Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Haradinaj: Vlera e lirisë duhet të jetë e respektuar ashtu siç i takon

5 Maj, 2019

Pejë, 5 maj 2019

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në Tubimin Përkujtimor me rastin e 5 Majit – Ditës së dëshmorëve të Kombit, në nderim të 183 Dëshmorëve të Komunës së Pejës, që u organizua nën përkujdesjen e kryeministrit të Kosovës.

Fillimisht kryeministri Haradinaj dhe bëri homazhe te pllaka përkujtimore e Dëshmorëve të Kombit  të Komunës së Pejës dhe te shtatorja e Heroit të Kombit, Shkëlzen Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj në fjalën e tij pasi përshëndeti të gjithë të pranishmit tha se vlera e lirisë duhet të jetë e respektuar ashtu siç i takon.

Më tej kryeministri Haradinaj tha se gjatë vitit ’99 kur është kthyer në Pejë ka parë vetëm shkrumb e hi, por që era i vinte liri, pra era e të gjitha atyre shkatërrimeve nuk ndihej, por ndihej era e lirisë.

Një fjalë para të pranishmëve e mbajtën presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, derisa në emër të familjarëve të dëshmorëve të pranishmit i përshëndeti, Myzaqete Kelmendi.

Fjala e plotë e Kryeministrit Haradinaj:

Në vitin 1999 në qershor kur kam ardhur këtu, e kam parë Pejën shkrumb e hi, veç era i vinte liri, era e shkrumbit, djegies e krejt shkatërrimeve nuk u ndihej, por ndihej era e lirisë. Është një dallim i një Peje çfarë e ka synuar pushtuesi atëherë e të një Peje çfarë e ka krijuar liria. Pushtuesi e ka pas qëllim Pejën për bazë të vetën të fortë, për një adresë të vetën në vazhdimësi, për një pikë që na mban në kontroll gjatë e përherë, po bijtë e bijat juaja të Pejës, të rrafshit e të Rugovës e kanë ndryshuar në qershor të ’99-ës.
Kjo liri e këtillë ishte me plot dhimbje, ishte me plot vuajtje, plotë shkatërrime, plotë të paditura, për fat të keq nuk ishim aq vigjilent dhe të kujdesshëm që mos të lejojmë më ndodh vëlla-vrasje në Pejë e në zonën tonë dhe vrasje të tjera të pasluftës ku kemi humb shumë bashkëluftëtarë, shumë njerëz të respektuar që është e pa tolerueshme, e papranueshme. Por, besoj jemi mbush mend, populli i Pejës e din që nuk ka ma mirë se me dashtë tëndin, njërin tënd, qytetarin tënd, se kur ishin kohët e  vështira të ’98 e ’99 ju e dini sa i vlefshëm ish vëllai, motra çdo njëri që të bëhej krah me i dal përballë pushtuesit, një pushtues i egër, një pushtues i cili për qëllim e kishte shfarosjen tonë, për qëllim e kishte me mbajt Pejën tonë për veti, në mënyrë që përmes Pejës tonë me na mbajt në kontroll kudo që jemi.

Historia na ka mësuar, poashtu që kur jemi të vendosur, kur e kemi qëllimin e drejtë na ndihmon edhe Zoti. E vërtetë na ndihmoi Zoti, NATO, Amerika edhe u çliruam. Sot jemi të lirë, sot jemi në Pejën tonë. Unë sa herë në vijë në Pejë, me punë për përvjetor, qoftë për qejf, kurrë nuk më hiqet prej mendje pamja që e kam parë prej këtij ballkoni këtu, të Pejës atëherë në qershor.

Ka qenë një mbrëmje qershori nuk shihej asnjë dritë, ende shiheshin zjarre të shtëpive, njëkohësisht gjatë dy-tri ditëve të para në krejt qytetin nuk ka pas banorë. Peja me shpejtësinë më të madhe ka rikthyer vetën dhe është në këmbë.
Historia e shqiptarëve si e Pejës, nuk ka trevë të atdheut tonë që nuk e ka pas qëllim pushtuesi dhe në çdo pjesë të atdheut tone është munduar të vendosë bazat e veta që të na mbajë përgjithmonë.

