Prishtinë, 14 maj 2013
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi priti sot në takim një delegacion të lartë të Këshillit Egjiptian për Punë të Jashtme, i cili po viziton Republikën e Kosovës. Në takim u diskutua për zhvillimet aktuale politike në Kosovë dhe rajon dhe për bashkëpunimin mes Kosovës dhe Egjiptit.
Kryeministri Thaçi vlerësoi lartë rëndësinë e marrëdhënieve ndërshtetërore mes Kosovës dhe Egjiptit, duke theksuar fokusimin e Qeverisë së Kosovës për zhvillimin e këtyre marrëdhënieve në fushën e politikës dhe diplomacisë, ekonomisë, arsimit, shkencës dhe kulturës.
Qeveria e Kosovës vlerëson rëndësinë e njohjes së shtetit të Kosovës nga ana e Egjiptit. Kjo njohje do të ketë reflektime pozitive për Kosovën, përmes forcimit të partneritetit me shtetet tjera të Ligës Arabe, Afrikës dhe atyre në Organizatën për Bashkëpunim Islamik, tha kryeministri Thaçi.
Kryeministri Thaçi në takimin me delegacionin e lartë të Këshillit Egjiptian për Punë të Jashtme foli edhe për marrëveshjen ndërshtetërore mes Kosovës dhe Serbisë, duke theksuar se Qeveria e Republikës së Kosovës dhe partnerët ndërkombëtarë janë të vendosur në implementimin e plotë të marrëveshjes. Ky proces është në shërbim të forcimit të paqes, të stabilitetit dhe të bashkëpunimit rajonal dhe është në përputhshmëri të plotë me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, – theksoi z.Thaçi.
Udhëheqësi i delegacionit të Këshillit Egjiptian për Punë të Jashtme, ambasadori Mohamed Ibrahim Mahmoud Shaker, në takimin me Kryeministrin Thaçi ka shprehur mbështetjen e popullit dhe Qeverisë së Egjiptit për popullin dhe Qeverinë e Kosovës.
“Ju premtoj se shumë shpejt do të bëhet edhe njohja nga Egjipti dhe do të vendosen edhe marrëdhëniet diplomatike ndërmjet dy shteteve “, tha z.Shaker.