Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti: Fuqizimi i grave, vendimtar për arritjen e zhvillimit të qëndrueshëm

9 Dhjetor, 2022

 

Prishtinë, 9 dhjetor 2022

Fuqizimi i grave është vendimtar për arritjen e zhvillimit të qëndrueshëm. Me rritjen e përfshirjes e pjesëmarrjes aktive të grave dhe vajzave në kontrollin dhe shpërndarjen e burimeve financiare dhe rritjen e qasjes në fonde publike, zvogëlohen pabarazitë dhe hendeqet në zhvillim. Kështu krijojmë premisat kryesore për një shoqëri të barabartë, ku gratë dhe burrat, përfitojnë dhe gjithashtu kontribuojnë në mirëqenie, zhvillim ekonomik, paqe dhe siguri në vend, tha kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në takimin e organizuar nga Agjencia për Barazi Gjinore në Zyrën e Kryeministrit.

Kemi dizajnuar masa specifike në kuadër të Pakos për Ringjallje Ekonomike, për ta mbështetur fuqizimin ekonomik të grave dhe rritjen e qasjes së grave në shkollim e në punësim. Pasiguria ekonomike është një prej faktorëve kyçë që i mbanë gratë dhe vajzat larg zhvillimit të qëndrueshëm, mirëqenies dhe prosperitetit, tha kryeministri.

Më tej, ai tha se përmes integrimit gjinor në këtë pako është mbështetur punësimi i grave, masë kjo, nga e cila kanë përfituar 3,500 gra dhe 1,490 biznese.

Kemi mbështetur biznese, që janë në pronësi të grave, me vlerë të subvencionimit afër gjysmë milion euro, kurse vlera e kreditimit të mundësuar e tejkalon 3 milionë euro. E në bujqësi, për vitin 2021, kemi ndarë subvencione për 1325 gra përfituese, tha kryeministri.

Që nga fillimi i skemës së mbështetjes për nënat e reja, deri më tani kemi rreth 200.000 përfituese nga Shtesat për Fëmijë; dhe mbi 23.000 përfituese nga Shtesat për Lehona.
Për vitin akademik 2021/2022, i kemi ndarë rreth 1000 bursa për gra dhe vajza për studime në STEM, e për vitin tjetër e kemi rritur buxhetin dhe numrin në 2000 bursa. Nga 1 milionë euro në 2 milionë euro, nga 1 mijë bursa në 2 mijë bursa. Kemi dhënë 13 bursa për studente me aftësi të kufizuara dhe kemi përkrahur 10 vajza për bursë të doktoraturës, tha kryeministri.

Kryeministri Kurti theksoi mbështetjen për procesin e njohjes së statusit të të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës, si një prej parakushteve të ndërtimit të paqes se qëndrueshme të vendit.
Të mbijetuarat e dhunës seksuale kanë nevojë për drejtësi. Të mbijetuarat dhe të mbijetuarit e dhunës seksuale kanë nevojë edhe për përkrahjen tonë shoqërore, për të luftuar stigmën e cila vazhdon t’i përcjellë, shtoi kryeministri.
Ai falënderoi të gjitha institucionet, partnerët vendorë dhe ndërkombëtarë, e veçanërisht organizatat e grave, që kanë kontribuar në zbatimin e prioriteteve të vendosura në Programin e Kosovës për Barazi Gjinore, dhe vazhdojnë ta shtyjnë përpara agjendën e barazisë gjinore në Republikën e Kosovës, për një shoqëri që është e drejtë, përparimtare dhe përparuese.

Në këtë takim, organizuar në shënim të 16 Ditëve të Aktivizmit kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave, u prezantuan dy hulumtime “Roli i grave në pozitat vendimmarrëse në sektorin publikë dhe privat” dhe “Stereotipet gjinore dhe barrierat që pengojnë qasjen e barabartë në sport”, si dhe Raporti monitorues dhe vlerësues i Programit të Kosovës për Barazi Gjinore 2020-2021.

