Zyra e Kryeministrit

Intervista e Kryeministrit Kurti për CNN

5 Prill, 2022

Më poshtë gjeni transkriptin e intervistës së Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti për CNN, në emisionin The Global Brief with Bianca Nobilo

CNN: Fola me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe fillova duke e pyetur atë nëse Vladimir Putin duhet të gjykohet për krime lufte?

Kryeministri Kurti: Këto krime të tmerrshme që të gjithë ne po i shohim duke ndodhur në Ukrainën lindore janë definitivisht krime të luftës dhe është në dorën e hetuesve për të dëshmuar po ashtu krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidin. Unë besoj se Kremlini e ka urdhëruar makinerinë e vet të luftës drejt këtyre krimeve kundër civilëve të paarmatosur, dhe në të njëjtën kohë ai (Putin) duhet të ballafaqohet herët apo vonë me Tribunalin Ndërkombëtar.

CNN: Kosovës, sikurse Ukrainës nuk i ishte garantuar anëtarësimi në NATO. A pajtoheni me komentet e Presidentin Zelensky se qasja e butë e NATO-s ndaj Rusisë ose pavendosmëria e NATO-s për anëtarësimin e vendeve tjera e ka lënë Ukrainën të pambrojtur dhe a i frikësoheni të njëjtës gjë për vendin tuaj?

Kryeministri Kurti: Ukraina ka nevojë për më shumë ndihmë nga NATO dhe që nga fillimi ne e kemi mbështetur popullin ukrainas në luftën e tyre për çlirim, dhe kemi shprehur admirim dhe solidaritet me vendosmërinë e popullit ukrainas dhe lidershipin e Presidentit Zelensky. Në të njëjtën kohë, ne e kemi dënuar ashpër invazionin rus dhe agresionin ushtarak. Por, ne jemi shumë mirë të vetëdijshëm se NATO ofron siguri për të gjithë anëtarët e saj. Kosova ende nuk është anëtare e NATO-s, por NATO është përbrenda Kosovës. Në rrugën për anëtarësim në NATO, qëllimi i jonë është që fillimisht të bëhemi pjesë e programit për Partneritet dhe Paqe. Sot NATO shënoi 73-vjetorin e saj, dhe më kujtohet shumë mirë 23 vjet më parë, kur NATO shënonte 50-vjetorin në mesin e bombardimeve të Jugosllavisë dhe Serbisë së Millosheviqit, forcat ushtarake, policore dhe paramilitare të së cilit po kryenin gjenocid ndaj popullit shqiptar. Në atë kohë, 860 mijë shqiptarë u dëbuan nga Kosova. Mbi 80% e popullatës u dëbuan nga shtëpitë e tyre.20 mijë gra dhe vajza u përdhunuan. Mbi 12 mijë civil të paarmatosur u vranë dhe 120 mijë shtëpi u shkatërruan ose u dogjën. Pra, NATO ndërhyri për të ndaluar gjenocidin dhe NATO është pjesë e historisë së Kosovës por në të njëjtën kohë Kosova është po ashtu pjesë e historisë së NATO-s. Ne duam të bëhemi pjesë e NATO-s dhe sa më parë aq më mirë.

CNN: A jeni të shqetësuar se frika nga një hakmarrje e Rusisë mund ta bllokojë Kosovën nga anëtarësimi në NATO në një të ardhme afat shkurtër ose afatmesme?

Kryeministri Kurti: Nuk mendoj se Rusia mund të na bllokojë. Megjithatë, ne kemi katër vende mos-njohëse brenda NATO-s, Spanjën, Sllovakinë, Rumaninë dhe Greqinë dhe shpresoj se ato do ta ndryshojnë mendjen dhe t’i bashkohen 26 vendeve tjera anëtare të NATO-s që e njohin pavarësinë e Kosovës dhe kështu të na mundësojnë edhe neve anëtarësimin në NATO.

CNN: A po përgatiteni për një skenar në të cilin Serbia, ndoshta e mbështetur nga Rusia, e sheh konfliktin në Ukrainë si një mundësi për të nxitur konflikt në rajonin tuaj ose e ndoshta e sheh atë si një arsyetim për ta sulmuar vendin tuaj?

Kryeministri Kurti: Serbia i dëshiron paratë evropiane, armatimin rus, investimet kineze dhe tolerancën amerikane. Por Serbia nuk është neutrale. Serbia është në anën e Federatës Ruse, prandaj duhet të jemi syhapur. Ata kanë 42 baza ofensive ushtarake përreth Kosovës. Nuk kemi frikë. E kemi rritur buxhetin e mbrojtjes për 52%, por njëkohësisht na duhet të jemi shumë të kujdesshëm sepse Serbia mund të sillet si zgjatim (Proxy) i Federatës Ruse në Ballkanin Perëndimor. Gjithashtu, nuk harrojmë kurrë se tre javë para se të shpallim pavarësinë – me 17 shkurt 2008 – Gazprom bleu shumicën e aksioneve të industrisë së naftës në Serbi, dhe në anën tjetër, gjashtë muaj pas, në të njëjtin vit, Federata Ruse aneksoi Osetinë Jugore dhe Abkhazinë. Ministria e Mbrojtjes e Federatës Ruse ka një zyre të veçantë në zyrën e Ministrisë serbe të Mbrojtjes. Pra, tash pasi që Blitz-Krigu rus dështoi, ne jemi të brengosur që ata (Rusia) mund të provojnë që të zgjerojnë konfliktin dhe Ballkani Perëndimor mund të jetë vendi ku mund të zhvillohen fushëbeteja të reja ruse nga zgjatimet (proxy) e tyre në Ballkan, qoftë nga Serbia ose nga Republika Srpska në Bosnje dhe Hercegovinë.

CNN: A ndjeheni të sigurtë se qeveria e juaj, në pozitë tuaj, është e siguruara nga ndërhyrja Ruse? Ju jeni vend që dëshironi të anëtarësoheni në NATO – po e mendoj Malin e Zi në vitin 2016 – a jeni të shqetësuar nga ndërhyrjet ruse në qeveri?

Kryeministri Kurti: Ne kemi luftë hibride në Ballkanin Perëndimor sepse vetëm 100 milje larg nga Prishtina, në Nish të Serbisë është “Qendra Humanitare” ruse. Në të njëjtën kohë, e kemi parë se lufta hibride nuk është zëvendësim i luftës, por vetëm faza përgatitëse e saj. Për këtë arsye jemi të brengosur dhe syhapur, por megjithatë nuk jemi të frikësuar sepse me partnerët tanë në NATO, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermaninë, Mbretërinë e Bashkuar, Francën dhe Italinë, ne e dimë se në Kosovë nuk mbrojmë vetëm popullin e Kosovës, por në të njëjtën kohë mbrojmë NATO-n meqë NATO është shumë mirë e integruar në arkitekturën e sigurisë së vendit tonë.

CNN: Çfarë jeni duke bërë që të mbështesni mbrojtjes tuaj kundër luftës hibride ose luftës në rast të një përhapje të konfliktit?

Kryeministri Kurti: Ne po i rrisim kapacitetet e ushtrisë sonë. Buxheti i mbrojtjes është rritur për 52% për vitin 2022. Njëherazi po rrisim kapacitetet e policisë dhe inteligjencës sonë dhe bashkëpunimin me vendet e NATO-s.

 

 

Last modified: 5 Prill, 2022

Comments are closed.