Zyra e Kryeministrit

Fjala e plotë e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti në konferencën për medie

18 Shtator, 2023

Prishtinë, 18 shtator 2023

Të nderuar përfaqësues të medieve,
Të dashur qytetarë,

Jam sot para jush për t’ju informuar për takimin e fundit të nivelit të lartë në kuadër të dialogut të Brukselit, të organizuar me datë 14 shtator, pra të enjten e javës që lamë pas.

Ftesa për takim e Përfaqësuesit të Lartë nuk kishte përcaktuar ndonjë pikë specifike të rendit të ditës, megjithatë aty thuhej që qëllimi i takimit është diskutimi për planin e zbatimit të Marrëveshjes Bazike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Unë shkova në takim me një propozim konkret, në vlerësimin tim shumë konstruktiv, në të cilin ne parashikuam një zbatim të plotë të Marrëveshjes Bazike. Propozimi ynë bazohej në parimin e gjithëpërfshirjes, që nënkuptonte që çdo nen e përcaktim i Marrëveshjes Bazike dhe i Aneksit të saj zbatues duhej të përfshihej medoemos në planin e zbatimit të sekuencuar. Parimin e gjithëpërfshirjes nuk është se e kam zbuluar unë e as nuk është një gjë pazakonshme në planet zbatuese të marrëveshjeve ndërkombëtare. Gjithpërfshirjen, përkatësisht detyrimin për të zbatuar secilin nen të Marrëveshjes Bazike e përcakton edhe vetë Aneksi i Implementimit i miratuar në Ohër me 18 Mars. Aty, në atë Aneks, përcaktohet në tri klauzola specifike që çdo nen, e përsëris, që çdo nen i Marrëveshjes Bazike duhet zbatuar dhe gjithashtu që palët nuk mund të shprehin obstruksione ndaj asnjë neni. Kjo është një gjë më se e zakonshme, logjike dhe praktikë qindra vjeçare në zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.

Në takimin e parë, atë bilateral që pata me Përfaqësuesin e Lartë Josep Borrell dhe Lehtësuesin Miroslav Lajçak, m’u kërkua që të kalojmë menjëherë në një proces negocimi të statutit të përcaktuar në Nenin 7 të Marrëveshjes Bazike në lidhje me nenin 10. Ua bëra të qartë që një hap të tillë nuk mund ta ndërmerrnin pa u dakorduar në mënyrë të plotë për Planin e Zbatimit të Sekuencuar, aq më shumë për shkak që Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka një kohë që deklaron poshtë e lart që ai “nuk ka pranuar një marrëveshje” me Kosovën, dhe që atë “do e zbatojë vetëm në përputhje me linjat e kuqe të Serbisë”. Duke marrë shkas nga ky kontekst, ua bëra të qartë të dy përfaqësuesve Evropian që hapi i parë duhet të jetë dakordimi i një plani të sekuencimit dhe, në të, të parashihej nënshkrimi i Marrëveshjes Bazike ose së paku depozitimi i saj nga Përfaqësuesi Borrell në Zyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, organizatë nga e cila është mandatuar funksioni lehtësues i Bashkimit Evropian për Dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në takimin e parë nuk arritëm tek një mirëkuptim minimal, duke qenë se qëndrimi i zotërinjve Borrell dhe Lajçak ishte që sekuencimi i zbatimit të marrëveshjes duhej bërë në mënyrë të tillë që të ishte e pranueshme edhe për Serbinë, e cila e donte Asociacionin si prioritet dhe heqjen e neneve të njohjes së ndërsjellë de facto.

Që aty ua bëra të qartë që sekuencimi i zbatimit të Marrëveshjes Bazike nuk kërkonte një negociatë të re: ajo duhej të ishte një rezultat i natyrshëm, teknikisht një pasqyrim, i secilit nen të Marrëveshjes Bazike. Një gjë e tillë është e natyrshme prej kur pranuam Marrëveshjen Bazike dhe Aneksin e saj; e kundërta, do të nënkuptonte heqje dorë nga një pjesë e rëndësishme e Marrëveshjes Bazike.

