Zyra e Kryeministrit

Komunikatë për media

11 Korrik, 2023

Prishtinë, 11 korrik 2023

Fokusi kryesor i takimit tё djeshёm nё Bratisllavё i zëvendëskryeministrit të Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi me Pёrfaqёsuesin e Lartё tё Bashkimit Evropian, z. Lajçak ishte krijimi i parakushteve pёr pёrforcim tё fokusit nё zbatimin e plotё dhe tё pakusht tё Marrёveshjes Bazike tё 27 shkurtit dhe aneksit tё Ohrit tё datёs 18 mars. Nё kёtё kontekst është arritur dakordimi sa vijon:

• Qeveria e Kosovёs publikisht e tregon gatishmёrinё e saj pёr tё kontribuar nё deeskalimin e situatёs dhe mosndёrmarrjen e veprimeve qё mund tё eskalojnё situatёn nё veriun e vendit. Kjo pёrfshin njё zvogёlim tё menjёhershёm për 25% tё prezencёs policore nё dhe rreth ndёrtesave komunale.

• Policia e Kosovës bashkё me EULEX-in dhe KFOR-in, sipas nevojës do të vlerёsojnё gjendjen e sigurisё, nё veçanti pёr tё shikuar mundёsinё pёr zvogёlim tё mёtejmë tё prezencёs policore nё dhe rreth ndёrtesave komunale.

• Qeveria e Kosovёs pёrmes njё deklarate publike mbёshtet mbajtjen e zgjedhjeve tё parakohshme nё 4 komunat nё veri tё vendit dhe atё pas stinёs sё verёs. Kosova shpreh pёrkushtimin pёr sigurimin e bazёs sё nevojshme ligjore pёr tё mundёsuar organizimin e kёtyre zgjedhjeve.

• BE do ftojё dy kryenegociatorёt nё Bruksel me synim finalizimin e planit tё sekuencimit pёr Marrёveshjen drejt Normalizimit, pas tё cilit do tё fillojё zbatimi i tё gjitha neneve tё marrёveshjes.

Veprimet e sipёrpёrmendura do tё finalizohen brenda njё periudhe dyjavore.

Last modified: 12 Korrik, 2023

Comments are closed.

×