit tonë.

Kemi miratuar edhe Strategjinë për Avancimin e të Drejtave të Komunitetit Rom dhe Ashkali 2022-2026. Gjithashtu e kemi lansuar Platformën Kombëtare për Raportimin e Rasteve të Diskriminimit ndaj Komunitetit Rom, Ashkali dhe Egjiptian.

Në dy vitet e fundit, qeveria jonë ka mbështetur të gjitha komunitetet përmes masave të zbatuara dhe granteve të ndara. Kemi mbështetur fëmijët, studentët, nënat lehona, pensionistët dhe kategoritë e ndryshme sociale. Brenda një viti, me Pakon për Ringjallje Ekonomike dhe Pakon për Përballje me Inflacion kemi mbështetur drejtpërdrejt rreth 800 mijë qytetarë të Republikës, praktikisht pothuajse secilën familje.

Zyra për Çështje të Komuniteteve në Zyrën e Kryeministrit ka mbështetur organizatat dhe mediet për aktivitete kulturore. I kemi ndarë 96 grante për organizata për projekte nga të cilat përfitojnë komunitetet jo shumicë. Kemi mbështetur 123 projekte për biznese të vogla dhe start-up për komunitetet jo shumicë.

Kemi themeluar ekipin ndërinstitucional për nxitjen dhe promovimin e punësimit për komunitetet  ashkali, rom dhe egjiptian në vendin tonë. Ndërkaq me Ligjin për Zyrtarët Publik kemi krijuar, ndër të tjera, të gjithë mekanizmat e duhur për përfaqësimin e drejtë të komuniteteve në çdo kategori.

Qeveria e Republikës së Kosovës po punon për krijimin e mundësive të barabarta. E, veçanërisht në arsim. Arsimi i lartë ofrohet pa pagesë për të gjithë studentët. Por për të mbështetur edukimin, kemi ndarë 300.000 euro bursa për nxënësit e komuniteteve ashkali, rom dhe egjiptian. Po mbështesim me bursa studentët nga komuniteti ashkali në Fakultetin e Edukimit, që në të ardhmen e afërt në klasat tona anembanë Kosovës të kemi mësuese dhe mësues të këtij komuniteti. Sepse për të pasur më shumë nxënësa ashkali kemi nevojë për më shumë mësues ashkali. Kemi ndarë edhe 300,000 euro për qendrat mësimore te fëmijëve romë, ashkali dhe egjiptianë.

Ndërsa 100 të rinjtë, me prioritet atyre nga komunitetet jo shumicë,  iu është dhënë mundësia për praktikë 6 mujore me pagesë në institucionet qeveritare.

Në dy muajt e fundit, kisha rastin që të kem takime të veçanta me komunitetin ashkali dy herë. Në fund të vitit të kaluar, kur në lagjen e komuniteteve në fshatin Gjyrkoc në Shtime, përuruam parkun dhe këndin e lodrave. Atë po e shfrytëzojnë edhe fëmijët ashkali edhe fëmijët shqiptarë bashkë. Ndërsa para tre javësh, në Kryeministri kam pasur takim me studentët përfitues të bursave të ndara nga qeveria për komunitetet.

Tashmë kemi filluar edhe zbatimin e Skemës së Punësimit të Garantuar për të Rinjtë. Nëpërmjet saj, Qeveria do të subvencionojë 264 euro, që është paga minimale tashmë e kaluar në lexim të parë në Kuvendin e Republikës dhe atë për 6 muajt e parë të punësimit. Prandaj aplikoni sa më shumë sepse kjo është një shanse e artë edhe për rininë e komunitetit ashkali dhe unë i inkurajoj pra të gjitha të rejat dhe të rinjtë ashkali, që të aplikojnë në platformën e Superpuna.

Varfërinë, papunësinë e përjashtimin do t’i mundim bashkë, me edukim, punësim dhe pjesëmarrje. Shkollimi është e drejtë e garantuar me kushtetutë që duhet gëzuar nga secila dhe secili. Fëmijët nuk duhet të jenë në rrugë, e nuk duhet të shfrytëzohen për punë, por ato e ata duhet të jenë në shkollë. Vajzat duhet të arsimohen e të edukohen të lira. Shkollimi është kundërpërgjigja më e mirë ndaj problemit të kërkim lëmoshës në rrugë, martesave të hershme dhe punës së detyruar.

Janë edhe një sërë nismash të tjera nga qeveria jonë, nga të cilat përfitojnë drejtpërdrejt komunitetet, duke ndihmuar me integrim, duke rritur pjesëmarrjen ekonomike dhe sociale, e duke ndërtuar aftësi udhëheqëse. Ne të gjithë, para se të jemi anëtarë të një komuniteti, jemi pjesëtarë të shoqërisë dhe qytetarë të Republikës. Për të arritur progres shoqëror, është i domosdoshëm progresi i vazhdueshëm i të gjithë qytetarëve, duke ua hapur rrugët e lirive e mundësive.

Jemi bashkë në përpjekjet për të ndërtuar një të ardhme gjithëpërfshirëse, me mundësi më të mëdha për secilën e secilin, e me mundësi të barabarta për të gjithë pa dallim. Për një shoqëri të drejtë dhe përparimtare angazhohet qeveria, angazhohen komunat dhe sidomos bashkëpunojnë qeveria me komunat.

U shpreh mirënjohje partnerëve ndërkombëtarë, disa prej të cilëve edhe i kemi këtu sonte në mesin tonë, organizatave të shoqërisë civile dhe aktivistëve të të drejtave të njeriut për punën, angazhimin e palodhshëm dhe kontributin shumë të çmuar.

Ju falemnderit  e urime edhe njëherë dita e komunitetit tuaj dhe flamurit të komunitetit tuaj.

Last modified: 15 Shkurt, 2023

Comments are closed.

×