Zyra e Kryeministrit

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka pritur sot Sekretarin e Shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Austrisë, Wolfgang Waldner

9 Nëntor, 2011

Prishtinë, 9 nëntor 2011

Temë kryesore e takimit të kryeministrit Thaçi me Sekretarin e Shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Austrisë, Wolfgang Waldner, ishin zhvillimet e fundit në Kosovë, bashkëpunimi mes Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Austrisë dhe përmbushja e agjendës evropiane të Kosovës.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në takim theksoi përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për fuqizimin e sundimit të rendit dhe ligjit në tërë territorin e Kosovës, me theks të veçantë në pjesën veriore.

Në këtë angazhim jetik për funksionimin e plotë të shtetit të Kosovës, ne kemi edhe përkrahjen e bashkësisë ndërkombëtare, tha në vazhdim kryeministri Thaçi dhe potencoi vendosmërinë e Qeverisë së Kosovës që edhe në atë pjesë të territorit të Kosovës të funksionojë rendi dhe ligji, jeta demokratike dhe të hapet perspektiva e zhvillimit ekonomik dhe mirëqenies sociale të qytetarëve tanë në veri – tha z.Thaçi.

Në takim me diplomatin austriak, Waldner, kryeministri Thaçi ritheksoi vizionin dhe angazhimin konsistent të Qeverisë së Republikës së Kosovës për përmbushjen e plotë të standardeve dhe kritereve evropiane të integrimit. Në këtë vazhdë, kryeministri Thaçi përmendi edhe fillimin e dialogut për liberalizimin e vizave në fund të këtij viti, që është rezultat i punës së vazhdueshme të institucioneve kosovare në përmbushjen e kritereve lidhur me këtë proces.

Kryeministri Thaçi në takimin e sotëm shprehu mirënjohjen e tij dhe të qeverisë që drejton për mbështetjen e vazhdueshme që Qeveria e Austrisë i ka dhënë dhe po i jep Republikës së Kosovës dhe theksoi se bashkëpunimi mes dy vendeve do të forcohet edhe më tej në fushat e interesit të përbashkët.

Sekretari i Shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Austrisë, Wolfgang Waldner në takimin me kryeministrin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi vlerësoi lartë marrëdhëniet mes Kosovës dhe Austrisë dhe i garantoi kryeministrit Thaçi vazhdimin e mbështetjes austriake për perspektivën evropiane të Kosovës.

Last modified: 9 Nëntor, 2011

Comments are closed.