Në takimin e dytë, atë trilateral me pjesëmarrjen edhe të Presidentit të Serbisë, u ekspozova përballë një skenari të cilin z. Lajçak dukej që e kishte dizajnuar kohë më parë. Pasi i propozova Presidentit të Serbisë dhe dy përfaqësuesve Evropian një plan të sekuencimit të punuar nga Republika e Kosovës, i cili në fakt është dokumenti i parë që e propozoj në një takim të nivelit të lartë, edhe pse kryenegociatori, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi i ka propozuar në katër muajt e kaluar edhe dy plane të tjera të sekuencimi e të cilat janë refuzuar nga z. Lajçak, Presidenti i Serbisë dhe Miroslav Lajçak reaguan me të njëjtin mendim dhe me të njëjtën shpërfillje të koordinuar. Të dytë thanë që ky plan është shumë jorealist dhe rrjedhimisht e vetmja rrugë përpara është zbatimi i pasekuencuar i pikës së negocimit të statutit të një asociacioni të komunave. Aty e shtrova pyetjen se cila pikë, sipas tyre, e këtij propozimi të sekuencimit, nuk është e parashikuar në Marrëveshjen Bazike?! Nuk morra asnjë përgjigje, për shkak të një fakti të thjeshtë: çdo pikë e planit tim të sekuencimit të propozuar aty buronte në mënyrë eksplicite nga shkronja e secilit nen të Marrëveshjes Bazike. Nuk kisha shpikur e as shtuar asgjë. Çdo gjë që shkruhej në propozimin tim ishte e miratuar nga të gjithë ne më 18 mars të këtij viti në takimin që rezultoi me marrëveshjen në Ohër. Pasi u refuzova në sintoni nga Vuçiqi e Lajçaku, atyre të dyve iu shtrova një pyetje bazike: iu thash, nëse po refuzoni propozimin tim, atëherë më thoni nëse Serbia ka bërë ndonjëherë ndonjë propozim të një plani të sekuencimit? Z. Lajcak tha që po, me një bindje të plotë, Serbia [tha ai] ka sjellë propozimin e saj gjithashtu. Unë insistova ta shoh atë dokument. Propozimin tim e kishim para vetes, propozimin e Serbisë nuk e dinim.
Nuk m’u dha ai dokument, dhe pas shumë insistimeve pas përfundimit të takimit të fundit bilateral, m’u soll një dokument që m’u tha se është propozimi i Serbisë për planin e sekuencimit.

Mbledhja përfundoi aty. Vuçiqi doli në një konferencë për media dhe paralajmëroi atë që ndodhi një orë më pas, tha që Kurti do kritikohet për shkak të refuzimit të propozimeve të ndërmjetësuesit Lajçak. Paralajmërimin e Vuçiqit e dëgjova fjalë për fjalë në konferencën për media të Përfaqësuesit të Lartë Borrell.

Pasi analizuam dokumentin që Lajçaku më thoshte që është propozimi i Serbisë për planin e sekuencimit, kuptova nga përmbajtja e atij dokumenti e të cilin e keni edhe ju të gjithë tani, që një pretendim i tillë i Lajçakut ishte në rastin më të mirë i pavërtetë. Ai dokument dukej që ishte dorëzuar në kohën e negociatave para Ohrit, madje para miratimit të Marrëveshjes Bazike dhe Serbia nuk kishte sjellë asnjëherë asnjë propozim për sekuencim të Marrëveshjes Bazike.