Fatmirësisht është ruajt ajo që është ruajt te shqiptarët, shqiptari edhe këtu edhe në Shqipëri e kudo që është, është i vetëdijshëm për të drejtën e vet në Ballkan dhe të drejtën që i takon si popull në botë.
Nuk është marre me thënë se ne jemi këtu, jemi Evropë, i takojmë Evropës, edhe Evropa duhet me dit se jemi Evropë se është interesi i dy palëve, jo me na pa me sy tjetër, njëkohësisht edhe në botë e dimë kujt i takojmë, i kemi thjeshtësuar gjërat, ne i takojmë botës që udhëheq Amerika.

E pse kësaj bote?, – sepse me 24 mars ’99 Amerika me këtë botë na doli në krahë në kohë të vështira. Tash në punë e qeverisje nuk është se krejt punët i kryejmë më së miri, më vjen mirë që kategoritë e lirisë, për veteranët dhe invalidët është bërë zgjidhje ligjore, janë disa pikëpyetje të hapura, por nuk do të koritemi do të qëndrojmë afër bashkëluftëtarëve. Njëkohësisht e kemi bërë një zgjidhje që është modeste por i kemi trajtuar me respekt viktimat e dhunës seksuale, të dhunuarat nga forcat pushtuese që mendohet të jenë rreth 20 mijë dhe për këtë kemi marrë lëvdata nga krejt bota dhe jemi në proces e sipër me përmbyll ligjin për familjet e martirëve dhe të pagjeturve.

Nuk është marre me i thanë të vërtetat. Jemi të gëzuar që e kemi fituar lirinë tonë, vendin tonë, ne duam të forcojmë lirinë dhe do ta forcojmë lirinë e Kosovën, jo veç me ushtri, taksë e me Trepçë, por nuk do të ndalemi me punë tona në vendin tonë, jemi të interesuar për fqinjësi, për të jetuar në paqe në Ballkan, por është gabim pozicioni i Serbisë për t’i mohuar krimet, është tepër gabim, nuk shkohet kështu përpara.
Janë mbi 400 masakra në Kosovë, gra, fëmijë e pleq, të gjitha moshave, të dy gjinive dhe të gjitha besimeve. Mohimi i krimeve duhet me qenë alarm edhe për Evropën edhe për Amerikën, ai që i mohon po e bën terrenin me i bë prapë, nuk guxon bota e qytetëruar, ajo që u ngrit në këmbë e bombardoi Serbinë, me ja leju udhëheqjes së Serbisë me i mohuar ato krime, është tepër e padrejtë.

I bëjë thirrje gjitha kryeqyteteve të BE-së edhe Uashingtonit zyrtar që të mos lejojmë udhëheqjen  sotme të Serbisë me i mohuar krimet. Parlamenti ynë, populli i Kosovës, ne, bijtë dhe bijat e atyre që e dimë çka i ka ndodhë popullit tonë, nuk do të lejojmë kurrë këtë.
Ne çdoherë kemi me vërtetuar se në Kosovë ka ndodhur gjenocid, ka ndodhur spastrim etnik, gjysma e popullit tonë 1 million njerëz janë përzënë nga Kosova, janë përzënë pasi që janë keqtrajtuar, pasi ju kanë marrë anëtarë të familjes dhe ju kanë pushkatuar. Edhe ata që kanë mbetur në Kosovë janë detyruar me u fsheh kanë kaluar nëpër ankthe e tmerre, nuk është në rregull të lejohet të mohohen krimet.

Po i dëgjoj disa që po thonë se është vonë me kërku drejtësi. Edhe pas qindra vjetëve popujt e kanë nxjerrë të drejtën e vet, nuk është vonë me nxjerr të drejtë tënde kurdo kur të jepet mundësia për të nxjerrë atë të drejtë.  Ne kemi qenë të pushtuar mbi 100 qind vjet por erdhi ’99-ta e nxorëm lirinë. Kemi mundur edhe atëherë me thënë vonë, por jo nuk është vonë me nxjerrë të drejtën tënde.

Të nderuar familjarë të dëshmorëve e të martirëve, kemi shumë rrugë për të bërë bashkë si popull, por mbrapa nuk kthehemi më kurrë. Pra, vetëm nga këtu e përpara, jo prej këtu e para ’99-ës.
Lavdi të rënëve për liri! Faleminderit!

Last modified: 5 Maj, 2019

Comments are closed.