Zyra e Kryeministrit

Konferencë shtypi e Koordinatorit të Paktit të Stabilitetit për Kosovë – Besim Beqaj

29 Shkurt, 2008

Prishtinë, 29 shkurt 2008
 
Koordinatori i Paktit të Stabilitetit për Kosovë, Besim Beqaj në një konferencë shtypi të mbajtur sot, ka shpjeguar para gazetarëve rrjedhën e takimit në Tryezën Rajonale të Paktit të Stabilitetit për Evropën Juglindore në Sofje ku ai kishte marrë pjesë në cilësinë e përfaqësuesit të Qeverisë së Republikës së Kosovë.

“Ne e kemi marrë fjalën në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Unë kam dërguar porosinë në emër të Qeverisë së Kosovës dhe të Kryeministrit Thaçi se Kosova dëshiron të ketë raporte të mira dhe bashkëpunim rajonal të plotë me të gjitha vendet, duke përfshirë edhe Serbinë dhe që Kosova do të jetë promovues i stabilitetit rajonal dhe jo  konsumues i stabilitetit rajonal”, tha Beqaj.

Besim Beqaj, tha se edhe përkundër përpjekjeve të përfaqësuesve të Serbisë, ata  nuk kanë  mundur ta bllokojnë përfaqësuesin e Kosovës që të flasë në emër të shtetit në Takimin e fundit të Tryezës Rajonale të Paktit të Stabilitetit për Evropën Juglindore dhe Takimin përurues të Këshillit për Bashkëpunim Rajonal mbajtur në Sofie me 27 Shkurt si dhe Takimi i Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të SEECP-së (Procesit të bashkëpunimit të Evropës Juglindore).

Koordinatori i Kosovës në PS i cili mekanizëm në të ardhmen do të quhet Këshilli për Bashkëpunim të Vendeve të Rajonit, ka thënë se Qeveria është duke u koordinuar me Institucionet Ndërkombëtare që në takimet e ardhshme, Kosova të përfaqësohet si shtet i pranuar ndërkombëtarisht, e jo në cilësinë e mysafirit, siç ka qenë rasti me këtë Konferencë.

“Ministri serb Vuk Jeremic ndaj Kosovës ka përdorur një gjuhë e cila nuk është diplomatike dhe nuk është vlerësuar shumë mirë dhe në momentin kur unë e kam marrë fjalën në të dy takimet, ai me tërë stafin e tij e ka lëshuar dhomën e takimeve. Rajoni dhe Evropa nuk pranojnë përjashtime”, tha Beqaj. 

Last modified: 29 Shkurt, 2008

Comments are closed.

×