Mos sjelljen e një propozimi të tillë, ndërmjetësi Lajçak e kishte fshehur në përmasa të tilla që ta amnistonte qëndrimin refuzues ndaj Marrëveshjes për të cilën Vuçiq fliste çdo javë pas datës 18 mars. E keni parasysh edhe konferencën e tij, të datës 24 prill, kur thoshte që Marrëveshjen e pranon vetëm në koncept, jo në përmbajtje dhe se zbatimin e saj e mendon me kufizime, pra jo të plotë.

E kuptova pra që ai dokument i Serbisë, i cili që në titull tregonte synimin për ta shpërfillur Marrëveshjen Bazike – “Së pari zbatimi i Asociacionit e pastaj diskutimi për Planin e Propozuar nga Bashkimi Evropian” -, në fakt ishte shndërruar në qëndrim të Lehtësuesit apo Ndërmjetësit Lajçak. Si i tillë, Lajçaku dhe Vuçiqi duket sikur të kenë qenë të koordinuar me një qëllim të vetëm: të bëjnë të mundur të pa mundur skenar në të cilin Marrëveshja zbatohet të plotëni, dhe t’i japin jetë një skenari alternativ ku vetëm gjysma e Marrëveshjes zbatohet e gjysma tjetër, ajo që përbën pjesën më civilizuese të marrëdhënieve të mira fqinjësore, demokratike dhe evropiane, mospërfaqësimin e njëra-tjetrës në marrëdhënie ndërkombëtare, e të tjera, të mos zbatohet asnjëherë.

Refuzimi nga ana ime i një skenari të tillë është një veprim fillimisht logjik, pastaj tregues i përgjegjësisë politike ndaj Republikës që përfaqësoj e gjithashtu edhe tregues i respektit për vlerat e Bashkimit Evropian, të cilat mishërohen pikërisht në nenet 1 deri në 5 të Marrëveshjes Bazike që Lajçaku e Vuqiçi donë t’i bëjnë të zhduken nga plani i zbatimit. Të thuash që një marrëveshje meriton të zbatohet vetëm në gjysmën e saj është e njëjtë sikur të thuash që marrëveshja duhet mbytur.

Prandaj, unë nuk e pranova një skenar të tillë, sepse për mua dhe për Këshillin Evropian, një marrëveshje e tillë ekziston dhe nuk mund të zhbëhet nga askush.

Pasi përfunduan takimet dhe pas daljes sime në medie në Bruksel ku e ekspozova këtë skenar të pakuptimtë në të cilin synimi është të mbytësh tërë Marrëveshjen Bazike përveç asociacionit, ndërmjetësi lëshoi për media një dokument sekuencimi për të cilin u tha që “Vuçiqi e pranoi e Kurti e refuzoi”. Një informacion i tillë është tërësisht i pavërtetë, shtuar këtu që në atë plan të Lajçakut zbatohet pikërisht ajo që Serbia e kërkonte në dokumentin e saj që e përmenda më herët.

Si mund të paraqitet një dokument në takimin e datës 14 shtator kur në të njëjtin dokument shkruante që datë e tij është 19 korriku i këtij viti, datë kur ka pasur një takim kryenegociatorësh Bislimi e Petkoviq në Bruksel?! Dokumenti i tillë i Lajçakut ishte refuzuar që në atë datë që shënonte, pra me 19 korrik, pra ishte refuzuar menjëherë nga kryenegociatori, Zëvendëskryeministri Bislimi në takimin e Brukselit të para dy muajsh. Pse e gjithë kjo katrahurë informacioni nga zyra e Lajçakut? Këtë besoj e kupton çdokush, sepse është e qartë që informacioni nga zyra e Lajçakut është i tillë, që nuk çanë kokën për neutralitetin e tij dhe për ta mbrojtur gjithpërfshirjen e planit të zbatimit të sekuencuar dhe përfunduam paradoksalisht në një situatë ku paralajmërimet e Vuçiqit përputhen me ato që më pas thotë ndërmjetësi.

