Zyra e Kryeministrit

Kryeministri i Qeverisë së Kosovës, Hashim Thaçi, priti Ambasadorin e Britanisë së Madhe në Prishtinë, Andy Spark

28 Prill, 2008

Prishtinë,  28 prill 2008
 
Kryeministri i Qeverisë së Kosovës Hashim Thaçi ka pritur sot dhe i ka uruar mirëseardhje ambasadorit të ri britanik në Kosovë, Andy Spark, duke i uruar sukses dhe bashkëpunim të ngushtë me Qeverinë e Kosovës.
 
Kryeministri Thaçi me këtë rast falënderoi Britaninë e Madhe dhe të gjithë partnerët ndërkombëtarë që kanë kontribuar në ndërtimin e shtetit të pavarur, sovran dhe demokratik të Kosovës dhe potencoi se Kosova është vend i stabilitetit, i mundësive, vend i progresit, me vizion të qartë në rrugën për t’u integruar në NATO dhe Bashkimin Evropian.
Kryeministri Thaçi në vazhdim theksoi se me Britaninë e Madhe Kosova gjithmonë ka pasur bashkëpunim të shkëlqyeshëm,  dhe do të investohet që këto raporte të jenë edhe më të avancuara.
 
Në takim është diskutuar mundësia e një lobimi edhe më të fuqishëm me qëllim të ardhjes së investitorëve nga Britania e Madhe në Kosovë, për të kontribuar në zhvillimin ekonomik, në modernizimin e Kosovës dhe krijimin e vendeve të reja të punës.
 
“Në këtë kuadër, aktualisht Kosova ofron mundësi shumë të mira, ka një qeverisje stabile, sundim të ligjit dhe përcaktim të qartë për të luftuar korrupsionin dhe dukuritë tjera negative”, tha kryeministri Thaçi.
 
Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe, Andy Spark, ka shprehur kënaqësinë e tij për prezencën në Kosovë, në periudhën shumë të rëndësishme nëpër të cilën po kalon Kosova.
“Ne jemi këtu për të dhënë përkrahjen nga Britania e Madhe për të gjithë në Kosovë, për shqiptarët, serbët, romët, dhe të tjerët”, është shprehur ambasadori Spark dhe ka uruar kryeministrin e Qeverisë së Kosovës, Hashim Thaçi për shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

Last modified: 28 Prill, 2008

Comments are closed.

×