Zyra e Kryeministrit

Intervista e kryeministrit Kurti për gazetën gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung

30 Nëntor, 2022


Përkthim jo zyrtar

Në vijim gjeni intervistën e përkthyer në shqip të kryeministrit Kurti me gazetarin Michael Martens, të realizuar me 26 nëntor dhe publikuar në Frankfurter Allgemeine Zeitung më 29 nëntor.

KREU I QEVERISË TË KOSOVËS KURTI: “Në dhjetor do të dorëzojmë aplikimin tonë për anëtarësim në BE”

FAZ: Kryeministër, falë ndërmjetësimit amerikan dhe evropian, “kriza e targave” në Kosovë duket se është zbutur, të paktën për momentin. Cili është thelbi i kompromisit?

Kryeministri Kurti: Ne kemi rënë dakord që të mos zbatojmë vendimin tonë për gjobitjen e drejtuesve të automjeteve me targa të paligjshme serbe. Serbia ka rënë dakord të ndalojë lëshimin e targave të trashëguara nga regjimi i Slobodan Millosheviqit. Ne e bëmë këtë jo vetëm për shmangur përshkallëzimin e situatën, por edhe për të krijuar një mundësi për fillimin e shpejtë të bisedimeve për një normalizim të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Këto duhet të përfundojnë përpara pranverës 2023. Ky ishte qëllimi i vërtetë i kompromisit.

FAZ: Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, ju kritikoi në një mënyrë jashtëzakonisht të qartë për dështimin në fillim të gjetjes së një kompromisi. A jeni një person kokëfortë – apo e kishte gabim Borrell?

Kryeministri Kurti: Unë nuk jam kokëfortë, jam parimor. Ka parime dhe vlera që unë i përmbahem dhe që nuk i negocioj në Bruksel. Ne nuk shkojmë në Bruksel për të negociuar për oficerët e policisë, prokurorët, doganierët dhe drejtuesit kadastral. Ne jemi atje si përfaqësues të dy shteteve që po negociojnë për normalizimin e marrëdhënieve të tyre. Bëhet fjalë për një dialog për një marrëveshje në parim, jo vetëm për një dialog për menaxhimin e krizës. Ne nuk kemi nevojë për dialog për hir të dialogut apo për të treguar se Brukseli është aktiv. Nuk do të kisha shkuar në Bruksel nëse do të ishte fjala vetëm për targat. Unë do të shkoj në Bruksel për të përfunduar një marrëveshje gjithëpërfshirëse. Megjithatë, zoti Borrell këmbënguli që ne të nënshkruajmë vetëm një deklaratë në targa dhe ta prezantojmë këtë si një sukses të madh. Kjo ishte mosmarrëveshja kryesore që kisha me të.

FAZ: Ju ishit i burgosur politik në Serbi kur presidenti aktual Aleksandar Vuçiq ishte Ministër i Propagandës në regjimin e Millosheviqit. A i rëndon kjo bisedat apo i i përmbani ndjenjat tuaja?

Kryeministri Kurti: Unë kurrë nuk përpiqem t’i përmbaj ndjenjat e mia. Emocionet janë një pjesë e rëndësishme e asaj që ne jemi dhe çfarë bëjmë. Por, unë kam gjithashtu mjaftueshëm përvojë për t’i lënë arsyes të vendosë se çfarë them apo nuk them. Unë nuk u lirova nga paraburgimi serb vitin e kaluar, por më shumë se 20 vjet më parë. Problemi kryesor për mua nuk është se çfarë ka qenë z. Vuçiq, por që edhe sot nuk është penduar për atë që ka qenë. Në vend që të pendohet që ishte Ministër i Informacionit i Millosheviçit, atij i vjen keq që më liruan nga burgu më shumë se një vit pas rënies së Millosheviçit. Këtë e ka thënë disa herë dhe kjo më irriton. Nuk bëhet fjalë për atë që kam kaluar në burg, por për faktin se Serbia ka ndryshuar kaq pak.

FAZ: Është folur shumë për një nismë franko-gjermane për zgjidhjen e konfliktit mes Serbisë dhe Kosovës. Çka parasheh ky plan?

Kryeministri Kurti: Më 9 shtator, më vizituan i dërguari i posaçëm i BE-së Lajčák dhe Jens Plötner dhe Emmanuel Bonne, këshilltarë për politikën e jashtme të kancelarit gjerman dhe presidentit francez. Ajo që ata prezantuan dukej si një nismë shumë serioze. Më sollën një listë me modele dhe ide, të cilat i diskutuam gjatë përpara se t’i çonim në Beograd. Unë u thashë atyre se mendoja se kjo do të ishte një bazë e mirë për bisedime të mëtejshme.

