Zyra e Kryeministrit

Kabineti i ri qeveritar zhvilloi mbledhjen e parë

12 Dhjetor, 2014

Prishtinë 12 dhjetor 2014

Nën drejtimin e kryeministrit Isa Mustafa, kabineti i ri qeveritar i Republikës së Kosovës, ka zhvilluar mbledhjen e parë të rregullt në të cilën është bërë konstituimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe është shqyrtuar Programi i Qeverisë dhe Plani Vjetor i Punës për vitin 2015.

Kryeministri Isa Mustafa ka hapur mbledhjen duke iu drejtuar kabinetit qeveritar me urimin për punë të suksesshme në detyrat dhe përgjegjësitë e pranuara.  Ai ka shprehur bindjen e plotë se angazhimi i të gjithëve do të rezultojë me sukses.

Kryeministri ka shprehur gatishmërinë e kabinetit të ri qeveritar për të bashkëpunuar me të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës, dhe ka shprehur mirëseardhje të veçantë për përfaqësuesit e komunitetit serb në Kosovë. Kryeministri Isa Mustafa ka shprehur falënderimin edhe për punën e deritashme të ish-kryeministrit Hashim Thaçi dhe të kabinetit të tij qeveritar.

Në vazhdim të fjalës së tij, kryeministri Isa Mustafa ka njoftuar anëtarët e kabinetit për Programin e Qeverisë, i cili është harmonizuar plotësisht mes partnerëve qeveritar. Ky program është shpërndarë te të gjithë  anëtarët e kabinetit dhe duhet të shqyrtohet në ministri për të identifikuar prioritetet, afatet e realizimit dhe kostot e tij. Pas këtij shqyrtimi, Programi do të aprovohet nga Qeveria dhe do të prezantohet në Kuvendin e Kosovës.

Në mbledhje, kryeministri ka njoftuar kabinetin qeveritar edhe me angazhimet e përgatitjes së Planit Vjetor të Punës për vitin 2015, i cili duhet të finalizohet deri në gjysmën e muajit janar 2015.

Në mbledhjen e radhës, e cila planifikohet të mbahet më 17 dhjetor 2014, të mërkurën,  do të rishqyrtohen dhe do të ri procedohen projektligjet e mbetura në procedurë në Kuvendin e Kosovës.

Në fund të mbledhjes, zëvendëskryeministri Branimir Stojanovic, në emër të përfaqësuesve të komunitetit serb në Qeverinë e Republikës së Kosovës, ka shprehur gatishmërinë e bashkëpunimit konstruktiv dhe të sinqertë në të gjitha fushat e veprimit.

 

Last modified: 12 Dhjetor, 2014

Comments are closed.

×