Mё lejoni tё përfundoj këtë fjalë timen hyrëse me konstatimin që me 14 shtator pati njё pozicionim tё qartё tё ndërmjetësit kundër Kosovës nё përgjithësi dhe kundër Marrëveshjes Bazike në veçanti. Kështu, ata kanë shkuar shumë larg me goditjen e të ardhmes së Kosovës. Në situatën në të cilën jemi, vlerësoj që nuk mund të shtrembërohem në gjykimin tim me asnjë hedhje e hirit syve. Ose do e zbatojmë Marrëveshjen Bazike në tërësinë, në plotninë e saj, ose nuk mund të zbatojmë vetëm ato që do Serbia. Kjo logjikë ka vdekur dhe një Republikë e Pavarur e Kosovës nuk mund, nuk duhet dhe nuk do të ecë në një shteg të tillë.

Ju falemnderit.

Pyetje e përgjigje nga Konferenca e Kryeministrit Kurti me Zëvendëskryeministri Bislimi:

Pyetje: Kryeministër siç e thatë domethënë ka pasur sipas juve një koordinim të BE-së me Serbinë dhe a keni pasur pas këtij takimi konsultime me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me ndërmjetësit atje dhe si e shihni daljen tani nga kjo situatë?

Kryeministri Kurti: Unë nuk do të thosha që ka pasur koordinim të Bashkimit Evropian me Serbinë, unë do të thosha që Emisari special evropian, ka pasur një koordinim të tillë me presidentin e Serbisë. Sepse nuk shpjegohet ndryshe fakti që fshihet mungesa e propozimeve të Serbisë, dhe në anën tjetër shpërfillen propozimet tona. Gjatë gjithë vitit unë bëj propozime konstruktive e kreative në fund doli që Serbia s’paska bërë asnjë propozim përveçse një dokumenti kushtëzues. Ne kemi besuar që kompromiset të cilët i formulonte Lajçaku, janë midis dy lloj propozimeve të Kosovës dhe të Serbisë, por po del që kanë qenë vetëm deformim i propozimeve tona se Serbia s’ka dhënë propozime asnjëherë. Serbia veç në fillim të vitit e ka lëshuar një dokument kushtëzues ma së pari Asociacioni vijë e kuqe e Serbisë edhe nuk është marrë me këtë punë. Paradoksalisht e ka bërë përfaqësues Lajçakun i cili gjithmonë ka provuar ta gjej një mes midis propozimeve gjithnjë të reja të Kosovës dhe kushtëzimit gjithnjë të vjetër të Serbisë. Pra, unë këtu nuk mund të barazoj. Do të ishte edhe e pavërtetë, e padrejtë, emisarin evropian me Bashkimin Evropian. Andaj, kjo duhet diskutuar me Bashkimin Evropian për emisarin evropian. Kjo mënyrë aspak neutrale dhe korrekte e ndërmjetësimit. Ndërkaq, ditëve në vijim me siguri që unë do të kem takime me të gjithë faktorët ndërkombëtarë, të cilët e kanë pranuar shtetin e Kosovës, dhe të cilët dëshirojnë të na ndihmojnë e të na përkrahin edhe sa i përket shtetndërtimit demokratik, edhe sa i përket zhvillimit socioekonomik, por edhe sa i përket njohjeve ndërkombëtare e në veçanti normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë që tashmë e ka zgjidhjen është Marrëveshja Bazike e njohjes së ndërsjellë de facto.

Pyetje: Kryeministër po e përshkruani z. Lajçak si palë me Serbinë. A do të kërkoni nga Bashkimi Evropian zëvendësimin e tij në këtë proces të dialogut. Faleminderit?

Kryeministri Kurti: Emisari evropian Lajçak, natyrisht që nuk më jep llogari mua si Kryeministër i Republikës së Kosovës. Po ai duhet t’i jap llogari Komisionit Evropian, Këshillit Evropian, Parlamentit Evropian. Atyre duhet t’ju jap llogari. Dhe unë besoj ajo çfarë kam thënë këto ditët e fundit e në veçanti sot është më se e mjaftueshme për këtë llogaridhënie të tij atje.

