Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Hashim Thaçi: Këto dy vite të shtetit të Kosovës, janë vite të suksesit

16 Prill, 2010

Prishtinë, 16 prill 2010

Fjala e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në takimin e dytë të Forumit të Nivelit të Lartë

I nderuar zv. Kryeministër Kuçi,
Të Nderuar Ministra

Të nderuar ambasador dhe drejtues të Zyrave Ndërlidhëse
I nderuar z. Bjornson

Zonja dhe Zotërinj,

Është kënaqësi për mua që sot ta bëj hapjen e këtij forumi të lartë, në të cilin do të diskutojmë zhvillimet, ngjarjet dhe veprimet që kanë ndodhur dy vite pas Konferencës së donatorëve, që u mbajt në korrik të vitit 2008.

Ky Forum i Nivelit të Lartë është platformë e mirë e rishikimit vjetor dhe vlerësimit të punës që vet Qeveria e Republikës se Kosovës e ka bërë  në përmirësimin e kapaciteteve në koordinimin e donacioneve me qëllim që efektiviteti i asistencës së dhënë te ngritët dhe te përputhet me prioritetet zhvillimore dhe integruese te Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Po ashtu, si konkluzion i Forum i Nivelit të Lartë të kaluar jemi dakorduar bashkërisht që transparenca e donacioneve është e një rëndësie të veçantë.

Ne këtë drejtim që nga viti i kaluar mund t’ju konfirmoj, dhe besoj ju si donatorë jeni në dijeni, ne kemi punuar, bashkërisht me ju si komunitet i donatorëve, ne këtë drejtim.

Ne sot do të prezantojmë dy elemente kryesore në fushën e koordinimit të donacioneve, implementimi i së cilave do të përmbush objektivat e Qeverisë për ngritjen e efikasitetit të ndihmës së jashtme duke e alokuar në drejtim të prioriteteve nacionale, duke e rritur  transparencën dhe duke përmirësuar komunikimin ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe donatorëve.

Pra, sot do të prezantojmë progres në krijimin e grupeve sektoriale dhe grupeve nën-sektoriale dhe funksionalizim e Platformës për Menaxhimin e Ndihmës së Jashtme,
gjithashtu edhe në përmirësimin e politikave fiskale dhe makroekonomike.

Si Kryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës dëshiroj të ritheksoj përkushtimin tonë për të proceduar me reformat e gjithanshme në të mirë të qytetarëve të Kosovës me perspektivë të sigurt për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Zonja dhe zotërinj,

Dëshiroj të shpreh mirënjohjen time për vazhdimin e ofrimit të asistencës shumë të nevojshme dhe të çmuar për vendin tonë përkundër krizës globale financiare që e ka kapluar globin tonë dy vitet e fundit.

Përmbushja e nevojave të qytetarëve tanë për vende pune, për përkujdesje shëndetësore të nivelit më të lartë, arsimim më cilësor, dhe energji të qëndrueshme do të jenë detyra jo edhe të lehta.

Sinqerisht, nevojat e sotme të Kosovës i tejkalojnë kapacitetet e saj për t’i financuar të gjitha nevojat. Por, jemi të zotuar dhe duke punuar që të arrijmë sukses.

Kosova edhe sot ka nevojë për mbështetjen tuaj, ndihmë tuaj, ndihmë teknike, profesionale dhe për mbështetje financiare, në mënyrë që të përballemi me sukses me këto sfida.

Qeveria e Kosovës është përkushtuar të fuqizoj sa më shumë që është e mundur qeverisjen e mirë, stabilitetin politik, i cili ka qenë dhe mbetet një pikësynim kryesor i shoqërisë tonë, i cili edhe është mbajtur.

Gjithashtu vazhdon të mbetet përkushtim i gjitha kritereve demokratike, qoftë politikë, legjislacion apo ekonomi

Vlen të theksohet mbajtja e zgjedhjeve të para lokale pas shpalljes së pavarësisë, ka qenë një sinjal jashtëzakonisht i mirë, një test i shkëlqyeshëm për ne.

Këto zgjedhje ishin një provë shumë e rëndësishme për demokracinë e re në shtetin e ri të Kosovës dhe për këtë dëshiroj të falënderoj të gjithë qytetarët e Kosovës për kontributin e tyre të vazhdueshëm, si dhe mbështetjen e plotë ndërkombëtare dhe observimi nga afër të këtij procesi të rëndësishëm demokratik për institucionet dhe qytetarët e Republikës së Kosovës.

Ne jemi zotuar të vazhdojmë reformat dhe besojmë fuqishëm se zhvillimi dhe integrimi i vendit në familjen e madhe Evropiane janë procese integrale, të cilat e plotësojnë njëra tjetrën.

Për këtë edhe kemi vendosur të themelojmë Ministrinë e Integrimit Evropian e cila do të shërbej si një urë lidhëse ndërmjet komunitetit të donatorëve dhe institucioneve të Kosovës.

Në anën tjetër ne mendojmë që ky vit paraqet një përparim shumë të madh për Kosovën në aspektin e agjendës integruese evropian.

Kosova ka mirëpritur Raportin e Progresit të Komisionit Evropian dhe vlerëson lartë qëndrimin unik të Bashkimit Evropian për miratimin e rekomandimeve të Komisionit për thellimin dhe intensifikimin e Dialogut të Procesit të Integrimit Evropian.

