Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti bëri homazhe me rastin e 25- vjetorit të masakrës së Qirezit dhe Likoshanit

28 Shkurt, 2023

Qirez, Likoshan, 28 shkurt 2023

Me rastin e 25- vjetorit të masakrës së Qirezit dhe Likoshanit, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me Kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufcën dhe ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiun, bënë homazhe në nderim të 24 shqiptarëve të vrarë nga forcat serbe më 28 shkurt 1998.

Duke kujtuar këtë ditë, kryeministrit Kurti tha se kjo hakmarrje ndaj civilëve të pambrojtur dhe të paarmatosur erdhi për shkak se Ushtria Çlirimtare e Kosovës po merrte hov dhe kishte gjithnjë e më shumë sukses në përballje me forcat policore serbe.

E të njëjtën kohë kjo masakër, siç theksoi ai, shënon edhe masakrën e parë të luftës së fundit në Kosovë kur u bë edhe e qartë se rrugëtimi çlirimtar i popullit tonë është i pashmangshëm dhe i pakthyeshëm.

“Me këtë rast si kryeministër, si qytetar, si shqiptar, ndaj dhembjen e pikëllimin me familjarët. Kemi shumë mall për ata që nuk janë në mesin tonë por në të njëjtën kohë ndjejmë edhe krenari për qëndresën e tyre dhe ndjejmë përgjegjësinë për drejtësinë për ta”, është shprehur kryeministri Kurti.

Në këto homazhe kryeministri Kurti shoqërohej edhe nga shumë kolegë e aktivistë të qendrës së Vetëvendosjes në Drenas dhe Skenderaj, zëvendësministra e deputetë të Kuvendit.

Deklarimi i plotë i kryeministrit Kurti:

Bashkë me Kryetarin e Kuvendit, Glaukun dhe me ministren e Drejtësisë, Albulenën dhe me shumë kolegë e aktivistë, zëvendësministra e deputetë dhe me shoqet e shokët e qendrës së Vetëvendosjes edhe në Drenas edhe në Skenderaj, erdhëm që të bëjmë homazhe, të bëjmë nderim me rastin e 25- vjetorit të masakrës së Qirezit dhe Likoshanit, me ç’rast u patën vrarë para 25 vjetëve, pra me 28 shkurt 1998, 24 shqiptarë, prej tyre 20 civilë të pambrojtur, të paarmatosur.

Hakmarrje ndaj civilëve të pambrojtur dhe të paarmatosur erdhi për shkak se Ushtria Çlirimtare e Kosovës po merrte hov dhe kishte gjithnjë e më shumë sukses në përballje me forcat policore serbe dhe në të njëjtën kohë kjo masakër shënon edhe masakrën e parë të luftës së fundit në Kosovë kur u bë edhe e qartë se rrugëtimi çlirimtar i popullit tonë është i pashmangshëm dhe i pakthyeshëm.

Një javë pas kësaj masakre kemi edhe Epopenë e UÇK në Prekaz të cilës gjithashtu ia shënojmë 25- vjetorin pas pak ditësh.

Me këtë rast si kryeministër, si qytetar, si shqiptar, ndaj dhembjen e pikëllimin me familjarët. Kemi shumë mall për ata që nuk janë në mesin tonë por në të njëjtën kohë ndjejmë edhe krenari për qëndresën e tyre dhe ndjejmë përgjegjësinë për drejtësinë për ta.

Lavdi gjithë dëshmorëve dhe martirëve të kombit!

 

Last modified: 28 Shkurt, 2023

Comments are closed.