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:

Faleminderit e nderuara znj.Gusia, kryeshefe ekzekutive e Agjencisë për Barazi Gjinore,
E nderuara ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, znj Rozeta Hajdari,
E nderuar zëvendësministre e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, znj. Daulina Osmani,
I nderuari zëvendësministër i Punëve të Brendshme z. Bardhyl Dobra,
E nderuara Auditore e Përgjithshme, znj.Vlora Spanca,
Të nderuara përfaqësuese të institucioneve, organizatave ndërkombëtare, të shoqërisë civile,
Të nderuara aktiviste e aktivistë të të drejtave të grave e të njeriut,
Të nderuar të pranishëm, zonja dhe zotërinj,

Në prag të përmbylljes së 16 Ditëve të aktivizimit, fushatës kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave, mirë se po takohemi për të folur lidhur me Programin e Kosovës për Barazi Gjinore dhe nivelin e zbatimit të tij. Këtë program e patëm miratuar në maj të vitit 2020, në një situatë pandemie e në një periudhë jo të lehtë nën ndikimin e Covid-19.

Për përballjen e pasojave të pandemisë, kemi dizajnuar masa specifike në kuadër të Pakos për Ringjallje Ekonomike, për ta mbështetur fuqizimin ekonomik të grave dhe rritjen e qasjes së grave në shkollim e në punësim. Pasiguria ekonomike është një prej faktorëve kyç qe i mbanë gratë dhe vajzat larg zhvillimit të qëndrueshëm, mirëqenies dhe prosperitetit.

Andaj, përmes integrimit gjinor në këtë pako:
Kemi mbështetur punësimin e grave, masë kjo, nga e cila kanë përfituar 3,500 gra dhe 1,490 biznese.

Kemi mbështetur biznese, që janë në pronësi të grave, me vlerë të subvencionimit afër gjysmë milion euro, kurse vlera e kreditimit të mundësuar e tejkalon 3 milionë euro. E në bujqësi, për vitin 2021, kemi ndarë subvencione për 1325 gra përfituese.
Që nga fillimi i skemës së mbështetjes për nënat e reja, deri më tani kemi rreth 200 mijë përfituese nga Shtesat për Fëmijë; dhe mbi 23 mijë përfituese nga Shtesat për Lehona.
Për vitin akademik 2021/2022, i kemi ndarë rreth 1000 bursa për gra dhe vajza për studime në STEM, e për vitin tjetër e kemi rritur buxhetin dhe numrin në 2000 bursa. Nga 1 milionë euro në 2 milionë euro, nga 1 mijë bursa në 2 mijë bursa. Kemi dhënë 13 bursa për studente me aftësi të kufizuara dhe kemi përkrahur 10 vajza për bursë të doktoraturës.

Qeveria jonë ka treguar përkushtim dhe veprime konkrete edhe në dritë të luftimit të dhunës në familje dhe dhunës mbi baza gjinore. Në këtë drejtim, jemi angazhuar duke hartuar dhe miratuar Strategjinë dhe Planin e Veprimit për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe Dhuna ndaj Grave dhe Vajzave; hartimin dhe miratimin e Protokollit Shtetëror për Trajtimin e Rasteve të Dhunimeve Seksuale; funksionalizimin dhe takimet e rregullta të grupit ndërministror; plotësim ndryshimin e Ligjit për Ndihmë Juridike Falas: në bazë të kësaj viktimave të dhunës i ofrohet ndihma juridike falas pavarësisht gjendjes socio-ekonomike; pastaj plotësim ndryshimi i Ligjit për Kompensimin e Viktimave të Krimit: pra, eliminimi i procedurave të ndryshme burokratike për kompensim të viktimave (nga janari deri tani është bërë ky kompensim); ofrimin e ekspertizës Kuvendit të Kosovës për Projektligjin për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe Dhuna ndaj Grave dhe Vajzave; hartimin e Kurikulës për profesionistët për programet e trajtimit të kryerësve të veprës së dhunës në familje; plotësim ndryshimi i Kodit Penal dhe Procedurës Penale, me qëllim të dënimeve plotësuese për personat të cilët shpallen fajtor për dhunë në familje dhe seksuale, si dhe publikimin e emrave të dhunuesve, e caktimin e paraburgimit ndaj personave të dyshuar.

