Zyra e Kryeministrit

Fjalimi i zëvendëskryeministrit Hajredin Kuçi në hapjen solemne të manifestimit, organizuar me rastin e 9 majit-Ditës së Evropës

9 Maj, 2008

Prishtinë, 9 maj 2008

Bashkimi Evropian si donatori dhe përkrahësi me i madh i vendeve te Ballkanit Perëndimor disa here ka konfirmuar se e ardhmja e rajonit është në Bashkimin Evropian. Kjo është vërtetuar edhe në Samitin e Selanikut (2003) kur u tha se “progresi i secilit vend në drejtim të integrimit Evropian varet nga angazhimi në plotësimin e Kritereve të Kopenhagës dhe atyre që dalin nga Stabilizim Asociimi”. Pra BE ofron perspektiven e vet për rajonin. U mbetet vendeve aspirante që të plotësojnë kriteret për anëtarësim në familjen Evropiane.

Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë shënuar progres në përmirësimin e qeverisjes, marrëdhënieve ndër-etnike dhe bashkëpunimit rajonal. Por mbetet ende shumë për tu bërë, në reformimin e administratës publike, sundimin e ligjit, zhvillimin e një ekonomie funksionale të tregut, forcimin e bashkëpunimit rajonal etj.

Aktivitetet e shumta që po organizohen anekënd Kosovës me rastin e 9 Majit shprehin njëherazi aspiratën e Institucioneve dhe popullit të Kosovës për integrim në Bashkimin Evropian.  Familja e madhe Evropiane ka vend për një Kosove moderne dhe te prosperuar.

Padyshim se procesi i integrimit evropian është prioritet kombëtar i Republikës së Kosovës. Qeveria e Republikës së Kosovës është duke i dhënë rëndësi absolute këtij procesi duke ngrit nivelin e angazhimeve dhe përgjegjësive në nivelin më të lartë të mundshëm. Së fundi kemi qenë dëshmitar të një dinamike të shtuar në procesin e integrimit evropian. Jam i inkurajuar me faktin që ky proces tani po bëhet pjesë e përditshme e punës e të gjitha institucioneve dhe niveleve të qeverisjes në Kosovë. Këtë momentum duhet shfrytëzuar dhe fuqizuar edhe më tepër.

Procesi i integrimit evropian po kalon në një stad tjetër dhe më të avancuar të zhvillimeve. Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar Planin për Integrime Evropiane 2008-2010 që përfshin krijimin e mekanizmave dhe strukturave institucionale më gjithëpërfshirëse dhe më të avancuara, hartimin e strategjive të ndryshme dhe ndërtimin e një partneriteti më të fuqishëm me shoqërinë civile dhe qytetarët në procesin e integrimit evropian. Pra, ne po e zgjerojmë këtë proces nga prizmi qeveritar në atë kombëtar duke përfshirë një gamë më të gjerë të akterëve dhe institucioneve përfshirë shoqërinë civile.
 
Përmes këtij Plani Qeveria e Republikës së Kosovës synon ngritjen e kapaciteteve për programim dhe implementim më efikas të asistencës së BE-së të ofruar në kornizën e IPA-s. Po ashtu kemi hartuar koncept dokumentet relevante për përkthimin dhe përafrimin e legjislacionit të Kosovës me atë të BE-së.

Korniza kryesore ku kemi orientuar energjitë dhe aktivitetet tona në procesin e integrimit evropian është implementimi i detyrave që rrjedhin nga Plani i Veprimit për Partneritet Evropian. Dokumentin e Partneritetit Evropian e konsiderojmë si udhërrëfyes në rrugën tonë që do të na mundësoje të kemi një institucione dhe shoqëri funksionale që pranon dhe normatizon vlerat e demokracisë qytetare.

Besoj, se ekziston një pajtueshmëri e gjerë në mes nesh se procesi i integrimit evropian është një proces konsumues në kohë dhe përkushtim por është proces i pakthyeshëm. Integrimi në BE nuk është kompetence vetëm e institucioneve. Kërkohet një konsensus kombëtar, për te përmbushur aspiratën tonë për integrim në familjen e madhe Evropiane.  Procesi i integrimit evropian nuk është për një grupim politik e as për një komunitetit etnik por ai është një proces nacional që do të mundësoje përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve të Kosovës. Qeveria e Kosovës do të koordinoje ketë proces po përkrahja e qytetareve është e domosdoshme ne mënyre qe te përshpejtojmë ketë proces. Si të tillë, në e konsiderojmë këtë proces si mundësinë dhe sfidën kryesore për Institucionet e Kosovës dhe shoqërinë kosovare në tersi.

Zonja dhe Zotërinj,

Kosova ka të ardhme evropiane jo vetëm për shkak të pozitës së gjeografike, por për shkak të potencialit për të luajtur rol stabilizues në rajon. Ne jemi të vetëdijshëm se rruga për në Bashkimin Evropian është e gjatë dhe kërkon përkushtim maksimal nga institucionet dhe shoqëria në përgjithësi. Ne vlerësojmë të arriturat e deritanishme por mbesim të përkushtuar për të avancuar procesin e integrimit të Kosovës në BE. Për ne, integrimi në BE nuk ka alternativë. Në këtë frymë, duke qenë të përgjegjshëm për të detyrimet dhe përgjegjësitë që na janë besuar nga qytetarët e Republikës së Kosovës, nuk do të ndalemi deri sa të përmbushim të gjitha kriteret dhe të realizojmë aspiratën tonë.

Qeveria e Republikës së Kosovës çmon lart kontributin e Komisionit Evropian si dhe gjithë komunitetin ndërkombëtar në mbështetje  përpjekjeve integruese të Kosovës dhe konsideron se po krijohet një partneritet më i fuqishëm në ketë proces. Ekspertiza dhe rekomandimet e mëtutjeshme të Komisionit Evropian do të na ndihmojë në ndërmarrjen e reformave institucionale.

Last modified: 9 Maj, 2008

Comments are closed.

×