Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Hashim Thaçi: “E-Qeverisja”, hap tjetër drejt qeverisjes së mirë dhe efektive në Kosovë

12 Maj, 2008

Përkushtimi ynë për realizimin e Programit të aprovuar për qeverisjen elektronike do të jetë i madh në mënyrë që qytetari dhe biznesi ta kenë shërbimin qeveritar ashtu siç e meritojnë, të shpejtë, në çdo kohë dhe nga çdo largësi, për t’i realizuar kërkesat e tyre të përditshme.
(Fjalimi i Kryeministrit të Qeverisë së Republikës së Kosovës z.Hashim Thaçi në Konferencën “E-Qeverisja”)
 
Prishtinë, 12 Maj 2008
 
Në angazhimin tonë permanent për një zhvillim ekonomik sa më të shpejtë dhe sa më përmbajtjesor të Republikës së Kosovës, padyshim se hyn edhe pjesa e përkushtimit të krijimit të një mjedisi me shërbime sa më të shumta elektronike për qytetarët dhe biznesin në Kosovë.
 
Krijimi i këtij mjedisi të shërbimeve elektronike do t’i mundësojë qytetarit, biznesit por edhe vetë qeverisë, rritje të standardit jetësor, prosperitet dhe zhvillim të shpejtë në të gjitha fushat.
 
Me krijimin e një Kosove elektronike do të jemi pjesë e denjë e një Evrope elektronike.
 
Qeverisja elektronike, si komponentë e rëndësishme e Kosovës elektronike, ka zënë vend të rëndësishëm në Programin e Qeverisë sime gjatë këtij mandati.
 
Asnjëherë më parë qeverisja elektronike dhe teknologjia e informacionit nuk është përfshirë në programet qeveritare, ndërsa ne e kemi vendos si një nga prioritet kryesore.
 
Përkushtimi ynë për realizimin e Programit të aprovuar për qeverisjen elektronike do të jetë i madh në mënyrë që qytetari dhe biznesi ta kenë shërbimin qeveritar ashtu siç e meritojnë, të shpejtë, në çdo kohë dhe nga çdo largësi, për t’i realizuar kërkesat e tyre të përditshme.
 
 Kjo do të krijojë një administratë tepër të efektshme dhe do të ofrojë shërbime transparente dhe në largësi për qytetarët dhe biznesin.
 
Qeverisja elektronike do ta modernizojë administratën tonë dhe do të krijojë një menaxhim efikas dhe me përgjegjësi në të gjitha nivelet e administratës.
 
Shëndetësia përmes elektronikës është një synim tjetër i yni, përmes së cilës ne do të krijojmë intervenime mjekësore nga largësia, siç është rasti i Telemjekësisë.
 
 Pacientëve të Republikës së Kosovës do t’u sigurojmë kartelë shëndetësore dhe do të realizojmë regjistra të shumtë elektronik shëndetësorë, në mënyrë që të gjithë të kenë historikun elektronik shëndetësor.
 
Përfundimisht do të krijojmë një Sistem elektronik shumë efektiv të menaxhimit në shëndetësi.
 
Përkushtim i imi permanent do të jetë e-Arsimi ose arsimi përmes elektronikës.
 
Do të angazhohemi fuqishëm për të vendosur bazat për një shkollim përmes elektronikës në të gjitha nivelet e arsimit.
 
Ne kemi filluar Projektin e kompjuterizimit të shkollave të Republikës së Kosovës dhe do ta vazhdojmë me këmbëngulësi deri në realizimin e plotë të tij.
 
Do të mbështesim realizimin e projekteve për krijimin e bibliotekave elektronike për të krijuar hapësira të reja shumë të efektshme për nxënien e dijës.
 
Do të krijojmë një sistem elektronik gjithëpërfshirës të menaxhimit të procesit të arsimit në përgjithësi.
 
Me projektet për një arsimim përmes elektronikës, do të ngrisim nivelin e arsimimit në shkallën më të lartë të mundshme.
 