Pyetje: A mendoni z. Kryeministër që jemi duke u futur në status quo të dialogut, i cili e pamundëson largimin e masave që janë vënë ndaj Kosovës. Edhe një pyetje tjetër që ka të bëjë edhe me një deklaratë të Zëvendëskryeministrit Bislimi i cili e ka dhënë për mediumin “Danas”, që faktikisht Kosova ka bërë lëshim të madh që, faktikisht ka pranu që mos me u përfshi njohja formale në marrëveshjen e fundit. Çka do të thotë kjo deklaratë, që u diskutu njohja formale dhe është pajtu Kosova që të mos ketë njohje formale mos është keqkuptu kjo deklaratë apo cila është saktësia e saj?

Kryeministri Kurti: Së pari çështja e masave dhe  e heqjes së tyre ka të bëjë kryekëput me deeskalimin e situatës në veri të Kosovës. Nuk ka të bëjë me Marrëveshjen Bazike, ai është proces i normalizimit të raporteve që e ka tekstin e dakorduar në letër i cili duhet të shndërrohet në realitet të ri në terren. Pra, duhet zbatuar Marrëveshja. Por, masat ne i kemi për shkak të përpjekjeve për destabilizim dhe dhunës në veri të Kosovës. Ne e kemi thënë që në krye të herës se ne i dimë emrat dhe mbiemrat e atyre që e nxitën dhe e shkaktuan këtë dhunë. Dhuna nuk ishte anonime, inpersonale, pa çka se kishte njerëz me maska dhe të cilët fshiheshin përfundi kapelave të tyre. Deeskalimi në masë të konsiderueshme ka ndodhur. Ka më shumë se dy muaj që s’ka as incidente serioze dhe as protesta të dhunshme, por ajo çfarë ne duhet të jemi të kujdesshëm, është mundësia e rieskalimit. Dhe adresa për potencialin e rieskalimit nuk është në Prishtinë po është ne Beograd. Mbase jo vetëm në Beograd është edhe në atë hotelin Kopaonik në anën tjetër të kufirit, përtej komunës së Leposaviqit, atje në Serbi. Pra, deeskalimii cili tashmë ka ndodhur do të duhej të ishte i mjaftueshëm  që ta rimendonin heqjen e masave. Ndërkaq, nënshkrimi i Udhëzimit Administrativ, para pak ditësh nga ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, për sqarimin e Nenit 72 të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, do të duhej që ta bënte të natyrshme, normale, heqjen e masave ndaj Kosovës, meqenëse ekziston rruga e qartë dhe inkurajimi ynë institucional për zgjedhje të parakohshme në katër komunat në veri të Kosovës. Pra, ne e kemi bërë rrugën e qartë legalo-juridike administrative që duhet ndjekur në mënyrë që sivjet të kemi zgjedhje të parakohshme në ato katër komuna. Me kaq, shto këtu zvogëlimin e Policisë së Kosovës dy herë nga 25 për qind në ndërtesat e tri komunave në veri, padyshim që masat nuk kanë arsye të jenë më aty. Ndërkaq për këtë të dytën është besoj më e rrugës, që të përgjigjet vet Zëvendëskryeministri Bislimi.