Kemi vazhduar me mbështetje të procesit të njohjes së statusit të të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës, si një prej parakushteve të ndërtimit të paqes se qëndrueshme të vendit. Të mbijetuarat e dhunës seksuale kanë nevojë për drejtësi. Të mbijetuarat dhe të mbijetuarit e dhunës seksuale kanë nevojë edhe për përkrahjen tonë shoqërore, për të luftuar stigmën e cila vazhdon t’i përcjellë.
Po mbështesim financiarisht strehimoret, që në kuadër të tyre ofrojnë shërbime për viktimat e dhunës në familje dhe dhunës mbi bazë gjinore, në proces të mbrojtjes sociale për ri-integrimin e tyre. Gjatë periudhës së zbatimit të këtij programi hartuam dhe miratuam edhe Koncept dokumentin për buxhetimin e përgjegjshëm gjinor, për planifikim dhe zbatim të rregullt vjetor të buxhetimit gjinor në nivel vendi.
Jemi të lumtur, ndonëse jo plotësisht të kënaqur, që kemi arritur ta ngrisim pjesëmarrjen e grave dhe vajzave në bordet e ndërmarrjeve publike. Mbetemi të përkushtuar për të rritur pjesëmarrjen e grave në të gjitha nivelet e vendimmarrjes. Pra, jo vetëm pjesëmarrje, po pjesëmarrje në vendimmarrje.

Fuqizimi i grave është vendimtar për arritjen e zhvillimit të qëndrueshëm. Me rritjen e përfshirjes e pjesëmarrjes aktive të grave dhe vajzave në kontrollin dhe shpërndarjen e burimeve financiare dhe rritjen e qasjes në fonde publike, zvogëlohen pabarazitë dhe hendeqet në zhvillim. Kështu krijojmë premisat kryesore për një shoqëri të barabartë, ku gratë dhe burrat, përfitojnë dhe gjithashtu kontribuojnë në mirëqenie, zhvillim ekonomik, paqe dhe siguri në vend. Edhe teoria ekonomike në të cilën unë besoj më shumë është ajo që sa më të vogla pabarazitë në një shoqëri, aq më e madhe kërkesa agregate, që është pra mirë edhe për ekonominë përveç së është për progresin shoqëror.

Të nderuar të pranishëm,

Pabarazia është e shkallëve të ndryshme. Andaj, mbetemi të përkushtuar për të krijuar barazi aty ku ka më së shumti pabarazi. Aty ku nevojat janë më të mëdha, duhet të ndërhyjmë së pari, kundër ndrydhjes e shtypjes e shfrytëzimit. Me përgjegjësi institucionale dhe vetëdije shoqërore, me angazhim të përbashkët si institucione të shtetit edhe si shoqëri e vendit tonë, njëkohësisht.

Të nderuara zonja dhe zotërinj,

Dua të falënderoj të gjitha institucionet, partnerët vendorë dhe ndërkombëtarë, e veçanërisht organizatat e grave që kanë kontribuar në zbatimin e prioriteteve të vendosura në Programin e Kosovës për Barazi Gjinore, dhe vazhdojnë ta shtyjnë përpara agjendën e barazisë gjinore në Republikën e Kosovës, për një shoqëri që është e drejtë, përparimtare dhe përparuese.

Nuk mund të kemi barazi shoqërore pa barazi gjinore dhe jam i bindur që edhe në vijim do t’i shtojmë aktivitetet për këtë qëllim të përbashkët.

Falemnderit.

Last modified: 9 Dhjetor, 2022

Comments are closed.

×