Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Hashim Thaçi premton dinjitet për mantelbardhët, cilësi të shërbimeve për qytetarët e Kosovës dhe reforma në Shëndetësi

29 Prill, 2008

Prishtinë,  29 prill 2008
 
Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës  Hashim Thaçi të martën  në takim me drejtuesit e klinikave të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës  ka deklaruar se shëndetësia do të jetë prioritet i Qeverisë së Kosovës dhe do të angazhohet seriozisht për të përmirësuar gjendjen në këtë segment të rëndësishëm të shoqërisë sonë.
Kryeministri, Hashim Thaçi, gjatë vizitës në QKUK është shoqëruar nga ministri i Shëndetësisë, Alush Gashi.
 
Në takim me drejtuesit e klinikave të QKU-së kryeministri Thaçi shprehu shqetësimin për gjendjen aktuale që mbretëron në sektorin e shëndetësisë në Kosovë. 
“Dinjiteti i punëtorëve shëndetësor duhet ngritur në nivelin meritor, duhet ngritur kompetencat e drejtuesve të klinikave përmes decentralizimit dhe avancimit të sistemit të funksionimit shëndetësor. Ky sistem duhet të garantojë cilësi të shërbimeve shëndetësore dhe reforma te matshme dhe te kapshme”, theksoi kryeministri Thaçi.
 
Kryeministri vlerësoi se mjetet që ndahen për shëndetësi, në veçanti për barna (11 milion euro), nuk janë shumë, por ato duan menaxhim të mirë dhe përgjegjësi të menaxherëve në planifikim.
“Shëndetësia kërkon ngritje cilësore dhe do të bëjmë krejt çka është e mundur që shëndetësia të jetë e respektuar dhe dinjitoze për qytetarët tanë. Është për të ardhur keq kur pacienti vjen i sëmurë dhe del edhe më i sëmurë nga këto klinika” – tha kryeministri i Qeverisë së Kosovës Hashim Thaçi.
 
“Qeveria ka ndarë mjete financiare dhe vetëm për barna janë shpenzuar mbi 1 milion euro, dhe prapë se prapë, nuk ka barna. Defektet duhet të gjinden dhe duhet të tejkalohen. Janë ndarë mjete për higjienë, sepse higjiena tash për tash është shumë ulët. Do të ndahen mjete edhe për ushqimin për pacientë, sepse ushqimi i tashëm është tepër i dobët”, është shprehur kryeministri Thaçi.
 
Kryeministri Hashim Thaçi ka shprehur angazhimin serioz të qeverisë për të përmirësuar gjendjen që mbretëron në shëndetësinë tonë. Shëndetësia kosovare është një prej prioriteteve kryesore dhe Qeveria e Kosovës do të investojë dhe po investon  edhe më fuqishëm sesa  më herët në këtë sektor.
Kryeministri Thaçi shfaqi bindjen se shëndetësia dhe QKUK-ja ka staf të aftë për përballimin e sfidave aktuale për avancimin dhe përparimin e shëndetësisë kosovare.
 
Drejtuesit e Klinikave të QKUK kanë kërkuar një angazhim të shtuar në furnizimin e rregullt me barna dhe me material shpenzues. Ata kanë theksuar nevojën për reformën e sistemit shëndetësor, sigurimin e kuadrit dhe sigurimin e hapësirave të nevojshëm  për punë normale të klinikave të QKUK-së. 

Last modified: 29 Prill, 2008

Comments are closed.

×