Më poshtë mund të gjeni intervistën e plotë të Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti për BBC World Service:
BBC: Le të shkojmë në Prishtinë, në kryeqytetin e Kosovës dhe të flasim me Kryeministrin e Kosovës, z. Albin Kurti. Zotëri Kurti, mirëmëngjesi.
Kryeministri Albin Kurti: Mirëmëngjesi.
BBC: A jeni të kënaqur me këtë marrëveshje?
Kryeministri Albin Kurti: Po, bisedime që patëm në Bruksel nuk ishin të lehta, por rezultati është i kënaqshëm, sepse tani kemi një masë reciprociteti ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për lirinë e lëvizjes së qytetarëve në të dy anët e kufirit. Ne nuk do të lëshojmë dokumente hyrje-dalje dhe po ashtu Serbia po heq dorë nga lëshimi i dokumenteve për hyrje-dalje të cilat i kanë aplikuar tash e 11 vjet.
BBC: Çka mendoni se e mundësoi zgjidhjen?
Kryeministri Albin Kurti: Dëshiroj të falënderoj z. Borrell, z. Lajçak dhe z. Escobar për punën e tyre të palodhshme në Bruksel, në Prishtinë dhe në Beograd. Në të njëjtën kohë, dua të falënderoj popullin e Kosovës për mbështetjen dhe durimin e tyre. Besoj se një nga faktorët kryesorë që ka kontribuar në këtë marrëveshje është fakti se më 1 gusht të këtij viti, për 19 orë ne kemi lëshuar 2.679 dokumente për hyrje-dalje pa pasur asnjë incident dhe duke mos pranuar asnjë ankesë. Pra, ndërmjetësuesit ndërkombëtarë ishin shumë të bindur se ne nuk planifikonim të konfiskojmë letërnjoftimet serbe siç sugjeronte fushata e dezinformimit në Serbi, ndërsa në të njëjtën kohë më 31 korrik ishin ngritur 13 barrikada në veri të Kosovës si një lloj reagimi të tepruar parandalues, nëse mund të them kështu. Besoj se përgjegjësia e policëve tanë, që realizonin çdo gjë pa probleme dhe me efikasitet – njerëzve u duhet të prisnin vetëm 20 sekonda për tu pajisur me dokument, për dallim nga 10 minuta deri në mbi një orë që duhej të prisnin në anën e palës serbe – bindën të gjithë se ajo që po bënim ishte e ligjshme, legjitime dhe në të njëjtën kohë nuk ishte e drejtuar kundër askujt.
BBC: A mund t’ju pyes për elementin tjetër të kësaj mosmarrëveshjeje, të cilën e përmenda në hyrje? Afati kur Kosova do të kërkojë nga serbët etnikë në territorin e saj që të kenë targa kosovare po afron. A do të ndodhë kjo?
Kryeministri Albin Kurti: Në vitin 1999, kur Kosova u çlirua pas ndërhyrjes së NATO-s, e cila ndaloi gjenocidin në Kosovë, serbët vazhduan të kenë targa të makinave të cilat janë prodhuar dhe lëshuar dhe sjellë nga Serbia në Kosovë. Këto targa të makinave janë trashëgimi e regjimit të Millosheviqit. Megjithatë, pas bisedimeve në Bruksel, më në fund, më 15 janar të vitit 2018, Serbia nuk është dashur të prodhojë apo lëshojë më targa të tilla të veturave dhe në të njëjtën kohë në shtator të vitit 2021 kanë skaduar të gjitha afatet për përdorimin e targave të tilla dhe të targave të UNMIK-ut – Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë. Pra, që nga shtatori i vitit të kaluar, edhe sipas zotimeve të Serbisë ndaj Brukselit dhe marrëveshjeve që ka bërë me paraardhësit e mi, ata nuk është dashur t’i kenë më këto targa.
BBC: E përmenda atë afat, a do të respektohet ky afat?
Kryeministri Albin Kurti: Po ju japim një mundësi dymujore për të gjithë pronarët e veturave me targa të Serbisë që t’i konvertojnë ato në RKS – targa të Republikës së Kosovës – dhe kjo mundësi do të jetë e vlefshme deri më 31 tetor. Pastaj shpresojmë se nuk do të shohim më targa makinash të cilat nuk janë legjitime dhe të ligjshme. Kjo masë si e tille nuk është e drejtuar kundër serbëve, por po ndodh për hir të sundimit të ligjit dhe legjitimitetit.
BBC: Kjo është e qartë. A i njihni dhe a i pranoni shqetësimet e minoritetit serb të Kosovës në vendin tuaj?
Kryeministri Albin Kurti: Po, i njoh. E njoh askpektin politik. E njoh aspektin social të këtyre brengave. Por i njoh ato edhe nëpërmjet kushtetutës sonë; Kapitulli i tretë, Të drejtat e Komuniteteve dhe Anëtarëve të tyre. Pesë nene të kushtetutës sonë, nga 57 në 62, ofrojnë garanci të të drejtave të pakicave që nuk mund t’i gjeni askund tjetër në Evropë. Megjithatë, unë jam duke ofruar edhe disa stimuj shtesë, p.sh., në këto dy muaj mundësi për konvertim të targave të veturave, serbët që pranojnë t’i konvertojnë targat e veturës në RKS do të lirohen nga TVSH-ja, nga dogana dhe akciza, që kapin vlerën rreth 5000 euro për veturë.
BBC: Kur e sollët listën e asaj që do ta konsideronit si masë të rëndësishme përballë, në këtë rast, të negociatorëve të BE-së, dhe ajo me gjasë ju dha zotit Vuçiq dhe i thanë se këtë po e thotë zotëri Kurti, çfarë përgjigje merrni nga Beogradi përmes BE-së?
Kryeministri Albin Kurti: Beogradi këmbëngul në një lloj kompensimi për humbjen e Kosovës siç e trajtonë ata, por që nuk e thonë haptazi në publik. Serbia konsideron e ka humbur Kosovën padrejtësisht edhe pse ne kemi qenë të pushtuar prej tyre për një shekull. Pra, kërkesat e tyre nuk janë për të drejtat e serbëve, aq sa janë për një kompensim për humbjet e shkaktuara nga regjimi i Millosheviqit, i cili hyri në luftë jo vetëm kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe popullit të Kosovës në përgjithësi, por edhe kundër 19 vendeve të NATO-s në pranverën e vitit 1999. Mendoj se qasja e gabuar e Beogradit është se fokusi i tij janë të drejtat e Serbisë si shtet dhe jo nevojat, kërkesat dhe të drejtat e komunitetit serb në Kosovë.
BBC: Ju jam shumë mirënjohës që dhatë këndvështrimin tuaj për atë që është vendosur.
Last modified: 28 Gusht, 2022