Zëvendëskryeministri Bislimi: Faleminderit shumë. Mandati që ka z. Lajçak, është të negociojë apo të fasilitojë një marrëveshje finale mes Kosovës dhe Serbisë, me një marrëveshje ligjërisht obligative. Pamundësia e faktorit ndërkombëtar të detyrojë Serbinë të jetë konstruktive në dialog, ka detyruar propozimin apo sjelljen e propozimit franko-gjerman. Do të thotë ka qenë kërkesë e propozuesve që të futet një fazë e ndërmjetme dhe prandaj quhet marrëveshje drejt normalizimit “Under path to normalizition” e cila Kosovës i ofron njohjen de facto por njohja de jure mbetet më vonë. Ky nuk është lëshim. Fjala lëshim është përdorur qëllimisht nga media kosovare që kanë financim nga Serbia për me i dhënë konotacion negativ. Ky është koncesion që ka bërë pala kosovare jo ndaj Serbisë po ndaj bashkësisë ndërkombëtare. Por jo që kemi heqë dorë nga marrëveshja finale për arsye se kjo marrëveshje, plani franko-gjerman është fazë e ndërmjetme drejt marrëveshjes finale, ndërkaq Kryeministri posedon një letër të dorëzuar nga z.Lajçak, ku thuhet se kjo marrëveshje e ndërmjetme siguron njohjen de fakto nga Serbia.

Pyetje: Kryeministër, në Ohër palët u dakorduan për përmbajtjen e marrëveshjes, por nuk pat nënshkrim. Prapë nga ndërmjetësuesi kjo u lejua dhe Kosova vazhdoi rrugëtimin. Pastaj erdhi plani për zbatimin e Marrëveshjes apo Aneksi për zbatimin edhe këtu pas saj palët vazhduan  dhe rrjedhi ajo që quhet sekuencim i Marrëveshjes. Edhe deri këtu erdhëm në takimin ku jemi sot, jo në takimin por në bisedën për takimin që ishte i fundit dhe ku Kosova po pretendon se ndërmjetësuesit kanë marrë anë nga Serbia. Kosova ka përfunduar sipas ndërmjetësuesit si palë që nuk e ka pranuar propozimin e tyre dhe si palë që është e sanksionuar ose ka masa ekonomike ndaj saj. Gjithë ky rrugëtim i gjatë si përfundojë Kosova në pozitën që është sot dhe ju si kryeministër a nuk po e vëreni që në njëfarë forme ndërmjetësuesi gjatë gjithë këtij rrugëtimi po bënë vazhdimisht lëshime ndaj Serbisë dhe përfundojmë në pozitën që jemi.

Dhe një pyetje tjetër shkurtimisht: Kosova i shqyrton themi edhe masat apo veprimet më radikale, si për shembull shqyrtimin e pjesëmarrjes në procesin e dialogut. Ju faleminderit.

Kryeministri Kurti: Së pari refuzimi i atij të ashtuquajturit kompromis të emisarit Lajçak nuk është bërë më 14 shtator. Është bërë më 19 korrik. Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi e ka refuzuar atë propozim. Pra, ai ma solli mua me 14 shtator atë që e ka refuzuar Besnik Bislimi më 19 korrik. A po provon me gjet dallimin midis neve a qysh është puna. Pra ai është propozim i refuzuar, nuk do të duhej të vinte më. Por edhe t’ju them të drejtën edhe nuk erdhi. Në tavolinë ka pasur veç një propozim. Mas takimeve e kanë nxjerrë atë 19 korrikun edhe e ka nxjerrë nëse nuk gaboj Peter Stano, zëdhënësi atje. Nuk e ka nxjerrë Lajçaku. Aty ka pasur vetëm një propozim, propozimi im. Mirëpo, ne kemi dhënë propozime edhe më herët dhe kur Lajçak vinte me ndonjë lloj kompromisi ne besonim që ka propozime edhe nga pala tjetër, por në fund doli që pala tjetër nuk kishte bërë propozime kurrë. Tash shtrohet pyetja pse ne nuk e kemi marrë vesh më herët këtë gjë, sepse principi ka qenë që propozimet tona Lajçak nuk ia tregon Serbisë edhe propozimet e Serbisë nuk na i tregon neve, por në zyrën e tij ai i analizon të dyja propozimet. Mirëpo, me 14 shtator doli e vërteta. E vërteta është që veç na kemi bërë propozime. Pala serbe nuk ka bërë propozime hiq, prej diku kah muaji shkurt atje qatë dokument kushtëzimi. Na kemi mendu që Lajçak është duke e gjetur një lloj kompromisi midis dy lloj propozimeve. Por, ne nuk e kemi ditur që gjatë gjithë këtyre muajve nuk ka dhënë asnjë propozim pala serbe. Kjo është asimetria drastike në këto bisedime dhe t’ju them të drejtën nuk e di sa e ka ditur jo Bashkimi Evropian edhe qeveritë më të fuqishme të Bashkimit Evropian. Po sa e ka ditë edhe vetë z. Borrell për këtë gjë, që s’ka propozime nga pala serbe. Sepse në një moment gjatë bisedimeve kur unë i them: Cili është propozimi i palës serbe, edhe i them Vuçiqit, edhe i them Lajçakut, Borrel i thotë po ashtu Vuçiqit: Cili është propozimi juaja?. Edhe mandej Lajçak thotë “jo, jo e kanë dhënë më herët këta”. Unë ju thash prit ta shoh propozimin edhe nuk kishte propozim. Mu premtua se do ta nxjerri dikun propozimin prej më herët. Shkoi takimi trilateral, shkoi takimi bilateral, asnjë propozim…

