Prishtinë, 23 mars 2001
Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka marr pjesë sot në takimin e radhës të Grupit Ndërministror për Decentralizim, në të cilin është prezantuar Plani Aksional, Raporti i Progresit dhe Termat e referencës së Ekipit Përgatitor të Mitrovicës.
Në vazhdim po e japim të plotë fjalimin e kryeministrit Hashim Thaçi në këtë takim.
I nderuar z. Feith,
Të nderuar Ambasadorë,
I nderuar Zëvendëskryeministër&Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal z. Petrovic
Ministra,
Anëtarë të grupit punues,
Përfaqësues dhe ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë,
Ju falënderoj për pjesëmarrjen tuaj në këtë takim dhe më këtë rast dua të shpreh edhe një herë përkrahjen e qeverisë për procesin e rëndësishëm të decentralizimit.
Decentralizimi mbetet çështje kyçe për një qeverisje më të mirë dhe efikase, sepse përmes decentralizimit të pushtetit ne arrijmë të ofrojmë shërbime më të mira publike në të gjitha sektorët dhe për të gjithë qytetaret e Republikës së Kosovës.
Qeveria e Republikës së Kosovës është zotuar të krijoj një ambient ku toleranca, dialogu dhe mirëkuptimi ndërmjet të gjitha komuniteteve që jetojnë në vendin tonë të jetë parimi i parë i bashkëjetesës.
Në këtë aspekt, Kushtetuta e Republikës së Kosovës është dhe mbetet një nga kushtetutat më të avancuara në rajon dhe më gjerë në aspektin e ofrimit dhe garantimit të drejtave të qytetarëve tonë.
Ne vazhdojmë të mbesim të përkushtuar për shtetin dhe shoqërinë tonë multietnike dhe në këtë drejtim, rezultatet e deritanishme janë inkurajues dhe shumë të prekshme.
Krijimi i komunave të reja ka lehtësuar shumë jetën e qytetarëve tonë, duke ju mundësuar që përmes qeverisjes lokale të prekin pushtetin dhe qeverisjen.
Decentralizimi është pa dyshim parim i botës demokratike, i cili do ta shpie Kosovën më afër vlerave perëndimore.
Decentralizimi iu mundëson qytetarëve që të kenë ndikim të drejtpërdrejt në vendim-marrje për çështjet praktike, si ato të kujdesit shëndetësor, arsimimit, shërbimet komunale dhe ndërtimin e infrastrukturës rrugore.
Shfrytëzoj rastin të përshëndes të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe ju garantoj se Kosova është dhe do të mbetet shtëpi jo vetëm për shqiptarët si shumicë, por edhe për të gjitha komunitet tjera minoritare si Serbë, Boshnjakë, Turq, Goran, Roma, Ashkali, Egjiptian dhe të gjitha komunitetet tjera që jetojnë në këtë vend.
Republika e Kosovës është e shquar për shumëllojshmërinë kulturore, si të shtëpive tradicionale, ndërtesa monumentale, kështjella, ura, kisha, xhamia, manastire, teqe, tyrbe, hamame, kulla dhe të tjera të cilat e bëjnë Kosovën një vend shumë më atraktiv.
Qeveria e Kosovës ka krijuar kornizën e saj ligjore për mbrojtjen e këtyre objekteve që i përkasin trashëgimisë kulturore, dhe Policia e Kosovës ka përgjegjësinë e sigurisë për një numër të konsiderueshëm të këtyre objekteve mirëpo që gjithmonë kërkon edhe mbështetjen nga komunitetet lokale.
Institucionet e Kosovës kanë ndërmarr hapat e nevojshme drejt zhvillimit të sistemit arsimor që garanton mbrojtje dhe promovimin e të drejtave arsimore për komunitetet, në përputhshmëri më ligjet e zbatueshme dhe standardet ndërkombëtare, përmes Legjislacioni në fuqi që ofron të drejta gjithëpërfshirëse për arsimimin publik të minoriteteve në çdo nivel në një gjuhë zyrtare sipas zgjedhjes së tyre.
Kompetencat për mirëqenie sociale janë transferuar tek komunat dhe kujdesi primar shëndetësor në tërë Kosovën është nën menaxhimin e komunave.
Të gjitha këto përpjekje janë që të bëjmë Kosovën një vend të sigurt dhe atraktiv për të gjitha komunitet si dhe të rrisim numrin e të kthyerve në Kosovë.
Ju përgëzoj për punën e bërë si Grup Ndërministror, Zëvendëskryeministër Petrovic, z. Feith, ministrat anëtarë të grupit si dhe të gjitha grupet punuese.
Të nderuar të pranishëm,
Decentralizimi i pushtetit është një proces i vështirë dhe i ndjeshëm në çdo vend, andaj suksesi i tij varet nga përgatitjet serioze dhe profesionale të cilat edhe jemi duke i bërë.
Ne si institucione të Kosovës, kemi miratuar legjislacionin më të avancuar për të drejtat e komuniteteve, decentralizimin dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore. Por vetëm ligjet nuk mjaftojnë. Ato duhet të shndërrohen në veprime dhe shërbime konkrete për qytetarët.
Qeveria e Kosovës, përmes Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, do të vazhdojë të monitorojë së afërmi zbatimin dhe ushtrimin e kompetencave të bartura.
Jemi të vetëdijshëm që zbatimi i decentralizimit dhe formimit të komunave të reja në terren nuk ka qenë dhe nuk do të jetë i lehtë.
Por, ne jemi të vendosur që përmes konsultimeve dhe sqarimeve shtesë edhe me popullatën shumicë dhe pakicë, të jetësojmë këtë projekt deri në fund.
Prandaj, këtë vit është thelbësore që të vazhdojmë me krijimin e komunës së re të Mitrovicës së veriut ashtu siç e parasheh Plani i Ahtisarit, dhe formimi i Bordit të Përbashkët të dy komunave në Mitrovicë.
Natyrisht, që do të jem këmbëngulës që pas themelimit të komunës së re të Mitrovicës së veriut, duhet që të përgatitim që të gjithë qytetarëve që jetojnë në komunat në veri të Kosovës t’iu mundësojmë zgjedhje të lira dhe transparente në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Për ta bërë këtë realitet, ne duhet që bashkë më ICO dhe EULEX të vendosim sundimin e rendit dhe ligjit. Koha nuk pret dhe vonesat janë të papranueshme.
Në fund, duke ju përgëzuar edhe njëherë për punën e bërë, ju inkurajoj që të vazhdoni punën me përkushtim edhe më të lartë.
Faleminderit!