Zyra e Kryeministrit

Fjalimi i kryeministrit Kurti për themelimin e institucionit te Operës së Kosovës

2 Gusht, 2021

 

Prishtinë, 2 gusht 2021

Kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, para deputetëve e paraqiti dhe arsyetoi Propozim-vendimin e Qeverisë së Kosovës për themelimin e institucionit të Operës së Kosovës.
Kuvendi miratoi Propozim-vendimin e Qeverisë për themelimin e institucionit te Operës së Kosovës si institucion i shërbimit publik.

Fjalimi i kryeministrit Albin Kurti për themelimin e institucionit të Operës së Kosovës

Të nderuar deputetë të Kuvendit të Kosovës,
E nderuara nënkryetare,

Kur Ludwig van Beethoveni thoshte se muzika është ndërmjetësuesi mes shpirtërores dhe ndjesores, më së shumti e kishte fjalën për muzikën që luajnë orkestrat filarmonike e simfonike, dhe për trupat operistike. Me zhvillimin e teknologjisë, secili sot e ka mundësinë që këtë lloj të muzikës ta dëgjojë në shtëpinë e vet, mirëpo përjetimi privat është ndryshe nga ai kolektiv, që ndodh në një sallë të dedikuar për filarmoni, balet dhe opera. Ndërmjetësuesi mes shpirtërores e ndjesores, kjo muzikë kaq e bukur që shpesh e kanë quajtur edhe produktin më elegant të fuqisë abstrahuese të mendjes njerëzore, këtu te ne ka qenë e pamundur të përjetohet së bashku nga publiku artdashës, në një teatër që përmbush kushtet për performanca të kësaj natyre.

Qysh nga vitet ´50 të shekullit të kaluar, në Kosovë janë performuar ngjarje të natyrës operistike, janë shfaqur opera e janë luajtur pjesë orkestrale e simfonike, të autorëve vendorë e të huaj. Kjo veprimtari ka ardhur duke u rritur, me zhvillimin dhe përhapjen e arsimit muzikor në Kosovë, e sot kemi këngëtarë e instrumentistë nga Kosova të cilët shfaqen në skenat më të rëndësishme operistike e filarmonike botërore. Me këta muzikantë ne krenohemi sa herë që fitojnë çmime, por fatkeqësisht në Kosovë deri më sot nuk e kemi patur një vend të përshtatshëm e dinjitoz për t´i dëgjuar ata.

Tash, më në fund ka ardhur koha që ne në Kosovë ta themelojmë Operën e Kosovës, si një Institucion Publik i cili gjatë vitit të ardhshëm, pra 2022, do të hapë dyert e do të jetë funksional, në shërbim të vetë komunitetit të muzikantëve, instrumentistëve e këngëtarëve solistë e koralë, por edhe për kënaqësinë e artdashësve të Filarmonisë, Operas dhe Baletit.

Duke themeluar Operën e Kosovës, ne çojmë përpara programin tonë qeverisës, duke përkrahur artin, artistët dhe artdashësit, e duke zhvilluar infrastrukturën e nevojshme e cila po kërkohet me ngulm tash e sa vjet dhe është premtuar shumë herë nga qeveritë e mëparshme, por që megjithatë nuk kanë arritur ta realizojnë premtimin.

Qeveria e Kosovës, në bazë të Ligjit për Filarmoninë, Operën dhe Baletin e Kosovës, me Nr. 02/L – 59, përkatësisht neni 5, pika 5.2, ka marrë vendimin që të kërkojë nga Kuvendi i Republikës përmbushjen e detyrimit ligjor për themelimin e këtij institucioni publik.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e ka kryer paraprakisht një analizë të kostos financiare të themelimit dhe funksionimit të Operës së Kosovës, dhe në bazë të konceptit që ata kanë zhvilluar, ku përfshihet edhe angazhimi i stafit e aranzhimet e ndryshme, vlerësojmë se një pjesë e konsiderueshme e kostove janë të përballueshme brenda strukturës aktuale të ndarjeve buxhetore që i ka Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Themelimi i institucionit të Operës nuk do të ketë implikime financiare në buxhetin e vitit 2021, pasi që gjatë këtij viti parashihet përgatitja e strukturave administrative e menaxhuese, si dhe të hartohen dokumentet për funksionalizimin e institucionit dhe të nisin procedurat për identifikimin dhe angazhimin e kuadrove profesionalë për trupat artistike e për aspekte të tjera të programit operistik.

