Zyra e Kryeministrit

Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka vizituar Memorialin e Reçakut dhe varrezat e dëshmorëve në Ferizaj, në Kaçanik, në Viti dhe në Zhegër të Gjilanit

26 Shkurt, 2008

Prishtinë, 26 shkurt 2008
 
Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka vizituar Memorialin e Reçakut dhe varrezat e dëshmorëve në Ferizaj, në Kaçanik, në Viti dhe në Zhegër të Gjilanit, ku ka bërë homazhe pranë varreve të dëshmorëve të kombit dhe të të gjithë të flijuarve për Kosovën.
 
Kryeministri Hashim Thaçi ka vlerësuar me këtë rast se vizita e sotme në Reçak është nderim shtetëror për të gjithë të flijuarit për shtetin e pavarur, sovran dhe demokratik të Kosovës. “Reçaku është vendi i flijimit, i sakrificës dhe vendi i rezistencës së madhe kundër ushtrisë, policisë dhe paramilitarëve serbë. Reçaku është vendi i mesazhit të Kosovës për botën demokratike dhe vendi që mobilizojë popullin e Kosovës. Reçaku është vendi që mobilizoi dhe vuri në veprim gjithë diplomacinë botërore në shërbim të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, andaj respekt dhe nderim për jetë të jetëve për të gjithë të flijuarit dhe dëshmorët e kombit”, ka thënë kryeministri Thaçi gjatë vizitës në Reçak të Komunës së Shtimes. 
 
Në një pyetje rreth sigurisë në Kosovë dhe veçmas përreth kufijve me Serbinë, z. Hashim Thaçi është përgjigjur se integriteti territorial i Kosovës është i pacenueshëm e i paprekshëm dhe nën autoritetin e plotë të NATO-s e të institucioneve të sigurisë së Republikës së Kosovës. “Autoritetet kanë të drejtën e përdorimit të mekanizmave mbrojtës për territorin e Kosovës. Ne jemi në kontakt dhe bashkëpunim të përhershëm në mënyrë që asnjë pëllëmbë e tokës së Kosovës të mos preket nga askush. Kosova kurrë nuk ka qenë më e sigurt. Them se institucionet janë duke funksionuar me përgjegjësi të plotë dhe jemi duke funksionuar si shtet. Në të njëjtën kohë ne respektojmë dhe kuptojmë reagimet paqësore që janë të garantuara edhe me ligj, por kurrsesi nuk do të lejojmë që të cenohet integriteti territorial i Kosovës, i cili është i njohur edhe ndërkombëtarisht, ka nënvizuar kryeministri i Republikës së Kosovës. 
 
Para përmendores së dëshmorëve në Ferizaj, kryeministri ka theksuar se sakrifica e dëshmorëve të lirisë, sakrifica e popullit ë Kosovës dhe e kaluara e lavdishme, si dhe vizioni i politikës kosovare properëndimore, kanë bërë që ta shpallim pavarësinë dhe të fitojmë njohjen masive ndërkombëtare për shtetin tonë të ri demokratik. “Çdo qytetar i Kosovës duhet të ndjehet mirë dhe krenar me të kaluarën dhe të tashmen e tij. Tani institucionet e Kosovës do të punojnë për zhvillimin ekonomik dhe për perspektivën e integrimit në strukturat e Bashkimit Evropian dhe në NATO, ka potencuar ai.
 
Po kështu kryeministri Thaçi ka vizituar edhe varrezat e dëshmorëve në Kaçanik, në Viti dhe në Zhegër të Gjilanit, me ç’rast ka vënë kurora lulesh dhe ka bërë homazhe pranë varreve të dëshmorëve të kombit dhe të flijuarve për vendin.

Last modified: 26 Shkurt, 2008

Comments are closed.

×