Zyra e Kryeministrit

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, priti në takim znj. Linda Casella, udhëheqëse e Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm të Kosovës

11 Shkurt, 2008

Prishtinë, 11 shkurt 2008

Kryeministri i Kosovës, z.Hashim Thaçi, ka pritur sot në takim udhëheqësen e Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm të Kosovës, znj.Linda Casella. 

Kryeministri Thaçi është informuar për punën e deritashme nga znj.Casella, punë kjo, sipas tij, e shkëlqyeshme, shumë serioze dhe e përgjegjshme, për vitin 2006, dhe ka marrë informacionin shtesë se auditimi për ministritë dhe qeverinë e kaluar pritet të përfundojë në maj të këtij viti.

Z. Thaçi ka shprehur kënaqësinë e veçantë për takimin me udhëheqësen e Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm të Kosovës, duke theksuar se përkushtimi, përgjegjësia dhe vizoni i tij dhe i Qeverisë së Kosovës, që nga dita e parë e formimit të saj, ka qenë qeverisja e mirë, sundimi i ligjit,  transparenca, lufta kundër korrupsionit, tolerancë zero ndaj dukurive negative. ”Prandaj, sot, kam ftuar zonjën Casella që takohemi për t’i dhënë mbështetje të plotë në punën e saj, mbështetje kjo që do të rezultojë me funksionimin demokratik, efektiv dhe efikas të të gjitha institucioneve të Kosovës”, ka thënë kryeministri.    

Kryeministri me ketë rast ka kërkuar nga udhëheqësja e Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm që të fillojë menjëherë auditimi që nga dita e fillimit të punës së Qeverisë të cilën po e udhëheq ai, duke u nisur nga Zyra e Kryeministrit dhe të gjitha ministritë dhe autoritetet lokale, në mënyrë që të ketë transparencë të plotë dhe bashkëpunim të ngushtë, si dhe të kemi institucione që i meritojnë qytetarët e Kosovës. “Kjo është pjesë e filozofisë së qeverisë së re dhe pjesë e betejës në luftë kundër korrupsionit dhe kundër dukurive negative. Natyrisht se pjesë tjetër e këtyre përkushtimeve do të jetë auditimi i performances, i cili do të jetë një auditim shtesë, jo vetëm ndaj atyre që kanë shkelur ligjin, por edhe ndaj atyre që nuk i kanë kryer punët mirë, që kanë krijuar favore pa e shkelur ligjin, pra ndaj atyre që kanë krijuar rrethana favorizuese apo diskriminuese, që nuk përputhen me nivelin e mirëfilltë të institucioneve të Kosovës dhe me përgjegjësinë më të lartë”, ka thënë z.Thaçi. 

Gjithashtu kryeministri ka pohuar se ka pranuar me kënaqësi disa prej auditimeve, të cilat i ka përfunduar kjo zyrë. “Unë vetëm mund të premtoj me përgjegjësinë më të lartë si kryeministër i Kosovës, se do të kërkoj menjëherë inicimin e hetimeve të thella nga autoritetet përkatëse të drejtësisë ndaj tri kompanive – kampione të korrupsionit dhe keqmenaxhimit në Kosovë: KEK-ut, PTK-së dhe Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, në mënyrë që ky auditim të mos mbetet vetëm një letër e pavlerë, por të jetë përkushtim për zero tolerancë në betejën ndaj korrupsionit. Këto kompani kanë qenë deri më sot kampione të korrupsionit, por nuk do të jenë më. Ato do të jenë pjesë të investigimeve të thella të organeve të drejtësisë në të ardhmen”, ka potencuar kryeministri Thaçi.

Udhëheqësja  e Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm të Kosovës, znj. Linda Casella, ka falënderuar kryeministrin Thaçi për pritjen e ngrohtë, me ç’rast i ka dorëzuar gjashtëmbëdhjetë raporte të Zyrës së Auditorit Gjeneral, i cili përmban rekomandime profesionale për forcimin e kontrollit të brendshëm, në mënyrë që ta përmirësohet menaxhimi financiar i institucioneve të Kosovës.

Last modified: 11 Shkurt, 2008

Comments are closed.

×