Kur kanë përfunduar krejt takimet, neve në zyrën ku kemi qëndruar ekipi ynë dialogues na e ka sjellë asistentja e z. Lajçak një dokument që është më i vjetër se gjashtë muaj. Vazhdimisht ne kreativ e konstruktiv me propozime, ata duke mos na treguar neve që veç njëra palë po propozon. Dhe krejt në fund është shumë interesant qysh sa më konstruktiv edhe kreativ unë, qaq më nervoz e të padrejtë ata. Tash do me thënë unë kam besuar që kreativiteti dhe konstruktiviteti shpërblehet jo që ndëshkohet. Në negociatat konvergjente që qojnë drejtë një qëllimi do të duhej që konstruktiviteti dhe kreativiteti të shpërblehen, jo të ndëshkohen. Po këtu kemi hyrë ne në negociata divergjente për shkak të asimetrisë nga ndërmjetësi që përfundimisht nuk ishte neutral.

Nëse bën edhe zëvendëskryeministri Bislimi një shtesë.

Zvkm Bislimi: Nëse bënë shkurtimisht sepse nuk kemi ardh rastësisht në këtë situatë. Më datën 27 shkurt në Bruksel, kryeministri Kurti ka ofruar që të nënshkruhet marrëveshja bazike edhe aty pastaj z. Vuçiq në prani të ndërmjetësuesve ka thënë që do e nënshkruaj bashkë me dokumentin e Aneksit implementues që do të negociohet në Ohër. Edhe pastaj publikisht ka thënë që është mashtruar nga këshilltarët e tij, të cilët i kanë thënë prano për arsye se Kurti do e refuzojë. Në fakt aty ka qenë sinjali i parë që qasja e negocimit të Vuçiqit ka qenë në keqbesim- bad faith.

Ka konfirmuar pranimin e dokumentit me bindjen se Kurti do e refuzojë, pastaj ai të duket konstruktiv.

Në Ohër nuk ka pranuar të nënshkruaj asgjë, për arsye se ka deponuar një dokument tek ndërmjetësuesit ku ka treguar për konsekuencat ligjore që mund të këtë ai në rast se nënshkruan dokumente.  Madje publikisht thotë se ka qenë aq i kujdesshëm sa nuk ka përdorë as terma adoptu, aprovu, pranuar diçka që konform konventës së Vjenës do të interpretojë si pranim qoftë indirekt i Marrëveshjes. Do të thotë Vuçiq nuk ka lënë asnjë rast në Bruksel, apo në Ohër,  apo në Beograd për ta huqur që të tregoj se nuk e do marrëveshjen dhe nuk do e zbatoj, paradoksalisht sa më shumë ai ka refuzuar marrëveshjen aq më shumë na është thënë në Bruksel se ai është palë konkstruktive dhe duhet t’i besojmë.