FAZ: Pse duhet të interesohet Aleksandër Vuçiq për një kompromis me Kosovën kur shpërblimi për të cilin dikur shpresonte – anëtarësimi i Serbisë në BE – nuk është më realist?

Kryeministri Kurti: Kanë kaluar më shumë se nëntë muaj që nga pushtimi rus i Ukrainës, dhe Serbia ka kaluar shumë në anën e Rusisë, ka shkuar shumë larg. Kushdo që zbulon se Serbia nuk do të anëtarësohet në BE në një të ardhme të parashikueshme, të mos harrojë se jo vetëm që Brukseli nuk e do Beogradin, por edhe se Serbia preferon Moskën.

FAZ: Megjithatë, marrëveshja nuk po dështon vetëm për shkak të Serbisë. Paraardhësit tuaj kanë premtuar se enklavat serbe dhe zonat e vendbanimeve në Kosovë do të lejohen të bashkohen në një asociacion të komunave. Ju po e bllokoni këtë, pse?

Kryeministri Kurti: Serbia vazhdon të thotë se nuk do ta njohë kurrë Kosovën. Ata thonë se Kosova është shtet artificial. Por në këtë shtet gjoja artificial, ata duan një asosacion real të komunave. Zgjidhja serbe është: “Ju nuk ekzistoni – por ne duam diçka nga ju.” Nuk do të funksionojë kështu. Së dyti, kur kërkoni diçka, mbani gjithmonë parasysh se e njëjta kërkesë mund të ju bëhet edhe juve. Pakicat përbëjnë rreth tetë për qind të popullsisë në Kosovë dhe rreth 20 për qind në Serbi. Serbia duhet të mendojë për parimin. Gjithashtu, gjykata jonë kushtetuese ka vendosur që asociacioni serb i komunave nuk është në përputhje me kushtetutën e Kosovës.

FAZ: Një parim kyç i politikës suaj ndaj Serbisë është reciprociteti. A mund të imagjinoni një model në të cilin minoriteti serb në Kosovë merr saktësisht të njëjtat të drejta si minoriteti shqiptar në Serbinë jugperëndimore?

Kryeministri Kurti: Unë jam për reciprocitetin e të drejtave të të gjitha pakicave në mbarë Ballkanin. Kjo është formula e paqes. Të drejtat e pakicave janë të rëndësishme për të luftuar dominimin nacionalist. Por Beogradi nuk e ka me të drejtat e serbëve. Serbia dëshiron që këto të drejta të territorializohen dhe kjo është diçka krejtësisht tjetër. Beogradi dëshiron që komunitetet serbe të formojnë një bashkim, por unë nuk di të ketë ndonjë serb në Kosovë që e kërkon këtë. Çdo javë marr dhjetëra letra nga qytetarët serbë të vendit tonë. Bëhet fjalë për të gjitha llojet e gjërave, për punët, funksionimin e shtetit ligjor e kështu me radhë. Askush nuk shkruan: ‘Ne kemi nevojë për një shoqatë komuniteti’. Këtë e thotë vetëm zoti Vuçiq.

FAZ: Megjithatë, BE-ja dhe Uashingtoni duket se insistojnë në krijimin e asociacionit të komunave. A është parandalimi i tij më i rëndësishëm për ju sesa rrezikimi i marrëdhënieve me aleatët perëndimorë?

Kryeministri Kurti: 33 marrëveshje janë arritur në Bruksel gjatë dekadës së fundit. Dy të tretat e tyre nuk janë zbatuar nga Serbia. E pranoj që këto 33 marrëveshje ekzistojnë dhe jam gati t’i marr parasysh të gjitha kur të fillojnë bisedimet zyrtare për normalizimin e marrëdhënieve tona në bazë të propozimit franko-gjerman në Bruksel. Por Serbia do të donte t’a veçojë një marrëveshje dhe të shpërfillë 32 të tjerat si dhe propozimin franko-gjerman. Por unë nuk jam për këtë. Kur flasim për normalizimin e marrëdhënieve tona, unë jam i gatshëm të flas për komunitetet dhe të drejtat e pakicës serbe – jo si parakusht për bisedime, por si pjesë e tyre.

FAZ: Ku qendron Kosova në aplikimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës?

Kryeministri Kurti: Ne po llogarisim në mbështetjen e partnerëve dhe miqve tanë në mënyrë që votimi për pranimin tonë në Këshillin e Evropës të bëhet sa më shpejt të jetë e mundur. Përveç kësaj, ne do të dorëzojmë zyrtarisht kërkesën tonë për t’u anëtarësuar në BE në dhjetor. Sigurisht që ne e dimë se anëtarësimi nuk do të vijë së shpejti. Por është e rëndësishme që ne të shprehim vullnetin tonë për t’u anëtarësuar në BE zyrtarisht, formalisht dhe publikisht.

Last modified: 30 Nëntor, 2022

Comments are closed.