Zyra e Kryeministrit

Intervista e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti për Die Welt

27 Gusht, 2022

Më poshtë gjeni artikullin e plotë të publikuar me 26 gusht në “Die Welt” nga intervista e Kryeministrit Kurti realizuar me 17 gusht me gazetarin Christoph B. Schiltz.

Për shkak të provokimeve të shenjezuara nga Serbia, kryeministri i Kosovës Albin Kurti kërkon në bisedën me gazetën WELT rritjen e forcës mbrojtëse të NATO-s – dhe më shumë ushtarë gjermanë. Për arsye se shteti fqinj është i lidhur ngushtë politikisht dhe ushtarakisht me Rusinë.

WELT: Kryeministër, shteti juaj ka rreth 1.8 milionë banorë. Cilat janë tre sfidat më të mëdha?

Kryeministri Kurti: Së pari, ne kemi nevojë për investime të huaja direkte dhe lidhur me këtë vende të reja pune, veçanërisht për të rinjtë. Të hyrat nga tatimet së fundmi janë rritur me 34 për qind pa ndryshuar politikën fiskale. Njerëzit janë të gatshëm të paguajnë përsëri më shumë taksa sepse e dinë se kjo qeveri nuk është e korruptuar. I inkurajoj të gjitha kompanitë evropiane që të investojnë në Kosovë. Kemi parqe të teknologjisë si në Prizren, rritje të lartë të eksporteve dhe një fuqi punëtore të re dhe të aftësuar mirë. Së dyti, duhet të marrim masa edhe më të ashpra kundër korrupsionit. Gjyqësori dhe ndjekja penale duhet të jenë edhe më efikase. Megjithatë, ka përmirësime të rëndësishme: ne jemi rritur për 17 vende në Indeksin e Korrupsionit të Transparency International, si dhe në Indeksin e Lirisë së Shtypit të Reporterëve pa Kufij. Dhe sipas Projektit Botëror të Drejtësisë (World Justice Project), ne renditemi të parët nga të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor në parimet e shtetit të së drejtë.
Sfida e tretë është: Serbia është një kërcënim për ne. Ajo po ndërton struktura ilegale, veçanërisht në veri të Kosovës, dhe vazhdon të mbajë lidhje shumë të ngushta me Rusinë.

WELT: Ju po ndiqni një politikë reciprociteti ndaj Beogradit. Konkretisht, kjo do të thotë se ajo që vlen për qytetarët e Kosovës në Serbi duhet të praktikohet edhe nga ana tjetër. Targat serbe në veturat e qytetarëve të Kosovës në të ardhmen duhet të zëvendësohen me targa të Kosovës. Përveç kësaj, pasaportat serbe nuk janë më të mjaftueshme për të hyrë në Kosovë, duhet të lëshohet një dokument shtesë që është i vlefshëm për 90 ditë.

Kryeministri Kurti: Po masa ishte e vlefshme për herë të parë më 1 gusht. Ne kemi lëshuar 2679 dokumente udhëtimi atë ditë pa hasur në asnjë problem. Dokumentet janë lëshuar në mënyrë digjitale, brenda 20 sekondave dhe serbëve nuk u kushton asgjë. Në anën tjetër, nëse qytetarët e Kosovës dëshirojnë të udhëtojnë në Serbi, duhet të presin nga dhjetë minuta deri mbi një orë, përveç nëse zyrtarët e kufirit marrin ryshfet. Ka pasur raportime se Kurti ka dashur t’ua marrë pasaportat serbëve. Kjo është absurditet i plotë. Ne nuk marrim pasaporta, kërkojmë vetëm një dokument shtesë.

WELT: Megjithatë, më 31 korrik pati trazira, u ngritën barrikada në disa pika kufitare dhe pati të shtëna në drejtim të policëve kosovarë.

Kryeministri Kurti: Trazirat e 31 korrikut nuk u shkaktuan nga qytetarët e thjeshtë të pakicës serbe të veriut të Kosovës, por nga krimi i organizuar, të cilët janë në listën e pagave të Serbisë dhe u informuan në takime në Beograd se çfarë duhet të bëjnë në Kosovë. Kjo ishte punë e porositur. Pas heqjes së barrikadave, unë – në konsultim me SHBA-në dhe BE-në – e shtyva për 30 ditë aplikimin e masave.

WELT: A do të thotë kjo se ato masa do të aplikohen brenda pak ditëve?