Gjithashtu një sinjal tjetër shumë i rëndësishëm i perspektivës evropiane të Kosovës është fillimi i procesit për një marrëveshje të mundshme tregtare dhe liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Janë këto dy segmente të rëndësishme për shtetin e Kosovës, njëra përbënë rregullimin e tregut të brendshëm dhe tjetra përmirësim adekuat në fushën e sundimit të ligjit. Domosdo që të dyja këto procese janë të lidhura me njëra tjetrën dhe kërkojnë reforma të gjithëmbarshme në fushën e legjislacionit, ndërtimit të institucioneve, luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar, respektimin e plotë të të drejtave të njeriut dhe komuniteteve pakicë që jetojnë në Kosovë.

Më lejoni të theksoj, se në kuadër të luftës kundër korrupsionit Qeveria e Kosovës është e vendosur që ta trajtoj këtë problem në mënyrë të duhur dhe kjo edhe është shprehur me krijimin e task forcës në kuadër të Prokurorisë Speciale të Kosovës.

Vitin e kaluar në po të njëjtin Forum kam theksuar se dëshirojmë të shtojmë progresin në të gjitha fushat. Shembulli në fushën e arsimit – ne jemi duke u munduar të vejmë bazat infrastrukturore dhe humane për të zhvilluar këtë sektor shumë të rëndësishëm të shoqërisë,  për çka edhe jemi duke investuar fuqishëm, por edhe jemi duke thelluar reformën.

Gjithashtu, këtë vit kemi prezantuar objektivat tona për privatizimin e ndërmarrjeve publike, nënshkrimin e një marrëveshjeje prej më të mëdhave në historinë e Kosovës, marrëveshja për ndërtimin e autostradës, investim jashtëzakonisht i fuqishëm, autostradës, Vërmicë-Morinë-Priren-Prishtinë-Merdare. Së shpejti jemi në proces jashtëzakonisht të rëndësishëm të përmbylljes së konzorcionimit të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, pastaj me procesin e privatizimit të Postës  dhe Telekomunikacionit, por gjithashtu kemi bërë hapa të rëndësishëm në sektorin e energjisë.

Të gjitha këto procese jashtëzakonisht të rëndësishme për zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të reja të punës, por edhe perspektivës zhvillimore, janë shumë të rëndësishme për shtetin e Kosovës.

Dua të theksoj se të gjitha këto angazhime do të ndikojnë në përmirësimin e shërbimeve të qytetarëve tanë

Dëshiroj të theksoj se këto procese deri tani kanë shkuar jashtëzakonisht mirë dhe zotohemi edhe në të ardhmen të jenë procese të hapura, legale dhe shumë transparente.

Më lejoni të theksoj gjithashtu që ndihma e çmuar që ofrohet nga ju, ka një rëndësi shumë të madhe për Qeverinë e Kosovës.

Për të lehtësuar sa më shumë mënyrën e dhënies së kësaj ndihme që është e nevojshme për vendin tonë, Qeveria e Kosovës është duke punuar intensivisht për përmirësimin e politikave makroekonomike dhe politikave fiskale.

Po ashtu, është bërë një progres shumë i madh në drejtim të ngritjes së strukturës institucionale për koordinimin me donatorë. Ky progres më tepër se askujt i takon përkushtimit të vazhdueshëm të komunitetit të donatorëve dhe institucioneve përgjegjëse për këtë resor, tash është themeluar edhe Ministria e Integrimit Evropian, nën udhëheqjen e ministrit Beqaj, që besoj se është një fillim jashtëzakonisht i mbarë dhe mund të konkludojmë se shteti i Kosovës po konsolidohet gradualisht dhe ka hyrë në fazën e integrimit.

E di se shumë projekte madhore të rëndësishme zhvillimore për Republikën e Kosovës, janë të parat në nivelin kaq të lartë.

Dua të potencoj fuqishëm se si kryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Qeveria e Kosovës, institucionet e saj, janë të përkushtuara që këto procese të jenë fer, shumë transparente, të diskutueshme dhe debatueshme në kuptimin e opinionit publik, gjë që ka munguar një praktikë e tillë më herët, qoftë për autostradën, aeroportin, qoftë për privatizimit të PTK-së, sektorin e energjisë.

Prandaj, janë vendime, të cilat i kanë munguar shtetit të Kosovës. Një përvojë e tillë i ka munguar institucioneve të vendit tonë dhe jemi të vendosur që të ecim përpara. Këto vendime do të merren në konsulta dhe këshilla të vazhdueshme edhe të prezencës ndërkombëtare dhe dua të potencoj këto dy vite të shtetit të Kosovës, janë vite të suksesit, janë vite edhe të pyetjeve të ndryshme, por Kosova është storie e suksesit të plotë të ballafaqimit dhe, sfidat, të cilat i kemi përpara dhe mbi të gjitha të vazhdohet me  agjendën integruese evropiane.

Ne dje dorëzuam pyetësorin për marrëdhënie tregtare me Bashkimin Evropian.

Kosova që sot është gati të presë edhe udhërrëfyesin e liberalizimin e vizave, prandaj është jashtëzakonisht me rëndësi të nderuar ambasadorë, që të punoni në mënyrë unike për perspektivën evropiane të Republikës së Kosovës.

Ju faleminderit!

Last modified: 16 Prill, 2010

Comments are closed.