Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Hashim Thaçi priti znj.Majlinda Bregu, ministre e Integrimit në Qeverinë e Republikës së Shqipërisë

23 Prill, 2010

Prishtinë, 23 prill 2010

Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi priti në takim ministren e Integrimit në Qeverinë e Republikës së Shqipërisë, me të cilën ka biseduar për bashkëpunimin e dy vendeve në fushën e integrimit dhe zhvillimet tjera në rajon. Në takim mori pjesë edhe ministri për Integrim i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Besim Beqaj.

Kryeministri Hashim Thaçi ka shprehur përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të vazhduar me angazhimet e saja në proceset e integrimit evropian, që e konsideron si një nga prioritete kryesore të qeverisë. Në këtë drejtim, kryeministri Thaçi ka vlerësuar edhe krijimin e Ministrisë së Integrimeve Evropiane në Qeverinë e Kosovës, duke theksuar se kjo është edhe një dëshmi për angazhimin e institucioneve të vendit në këtë proces.

Në takim është rënë dakord për thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve në fushën e integrimit. Është vlerësuar se përvoja e Shqipërisë në këtë proces do të jetë një mbështetje e veçantë për Kosovën në rrugën e saj të integrimit në strukturat euroatlantike. Ky bashkëpunim do të marr rrugë edhe me konsolidimin e Ministrisë së Integrimeve Evropiane të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

 

Last modified: 23 Prill, 2010

Comments are closed.