Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Hashim Thaçi: Roli i gruas ka qenë i domosdoshëm në krijimin e vlerave të përgjithshme shoqërore

8 Mars, 2012

Prishtinë, 8 mars 2012
 
Mbledhja e sotme e Qeverisë së Republikës së Kosovës ka koinciduar me Ditën Ndërkombëtare të Gruas, 8 Marsin. Me këtë rast, Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka përkujtuar se “sot nuk ka si të mos kujtohen emrat e grave që lanë gjurmë të ndritura në historinë e kombit tonë, prej Mbretëreshës Teutë, grave Suljote, motrave Qiriazi, Shotë Galicës, Xhevë Lladrovcit, grave që qëndruan në burgje dhe gjithë atyre që ranë për liri nga radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.
 
Duke përgëzuar gratë dhe nënat kosovare, në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, 8 Marsi, kryeministri Thaçi ka thënë se në Kosovë “gruaja është duke zënë vendin e merituar dhe duke dhënë kontribut në ndërtimin e shtetit të ri të Kosovës. Qeveria e Republikës së Kosovës do të vazhdojë me ndërmarrjen e hapave për avancimin e pozitës së gruas në shoqërinë tonë”.
 
Në mbledhjen e sotme, Qeveria e Republikës së Kosovës ka aprovuar dy projektligje: Projektligjin për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Ndërtim dhe Projektligjin për për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Ndërmarrjet Publike.
 
Projektligji i ri për Ndërtimin lehtëson procedurat e marrjes së lejes së ndërtimit dhe do të jetë një bazë e reformimit të përgjithshëm të akteve juridike për ndërtimin në Kosovë. Ndërsa, Projektligji për Plotësimin dhe Ndryshimin e Ligjit për Ndërmarrjet Publike, rregullon përfaqësimin ndërkombëtarë në ndërmarrjet publike dhe çështjet e pronësisë së ndërmarrjeve publike në Republikën e Kosovës.
 
Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka vlerësuar se miratimi i këtyre ligjeve është në përputhje me agjendën e Qeverisë së Kosovës për të përmbushur të gjitha obligimet që dalin nga Dokumenti i Presidentit Ahtisari dhe për të përmbyllur procesin e pavarësisë së mbikëqyrur.
 
Në mbledhje është aprovuar edhe vendimi për themelimin e Akademisë Diplomatike të Kosovës, e cila parashihet me Ligjin për Shërbimin Diplomatik dhe Konsullor të Kosovës.
 
Akademia Diplomatike e Kosovës do të jetë institucion që do të shërbej brenda Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe do të planifikojë dhe implementojë nevojat për trajnimin e stafit diplomatik të Kosovës, do të bëjë studime diplomatike për nevojat e Ministrisë së Jashtme, do të organizojë konferenca dhe seminare për diplomacinë si dhe do të hartojë dokumente të nevojshme për Ministrinë e Punëve të Jashtme.
 
Qeveria ka vlerësuar se themelimi i kësaj akademie do t’i jap mbështetje të fuqishme Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe diplomacisë kosovare.

Last modified: 8 Mars, 2012

Comments are closed.