Zyra e Kryeministrit

Fjalimi i Kryeministrit të Qeverisë së Kosovës, Hashim Thaçi, në Akademinë solemne për Epopenë e UÇK-së, mbajtur në sallën “1 Tetori”, më 6 mars 2008

6 Mars, 2008

I nderuari president i Kosovës, z.Sejdiu,
I nderuari kryetar i Parlamentit, z.Krasniqi
Shumë e nderuara familje Jashari,
Të nderuar deputetë, mysafirë
Të nderuar qyetarë

 
Në përvjetorin e dhjetë të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare, Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, i njohur ndërkombëtarisht nga bota demokratike.
 
Sot, me krenari kujtojmë Ditët e Epopesë së UÇK-së: 5, 6 dhe 7 marsin e 1998 – ës.
 
Me krenari kujtojmë luftën e Komandantit legjendar të Adem Jasharit.
 
Me krenari kujtojmë sakrificën e madhe të Jasharëve legjendarë.
 
Nuk ka përkufizim gjuhësor, historik dhe filozofik që kap përmasat e kësaj sakrifice.
 
Kjo Epope mori përmasat e ngjarjeve të krijimit të botës së re.
 
Të ndërrimit të epokës së robërisë nga epoka e lirisë.
 
Në ditët Epopesë së UÇK-së u sprovuan vlerat më të larta të kombit: trimëria, besnikëria dhe shpirti heroik.
 
Përmasa e flijimit historik mori dimensione legjendare.
 
Sakrifica e tyre qëndron në vlerën universale të besimit të njeriut në liri dhe pavarësi.
 
Besimin se liria dhe pavarësia nuk i takon një etnie, kategorie shoqërore, por janë kauzë e gjithë njerëzimit.
 
Ato ditë heroike nuk u bënë gërmadha kullat e Jasharëve.
 
Në të vërtetë, gërmadhë u bë sundimi serb i Kosovës.
 
Gurët e kullave të Jasharëve u bënë gurë të piramidave kufitare të shtetit të Kosovës.
 
Prandaj kjo sakrificë legjendare për liri u bë model unikat në historinë kombëtare dhe botërore.
 
Njerëzit shpirtmëdhenj jo vetëm prekën historinë, por i dhanë trajtë asaj.
 
Dhe çmimi ishte i lartë. Por, faqja e historisë u bë shumë e ndritshme.
 
Me luftën dhe rënien e tyre UÇK-ja u rrit në përmasa gjithkombëtare, diplomacia botërore u vu në anën e luftës së drejtë të shqiptarëve.
 
Me të drejtë, në analet e historisë moderne botërore, Ushtria Çlirimtare e Kosovës vlerësohet si projekti më i suksesshëm politiko-ushtarak.
 
Vizioni politik i UÇK-së krijoi parakushtet për intervenimin e Aleancës më të fuqishme ushtarake në interes të vendit tonë.
 
 
Të nderuar qytetarë,
 
Në dhjetëvjetorin e rënies së Jasharëve, emri i birit krenar të Adem Jasharit, Lulëzimit, merr domethënie të re.
 
Në Kosovën e lirë, në Drenicën e Re, po lulëzon trungu i Jasharëve.
 
Aty po rritet Shabani i Ri, Hamza i Ri,  Ademi i Ri, nipërit dhe mbesat e pafund të Jasharëve legjendarë.
 
Ata po rriten të lirë, me rriten e shtetit të pavarur dhe sovran.
 
Me 17 shkurt populli ynë kremtoi me dinjitet, qetësi dhe krenari shpalljen e pavarësisë së Kosovës nga institucionet legjitime të tij.
 
Ishte krej e natyrshme, sepse qytetarët tanë ishin të mishëruar me lirinë që nga qershori 1999, kur UÇK-ja, populli ynë dhe NATO kishin  çliruar  Kosovën.

Para botës u shpalosën vlerat e qytetërimit tonë të lashtë, fryma e thellë e tolerancës, shkalla e lartë e emancipimit dhe kulturës demokatike.
 
Në dhjetëvjetorin e Epopesë së UÇK-së, Kosova ka dy dokumente të rëndësishme: Deklaratën e Pavarësisë, dokument që hyn në thesarin e artë të historisë së popullit tonë, dokument që Kosovën e shpall shtet të pavarur dhe sovran.
 
Në dhjetëvjetorin e Epopesë së UÇK-së Kosova ka dokumentin më të lartë juridik, Kushtetutën, që atë e përcakton Republikë Demokratike, unike e të pandashme.
 
Në dhejtëvjetorin e Epopesë së UÇK-së Kosova është shtet i njohur ndërkombëtarisht.
 
 
Të nderuar qytetarë,
 
Sa herë që marrim vendime të mëdha nderojmë dhe përkulemi në Prekaz, në kryeqytetin shpirtëror të heroizmit të Kosovës.
 
Uniteti ynë sot do të na ndihmojë, që së bashku, institucionet dhe qytetarët e Republikës sonë, t’u bëjmë ballë sfidave që na dalin përpara dhe t’i realizojmë ëndrrat tona.
 
Kosova e ëndrrave tona nuk mund të jetë thjesht vetëm e pavarur.
 
Kosova e ëndrrave tona është vendi i mundësive të pakufishme për çdo qytetar të saj.
 
Ky është borxh ynë ndaj atyre që nderojmë sot.
 
Ky është obligim ndaj gjeneratave të ardhshme të Republikës së Kosovës.
 
Ne jemi krenar me të kalurën tonë.
 
Vlerat e UÇK-së janë vlera kombëtare dhe politike të të gjithëve, vlerë meritë dhe krenari e çdo shqiptari kudo që jeton.
 
Vlerë e çdo populli për liri.
 
Me unitetin tonë shtetformues do të bëjmë që të tjerët të krenohen me ne. Me qytetarët e Kosovës.
 
Ne jemi krenar që Uashingtoni, Londra, Parisi, Berlini, Vjena, Roma dhe shumë kryeqytete të rëndësishme botërore janë me Kosovën e Re.
 
Të nderuar qytetarë,
 
Unë, si shumë nga Ju, kam pasur nderin dhe privilegjin që të jam bashkëluftëtar i Adem Jasharit dhe bashkëthemelues i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
 
Me të më lidhi ideali i çlirimit të vendit, dashuria ndaj atdheut.
 
Adem Jashari është kryeheroi ynë, babai i pavarësisë së Kosovës.
 
Ai nuk arriti t’i shijojë frytet e sakrificës së tij, ta shoh Lindjen e Re të shtetit të Kosovës.
 
Por e di saktësisht se vizioni i tij do ta drejtojë përgjithmonë Republikën tonë të re.
 
Dhe, po të kisha mundësi për t’ia thënë lajmin e shpalljes së shtetit të pavarur të Kosovës, do t’ia kumtoja me dy fjalët, që të rinjtë e Kosovës, dhe i gjithë populli, i përqafuan aq ngrohtësisht:     –    BAC, U KRY.
 
Ju faleminderit dhe gëzuar Republika e Kosovës! 

Last modified: 6 Mars, 2008

Comments are closed.

×