Prishtinë, 19 shkurt 2010
Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka pritur sot në takim znj. Catherine Ashton, përfaqësuese e lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri të BE-së.
Kryeministri Thaçi ka shpreh falënderimin dhe mirënjohjen për vizitën në Kosovë të znj. Ashton. Këtë vizitë z. Thaçi e ka cilësuar mjaft domethënëse dhe treguese se Kosova është në agjendë të Bashkimit Evropian.
“Ne shprehëm përkushtimin tonë si Qeveri e Kosovës për implementimin e plotë të kritereve demokratike të domosdoshme në procesin të paraanëtarësimit në Bashkimin Evropian”, ka thënë kryeministri Thaçi, duke shtuar se Kosova do t’i plotësojë të gjitha kriteret e nevojshme dhe natyrisht kërkohet trajtim adekuat sikurse edhe vendet tjera të rajonit për integrim në Bashkim Evropian.
Ne ka pohuar z. Thaçi po ndërtojmë vend demokratik, multietnik dhe së shpejti presim edhe udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave edhe për marrëdhëniet tregtare. Kosova ka perspektivë evropiane.
Më pas z. Thaçi ka vlerësuar zgjedhjet e para të lira në Kosovën e pavarur. Ky ishte një vlerësim i lartë edhe i vendorëve edhe i ndërkombëtarëve, që arritëm standardin shumë të avancuar. Kemi ndërtuar raporte shumë të mira me të gjitha vendet e rajonit. Ne duam të kemi bashkëpunim për çështje konkrete edhe me Serbinë, që janë në interes të të dy vendeve tona dhe të të dy popujve tanë, por edhe vlerave euroatlantike.
“Unë besoj plotësisht në përkushtimet tona dhe autoriteteve të Bashkimit Evropian, por edhe në përkushtimet e Lady Ashton dhe vizionin e saj për rajonin, rajon ky i vlerave euroatlantike dhe evropiane”, pohoi kryeministri Thaçi, duke shtuar se Kosova ka status evropian, ka të ardhme evropiane sikur vendet dhe popujt tjerë të rajonit për tu integruar në strukturat e Bashkimit Evropian.
Edhe znj. Catherine Ashton është pajtuar se Kosova i përket Evropës. “Ky rajon është një prioritet për mua. Ne dëshirojmë të sigurohemi që jemi duke ofruar bashkëpunimin dhe mbështetjen”, pohoi znj. Ashton.
“Ne e dimë që Kosova dëshiron të ecë përpara lidhur me procesin e liberalizimit të vizave dhe gjatë javëve të ardhshme do të vijë një ekip për të bërë një vizitë këtu, në mënyrë që të bëjnë punën vlerësuese. Është me rëndësi që së bashku të ndërtojmë një zhvillim ekonomik që do t’ua mundësojë njerëzve në Kosovë që të arrijnë standard sikurse në Bashkimin Evropian”, ka pohuar znj Ashton.
Last modified: 19 Shkurt, 2010