Prishtinë, 21 nëntor 2018
Në emisionin “Frontal” të televizionit T7, kryeministri Haradinaj foli për taksën e vendosur ndaj produkteve serbe dhe atyre të Bosnjës dhe Hercegovinës
I pyetur se derisa është pritur dhe bërë presion që të hiqet taksa e vendosur më parë prej 10 për qind, kjo taksë u fuqizua më shumë, kryeministri Haradinaj tha se më dëshirë do të hiqej edhe ai 10 për qindëshi, sikurse do të ishin krijuar argumente për të.
“Ne i kemi sqaruar argumentet për vendosjen e taksës. Mosrespektimi i Kosovës në marrëveshjen e CEFTA-s, mënyrat e pengimit të produkteve tona për të depërtuar në Serbi, pa marrë parasysh ankesën tonë në CEFTA dhe BE”, ka thënë kryeministri Haradinaj, duke shtuar se Kosova po pëson edhe humbje të madhe në moszbatimin e marrëveshjes për energji.
Kryeministri Haradinaj, më tutje tha se jemi në një situatë të një agresiviteti të madh të Serbisë në plane të ndryshme, edhe të sigurisë dhe se në mbrojtje të interesit kombëtar, si një e drejtë, është ndërmarrë veprimi i radhës, i cili është paralajmëruar në të kaluarën.
Taksa nuk do të hiqet, pa u respektuar Kosova, si në planin e brendshëm, poashtu edhe në atë të jashtëm”, tha kryeministri Haradinaj.
Kryeministri Haradinaj tha se Kosova vuan pasojat e marrëdhënieve të këqija tregtare me Serbinë, sepse kjo e fundit shet rreth 500 milionë mall në Kosovë dhe në vend se të respektoj konsumatorët e saj, ajo vazhdon me agresivitetin e vet shkatërrues ndaj Kosovës.
“Ju bëj thirrje tregtarëve që të mos sillen dhe keqpërdorin situatën e krijuar, t’i respektojnë konsumatorët e vet, të rrisin importin nga drejtime dhe burime të tjera, sepse lëndë të parë ka gjithkund në botë sot”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se duhen përdorur edhe prodhimet vendore që ekzistojnë në treg.
Kryeministri Haradinaj tha se këtë vendim e ka marrë në konsultim me partnerët partiakë.
Intervista e kryeministrit Haradinaj, mund të ndiqet e plotë në videon e bashkëngjitur.
Last modified: 21 Nëntor, 2018