Opera do të jetë institucion kulturor dhe shërbim publik në Republikën tonë. Ajo do të jetë nën varësinë e Ministrisë përkatëse, përkatësisht asaj për kulturë, dhe kjo ministri autorizohet të përgatisë kushtet e nevojshme dhe infrastrukturën në mënyrë që ky institucion të nisë funksionimin e vet të rregullt.

Sa i përket lokacionit, meqenëse kjo është një çështje që ka marrë rëndësi të madhe viteve të fundit, ne do të ndërtojmë një objekt të përshtatshëm, por kjo do të marrë pak më shumë kohë, në mënyrë që të përzgjidhet një projekt i denjë, i cili e pasuron në planin urban e arkitekturor Prishtinën.

Por deri në ndërtesën e këtij objekti të ri, ne megjithatë do të përzgjedhim një objekt ekzistues, dhe do të sistemojmë aty institucionin dhe trupën artistike, në mënyrë që pa vonesë artistët të fillojnë shfaqjet e të kemi mundësi edhe ne si publik që t´i shijojmë ato. Përzgjedhja do të bëhet nga MKRS-ja, në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës.

Vlerësohet se në vendin tonë por edhe në botë, aktualisht janë mbi 80 artistë, këngëtarë e instrumentistë nga Kosova, të cilët do të mund të shfaqeshin në skenën e operës sonë. Po ashtu, aty do të jetë një vend ku rregullisht do të ftohen për shfaqje trupat e Teatrit Kombëtar të Operas e Baletit të Shqipërisë, por edhe artistë e trupa nga vende të ndryshme të rajonit, apo të botës. Ky institucion, i denjë për një kryeqytet, do të kontribuojë në panoramën artistike të Prishtinës dhe krejt Kosovës, duke e pasuruar atë. Ne do të kujdesemi që institucioni të jetë i qasshëm gjerësisht për publikun, e të mos jetë përjashtues.

Përmes bashkëpunimit me shkollat, ne do të mundësojmë që herë pas here të ketë edhe shfaqje ku do të ftohen në publik fëmijët, nxënësit nga fshatra e qytete të ndryshme të Kosovës, sepse besojmë se moshat më të reja janë ato kur mund të fillojë të krijohet një shije më elegante dhe e qytetëruar për të bukurën e për artin. Sfera e artit është ajo e cila më së miri dëshmon kufizimet e tregut, pra tregon se tregu nuk mund të zgjidhë gjithçka.

Nëse formimi e edukimi estetik i lihet tregut, atëherë dita ditës do të përballemi me një degjenerim të shijeve e të formave. Kuptohet, ne nuk mund të ndërhyjmë aty duke ndaluar apo censuruar forma të caktuara, por mbi të gjitha duke krijuar mundësinë që të përjetohen edhe arte të tilla, siç është Opera.

Pra, të nderuar deputetë, me kënaqësinë më të madhe, duke qenë edhe vetë një artdashës, e përgëzoj komunitetin e artistëve, sepse tash e tutje, në Kosovë e kemi themeluar institucionin e Operas, dhe po e funksionalizojmë atë.

Përmes artit Kosova i ka çelur dyert e botës, e tash ka ardhur koha t´i çelim ato dyer edhe këtu, në vendin tonë. Faleminderit!

Last modified: 2 Gusht, 2021

Comments are closed.