Prishtinë, 11 mars 2014
Fjala e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi gjatë ceremonisë së nënshkrimit të vendimit për rritjen e pagave për të gjitha kategoritë e shërbyesve publike, përfituesit e skemave sociale dhe pensionistët
Unë sot kisha kënaqësinë e veçantë që bashkërisht me të gjitha sindikatat apo në prani të të gjitha sindikatave të Republikës së Kosovës, të nënshkruaj vendimin që kemi nxjerrë dje si Qeveria e Republikës së Kosovës për rritjen e pagave dhe pensioneve për 240 mijë familje kosovare.
Prandaj, sot nënshkrova vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, për rritjen e pensioneve të parakohshme të minatorëve të Trepçës për 50 për qind, pensioneve të personave me nevoja të veçanta 25 për qind, pensionet kontributdhënëse 25 për qind, pensionet e moshës 25 për qind, pensionet e FSK-së 25 për qind, pensionet e parakohshme të pjesëtarëve të TMK-së 25 për qind, familjet e dëshmorëve 25 për qind, invalidët e luftës 25 për qind, familjet e të pagjeturve 25 për qind, pensionet për personat e verbër 30 për qind.
Ndërsa, dëshiroj të theksoj se në kuadër të kësaj rritje përfitojnë në rritjen e pagave infermierët 25 për qind, mjekët 25 për qind, mjekët specialistë 25 për qind, mësuesit 25 për qind, profesorët e shkollave të mesme 25 për qind, profesorët universitarë 25 për qind, akademikët (Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës 25 për qind, këtu përfshihen edhe punëtorët e institucioneve shkencore, Instituti Albanologjik, Instituti i Historisë 25 për qind), policët e Kosovës 25 për qind, pjesëtarët e FSK-së 25 për qind, gardianët 25 për qind, zjarrfikësit 25 për qind, inspektorët policorë 25 për qind, pylltarët 25 për qind, shërbyesit civilë 25 për qind, doganierët 25 për qind, inspektorët tatimorë 25 për qind, auditorët e ZAP-it 25 për qind, auditorët e brendshëm 25 për qind, prokurorët 25 për qind, prokurorët special 25 për qind, gjykatësit 25 për qind, artistët dhe krijuesit e performuesit gjithashtu përfshihen në rritje të pagave.
E gjithë kjo përfshinë do të thotë nga rritja e sotme e pagave dhe pensioneve, përfshihen 240 mijë përfitues, që në një formë apo formën tjetër preken rreth 800 mijë deri në 1 milion qytetarë të Republikës së Kosovës.
Prandaj më lejoni që t’i falënderoj të gjithë punëtorët kosovarë, falënderoj të gjitha sindikatat për bashkëpunimin e ngushtë. Është një vendim i përbashkët, i debatuar dhe i diskutuar, është vendimi më i drejtë i mundshëm për kohën.
Synimi im ka qenë që nga fillimi tejkalimi i standardit të punëtorëve në nivel rajonal dhe arritja e standardi në nivel të vendeve të Bashkimit Evropian për punëtorët kosovarë.
Kjo rritje e pagave dhe pensioneve do të rritë mirëqenien sociale të qytetarëve, por jam i bindur se në të ardhmen do të bëjmë edhe më tepër dhe do të arrijmë standardin e punëtorëve të vendeve të Bashkimit Evropian.
Gjithashtu, më lejoni të theksoj se dje kemi nënshkruar edhe vendimin tjetër – atë për fillimin e amendamentimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës për formimin e Forcës së Armatosur të Kosovës. E kemi përcjellë në Kryesinë e Kuvendit të Kosovës për ta dërguar në Gjykatën Kushtetuese, pra për formimin e Forcave të Armatosura të Kosovës, që do të përfshihen ato ndryshime që janë të nevojshme, që janë të domosdoshme për krijimin e Ushtrisë së Kosovës.
Këto ndryshime do të jenë plotësisht në përputhshmëri me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, me ligjet e Kosovës e që përfshin ndryshimet në disa amendamente, në disa segmente substanciale që më kryesoret prej tyre janë gjashtë:
1. Forcat e Armatosura të Kosovës janë forca kombëtare ushtarake të Republikës së Kosovës, dhe mund të dërgojnë pjesëtarët e saj jashtë vendit, në përputhje të plotë me përgjegjësitë e saj ndërkombëtare.
2. Forcat e Armatosura të Kosovës mbrojnë sovranitetin, integritetin territorial, qytetarët, pronën dhe interesat e Republikës së Kosovës, si dhe kontribuojnë në ndërtimin dhe ruajtjen e paqes dhe stabilitetit rajonal dhe global.
3. Presidenti i Republikës së Kosovës është Komandant Suprem i Forcave të Armatosura të Kosovës, të cilat gjithmonë i nënshtrohen kontrollit të autoriteteve civile të zgjedhura në mënyrë demokratike.
4. Forcat e Armatosura të Kosovës janë forcë profesionale, pasqyrojnë shumëllojshmërinë etnike të popullit të Republikës së Kosovës, dhe rekrutohen nga shtetasit e Republikës së Kosovës.
5. Shefi i Mbrojtjes është njëkohësisht edhe Komandant i Forcave të Armatosura të Kosovës, i cili emërohet dhe shkarkohet nga Presidenti i Republikës së Kosovës, në bazë të rekomandimit të Kryeministrit.
6. Organizimi i brendshëm i Forcave të Armatosura të Kosovës rregullohet me ligj të veçantë.
Dua të potencoj se për nxjerrjen e vendimit për formimin e Forcave të Armatosura të Kosovës, ushtrisë së Kosovës, tani kemi edhe pajtueshmërinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe mbështetjen e plotë të NATO-s dhe të Bashkimit Evropian, si dhe vlerësimin se institucionet e Kosovës kanë të drejtë të marrin vendimet e tyre edhe Organizata e Kombeve të Bashkuara.
Tani presim që Kuvendi i Kosovës të marrë vendimin adekuat, që është edhe vullneti i qytetarëve të Kosovës.
Ne si partnerë të koalicionit do ta votojmë formimin e ushtrisë së Kosovës, Forcat e Armatosura të Kosovës të gjithë në mënyrë unike dhe besoj se këto segmente do ta bashkojnë edhe më tepër spektrin politik kosovar.
Faleminderit shumë!
******
Në vazhdim të konferencës për media, vendimin e Qeverisë dhe të Kryeministrit Thaçi për rritjen e pagave e përshëndetën edhe përfaqësuesit e sindikatave të kategorive që përfitojnë nga vendimi për rritjen e pagave, duke filluar nga Sindikata e Policisë së Kosovës, Pensionistët e Trepçës, Sindikata e Shërbyesve Civilë të Kosovës, Lidhja e pensionistëve dhe invalidëve të punës, SBASHK-u, Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Sindikata e Judikaturës, Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së, Shoqata e Invalidëve të Luftës së UÇK-së dhe sindikatat tjera.
Ata falënderuan dhe shprehën mirënjohje për Kryeministrin Thaçi për përkujdesjen dhe mbështetjen e vazhdueshme të treguar që nga fillimi i mandatit të Qeverisë së kryesuar nga Kryeministri Thaçi për të gjitha kategoritë e shoqërisë kosovare.
Last modified: 11 Mars, 2014