Kryeministri Kurti: Kontrollimet e planifikuara kufitare për qytetarët serbë që dëshirojnë të udhëtojnë në Kosovë dhe rregulloret e reja të targave do të jenë të detyrueshme dhe nga 1 shtatori. Nëse Serbia pranon të heqë dorë nga kontrollet kufitare në të ardhmen, atëherë ne do të bëjmë të njëjtën gjë. Atëherë më 1 shtator nuk do të ketë rregulla të reja.

WELF: A jeni gati të shtrëngoni duart me Vuciq dhe ta njihni Serbinë?

Kryeministri Kurti: Marrëveshja e bazuara në dialog midis dy vendeve tona duhet të jenë ligjërisht të detyrueshme dhe duhet të ketë në qendër njohjen reciproke. Një marrëveshje e tillë kërkon një shtrëngim duarsh.

WELT: A po luan Vladimir Putin me zjarrin në Kosovë?

Kryeministri Kurti: Besoj se as presidenti serb Vuçiq dhe as ai rus Putin nuk mund të abuzojnë me pakicën serbe në Kosovë. Qytetarët e thjeshtë nuk marrin pjesë në politikat luftarake ndaj vendit tonë. Prandaj janë njerëzit në listën e pagave të Serbisë. Këta kriminelë me dashje nxisin vazhdimisht trazira. Por ne jemi vigjilentë, nuk kemi frikë nga këta kriminelë.

WELT: A i duhen Kosovës më shumë se sa 3800 ushtarët aktualë të KFOR-it të NATO-s që i ka, për t’u mbrojtur në mënyrë adekuate??

Kryeministri Kurti: Ne kemi rritur buxhetin e mbrojtjes me 52 për qind dhe forcat tona të sigurisë kombëtare parashihet t’i kenë 5000 ushtarë dhe 3000 rezervistë. Por rreth e rreth Kosovës janë 48 baza ushtarake serbe. Rusia dhe Serbia bashkëpunojnë ngushtë në politikën ushtarake, ata ndërmorën gjithsej 104 manovra dhe aktivitete së bashku në vitin 2021. Për shkak të kërcënimit nga Serbia dhe Rusia, ekziston nevoja urgjente për të rritur ndjeshëm numrin e ushtarëve të NATO-s në Kosovë. Kjo patjetër do të përmirësonte sigurinë tonë. Do të na ndihmonte gjithashtu nëse më shumë ushtarë gjermanë do të merrnin pjesë në trupat mbrojtëse të NATO-s, gjë që rrit zmbrapsjen. Përveç kësaj, trupat e KFOR-it mund të na ndihmojnë për të zgjeruar më tej strukturat dhe kapacitetet tona të sigurisë.

WELT: Kur do të aplikojë Kosova për t’u bërë kandidate për anëtarësim në BE?

Kryeministri Kurti: Këtë vjeshtë ose dimër, më së vonë deri në Krishtlindjet 2022, ne do të aplikojmë për t’u bërë kandidate për anëtarësim në BE.

WELT: Çfarë ju bën kaq të sigurt se kjo do të funksionojë?

Kryeministri Kurti: Ne jemi shteti më pro-demokratik dhe pro-perëndimor në Ballkanin Perëndimor. Përveç kësaj, ne tashmë kemi lidhje të ngushta kontraktuale me BE-në përmes Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, në të cilat mund të bazohemi. Përveç kësaj, siguria e kontinentit evropian është e kërcënuar pas sulmit krejtësisht të pajustifikuar të Rusisë ndaj Ukrainës. Prandaj, është e rëndësishme të keni një partner të qëndrueshëm si Kosova në krahun tuaj në Ballkanin Perëndimor. Pra, të dyja palët do të përfitonin njëlloj.

WELT: Kur do të anëtarësohet Kosova në BE?

Kryeministri Kurti: Sigurisht që jo këtë vit apo vitin tjetër. Kjo do të marrë kohë.

WELT: Sa?

Kryeministri Kurti: Do të ishte absolutisht e nevojshme një kornizë kohore nga Brukseli me afate referuese për t’u arritur. Do të ishte e rëndësishme që dikush me ndikim në BE të ngrihej dhe të thoshte: Të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor duhet t’i bashkohen BE-së deri në vitin 2030. Këtë na e kishin premtuar në vitin 2003. Askush nuk duhet të ketë frikë nga ne. Të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor së bashku me 18 milionë banorë janë sa Holanda. Fuqia ekonomike korrespondon me produktin e brendshëm bruto të Sllovakisë. Përveç kësaj, çdo i treti banor i Ballkanit Perëndimor nuk jeton më në shtëpi vendlindje, por diku në Evropën Perëndimore, kryesisht në Gjermani.

Last modified: 29 Gusht, 2022

Comments are closed.