Në shkollat dhe universitet e Kosovës lëmia e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit do ta ketë hapësirën e merituar, në mënyrë që të kemi kuadro të afta dhe të mjaftueshme për Kosovën elektronike, për Qeverisjen elektronike e pse jo edhe për Evropën elektronike.
 
Drejtësia dhe Siguria përmes elektronikës është një zotim tjetër që ne do të merremi seriozisht gjatë mandatit tim. Krijimi i Sistemeve efikase të sigurisë dhe të drejtësisë, do të krijojnë një mjedis shumë më të sigurt dhe një menaxhim elektronik të proceseve të drejtësisë dhe sigurisë në Republikën e Kosovës.
 
Sistemet elektronike të ngritura do të mundësojnë menaxhim shumë më të efektshëm në pikat kufitare, do të krijojnë dogana efikase, menaxhim të rreziqeve natyrore etj.
 
Transparenca dhe efikasiteti në këto dy fusha do të arrihen përmes përkushtimit tonë permanent në këtë drejtim.
 
Përmes shërbimeve të ndryshme elektronike dhe masivizimit të tyre përmes internetit, ne jo vetëm që do të jemi tek qytetari, por edhe qytetarit po ia krijojmë mundësinë e pjesëmarrjes së drejtpërdrejt në procesin e rëndësishëm të qeverisjes së vendit.
 
Kjo pjesëmarrje elektronike (e-pjesëmarrja) do ta bëjë qytetarin shumë aktiv në vendimet e rëndësishme, qofshin ato politike apo jo politike.
 
Krijimi i mundësisë që të votohet në mënyrë elektronike (e-Votimi), do të krijoj një demokraci elektronike (e-demokracia) dhe me këtë rast Republika e Kosovës do të demokratizohet edhe më shumë.
 
Në këtë mënyrë Kosova do t’i arrijë standardet evropiane të demokracisë.
 
Unë dhe Qeveria ime do të mbështesim procesin e masivizimit të Internetit në Kosovë.
 
Rrjeti qeveritar në të gjitha nivelet do të fuqizohet. Rrjeti aktual i UNMIK-ut do të kalojë nën menaxhimin e Qeverisë së Kosovës, përkatësisht të Ministrisë së Shërbimeve Publike, përmes së cilit do të shërbehen të gjitha institucionet qeveritare të Republikës së Kosovës.
 
Po ashtu kemi për synim edhe masivizimin e rrjetit qeveritar përmes kabllos optike.
 
Qeveria e Kosovës do të krijojë hapësira të reja për operator të ndryshëm në fushën e telekomunikacionit, përfshirë këtu edhe Sistemin e teknologjisë së lartë WiMAX.
 
Ekspertët e qeverisjes elektronike (e-Qeverisjes) dhe teknologjisë së informacionit deklarojnë shpesh se për arritjen e këtyre qëllimeve duhet plotësuar disa parakushte.
 
Ne kemi në konsideratë këto parakushte.
 
Mbështetja politike është e plotë.
 
Hartimi dhe realizimi i Strategjisë për qeverisjen elektronike ka filluar. Ne kemi angazhuar ekspertët tanë që së bashku më UNDP-në dhe organizata të tjera që kanë shprehur dëshirë të kontribuojnë, për hartimin e Strategjisë për e-Qeverisje.
 
Paketa e ligjeve për qeverisjen elektronike do të kompletohet.
 
Do të krijojmë hapësira të reja për zgjerim të mjedisit telekomunikues.
 
Do të ketë trajtim adekuat për stafin e teknologjisë së informacionit në administratën publike.
 
Së fundi, dëshiroj që në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, ti falënderoj të gjitha vendet e botës dhe organizatat e ndryshme ndërkombëtare, që kanë dhënë kontributin e tyre shumë të çmuar, për zhvillimin e projekteve të caktuara në fushën e qeverisjes elektronike dhe teknologjisë së informacionit.

Bashkëpunimi me ju nga ana e Qeverisë sime nuk do të mungojë asnjëherë.

Last modified: 12 Maj, 2008

Comments are closed.

×