Zyra e Kryeministrit

Investimet në efiçiencë të energjisë në Viti, për shkolla më të ngrohta dhe banesa më dinjitoze

6 Maj, 2025

Viti, 6 maj 2025

Pas Gjilanit, Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministren në detyrë të Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe përfaqësues nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE), vizitoi komunën e Vitisë, ku pa nga afër investimet që po realizohen në objekte arsimore dhe banesa sociale, që ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e jetës së qytetarëve.

Përmes një investimi prej rreth 600 mijë euro, janë duke u renovuar katër shkolla të cilat janë “28 Nëntori”, “Njazi Rexhepi”, “Mirali Sejdiu”, “Dëshmorët e Lubishtës” e gjithashtu edhe Qendra për Punë.

Sot u vizituan dy nga këto objekte: Shkolla 28 Nëntori, e ndërtuar në vitin 2005, dhe Shkolla Njazi Rexhepi, e ndërtuar në vitin 2010.

Përveç këtyre projekteve në proces, në Komunën e Vitisë janë përfunduar me sukses edhe renovimet në tri shkolla tjera: “Bafti Haxhiu” në Viti; “Ndre Mjeda” në Kabash dhe “Hysen Tërpeza” në Tërpezë me një investim shtesë prej 312 mijë euro.

Këto projekte janë pjesë e një programi gjithëpërfshirës të Qeverisë për rritjen e efiçiencës në nivel vendi dhe po implementohen nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, me mbështetje 90% nga Qeveria e Republikës së Kosovë përmes Bashkimit Evropian, dhe pjesëmarrje komunale prej 10%. 

Prononcimi i kryeministrit Kurti në banesat sociale: 

Jemi këtu bashkë me ministren e Ekonomisë Artane Rizvanolli dhe me udhëheqësit e Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, në komunën e Vitisë, tek një banesë sociale e cila është ndërtuar në vitin 2013 por nuk i ka patur kushtet e dinjitetshme. Tash pas renovimeve që po i bëjmë, do ta kenë fresk verës e ngrohtë dimrit dhe ky investim total në dy ndërtesa, është afër 600 mijë euro, për 55 familje, apo për 200 banorë të Vitisë përafërsisht. Ndërtesa e parë, pra është ndërtuar në vitin 2013, ndërkaq ndërtesa tjetër në vitin 1993. Në të parën 25 familje, në të dytën 30 familje dhe në këtë ndërtesë që është prapa meje e vitit 2013, sipërfaqja e gjithmbarshme është 1662 metra katrorë, ndërkaq në atë tjetrën është më e madhe gati dyfishi, 3238 metra katrorë.

Dëshirojmë që të kemi banesa të mira, të këndshme për banorët, sidomos për nënat vetushqyese që janë edhe kryefamiljare që patëm rastin edhe t’i takojmë, sepse ata rrisin fëmijët e tyre këtu, ato dëshirojnë që të kenë natyrisht kushte të mira jetese dhe pikërisht për këtë gjë unë e falënderoj Ministrinë e Ekonomisë për investimet që po i bën prej izolimit të jashtëm, termoizolimit dhe ndërrimit të dritareve e deri tek çatitë e reja.

Është lajm i mirë si për Komunën e Vitisë, gjithashtu edhe për këto familje të cilat natyrisht po e transformojnë jetesën e tyre në të njëjtin objekt.

Prononcimi i kryeministrit Kurti në shkollën “Njazi Rexhepi”:

Pas shkollës ‘’28 Nëntori’’, e cila është ndërtuar para 20 vjetëve, jemi këtu te shkolla ‘’Njazi Rexhepi’’, e cila është ndërtuar para përafërsisht 15 vjetëve dhe në Komunën e Vitisë si Qeveri po investojmë 600 mijë euro në renovimin e gjithsej 4 shkollave dhe të një qendre për punë. Duhet theksuar që të dyja këto shkolla, pas intervenimeve do të kursejnë mbi 70 për qind të energjisë elektrike, do të ulen shpenzimet ndjeshëm nga aspekti operativ dhe gjithashtu do të përmirësohen kushtet për 500 nxënës e mësimdhënës. 

Bashkë me ministren Artane Rizvanolli e gjithashtu edhe me udhëheqësen e njësisë së projekteve të sektorit publik në Fondin e Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, Njomza Maraj, i vëzhguam punimet që po kryhen, izolimet e jashtme, ndërrimin e dritareve, ndërrimin edhe të kaldasë nga ajo me dru tek ajo me pelet e po ashtu edhe termoizolimi.

Prandaj ishte kënaqësi që të shohim se si po transformohen shkollat sa i përket kushteve gjithnjë e më të dinjitetshme për jetë, banim e punë, por presim që kjo të reflektohet po ashtu edhe në mirëqenie të gjithmbarshme e në cilësi të mësimdhënies e të mësimnxënies.

 

Last modified: 6 Maj, 2025

Comments are closed.