Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti bëri homazhe në Zhazhë dhe vizitoi Kompleksin e Kullave të Isa Boletinit

29 Prill, 2025

Zhazhë dhe Boletin, 29 prill 2025

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me zëvendëskryeministrin e parë në detyrë, Besnik Bislimi, ministrin në detyrë të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, Kryetarin e Komunës së Mitrovicës veriore, Erden Atiq dhe deputetë të Kuvendit, bënë homazhe sot në Zhazhë në kujtim dhe nderim të civilëve shqiptarë të vrarë në masakrën e Zhazhës.

26 vjet më parë forcat policore ekzekutuan civilë shqiptarë të pambrojtur dhe të paarmatosur, në mesin e tyre edhe një të mitur, Fidan Pecin, i cili ishte vetëm 16 vjeç. Kryeministri Kurti dhe ministri Peci, të shoqëruar edhe nga deputetë të Kuvendit, vendosën lule të freskëta te lapidari i ngritur në nderim të viktimave civile dhe katër dëshmorëve të kësaj zone, të rënë në luftën çlirimtare.

Pas homazheve në Zhazhë, ata vazhduan për në fshatin Boletin në Komunën e Zveçanit, ku vizituan Kompleksin e Kullave të Isa Boletinit dhe vendosën lule të freskëta mbi varrin e heroit Isa Boletini. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka nisur dy programe për këtë kompleks të rëndësishëm për popullin shqiptar, kurimin profesional të ekspozitës së përhershme muzeore dhe funksionalizimin e tij përmes menaxhimit e aktiviteteve të rregullta.

Në librin e përshtypjeve, kryeministri Kurti shkroi:

Në Kullat e Isa Boletinit u mësua dhe u mbrojt historia e shqiptarëve por edhe tek ato u bë historia e u lartësuan shqiptarët. Çdo brez duhet të rikthehet këtu që të mësojë, e të mbrojë e të bëjë, që të ecë përpara.

Lavdi Isa Boletinit dhe luftëtarëve të tij.

Albin Kurti
Kryeministër i Republikës së Kosovës
29 prill 2025

Last modified: 29 Prill, 2025

Comments are closed.