Sa më shumë ne kemi deklaruar që duam ta zbatojmë marrëveshjen në plotëni, aq më shumë është thënë që ka dyshime në gatishmërinë tonë për zbatim të Marrëveshjes.

Pyetje: Kryeministër pas këtij mosbesimi ta quaj ashtu ndaj Lajçak, a do të kërkoni ndërhyrje direkte të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si garantuese e dialogut si do të vazhdoni konkretisht?

Ndërsa, kam edhe një pyetje për zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, e përmendet më herët mediat kosovare të financuara nga Serbia, më intereson të di konkretisht, kush janë ato?

Kryeministri Kurti:  Së pari, unë të nesërmen me datën 15 shtator të takimit të fundit të nivelit të lartë në Bruksel,  i kam dërguar letër sqaruese, Parisit, Berlinit, Romës dhe Washtingtonit, unë i  kam dërguar këto letra tashmë. Dhe nga Parisi dhe Berlini kam konfirmimin që janë pranuar letrat, pra i kam dërguar letër kancelarit Scholz, presidentit Macron, kryeministres Meloni, dhe sektretarit Blinken. Por edhe një here,  nuk është këtu çështja Bashkim Evropian, Shtete të Bashkuara të Amerikës, këtu kemi të bëjmë me një emisar evropian i cili e ka deformuar procesin duke mos u përqendruar në zbatimin e plotë dhe të hollësishëm,  dhe të menjëhershëm,  dhe të pakushtëzuar të Marrëveshjes Bazike dhe të Aneksit  implementues, por duke lejuar që qerrrja të vihet para kuajve,  Asocacioni i komunave një herë pastaj  shohim,  dhe ky deformim i procesit të zbatimit është i shoqëruar edhe me një padrejtësi që për bindjen time është fundamentale.

Sa herë që ka shkelje të Marrëveshjes Bazike, do të duhej që arbtri, referi ti bie pipit, filikaqës, nuk ka ndodhur, ka pas deklarata të ndryshme nga Beogradi zyrtar kundër Marrëveshjes Bazike, mirëpo referi nuk ka thënë kjo është shkelje dhe nuk ka bërë qortim  e ndëshkimin adekuat.

Pra, cili është kuptimi që ne merremi vesh për një tekst të Marrëveshjes Bazike, dakordohemi dhe më pastaj me deklarta e shkelim marrëveshjen e referi nuk reagon. Pra, kjo është një padrejtësi fundamentale qëndron këtu edhe një herë nuk  ka të bëjë tash Amerika, Evropa, jo po shkojmë tek ky jo tek ai.

Shtetet  e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian janë bashkë në këtë proces, janë bashkë, ata  e kanë lidhje e fuqishme trans-atlantike në këtë proces.

Nuk është synimi jonë të zëvendëosjmë një super fuqi me tjetrën, neve na duhen të dya edhe Bashkimi Evropian edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por neve nuk na duhet një ndërmjetësim i tilë, i njëanshëm aspak neutral e korrekt i cili shkon kundër Marrëveshjes Bazike siç ka ndodhur me atë të emisarit Lajçak tani.

Zëvendendëskryeministri Bislimi: Në qoftë se i shikoni një nga një draftet, planet e sekuencimit që ka përgatitë zoti Lajçak, e vëreni shumë qartë ndikimin që ka pas letra e zotit Vuçiq dërguar dikur në shkurt. Për shembull në versionin e 4 dhjetorit që u është dërguar palëve, thuhet që Nenet 2, 3, 5 fillojnë të zbatohen mënjeherë pas nënshkrimit të Marrëveshjes. Menjëherë pas marsit na është thënë që këto janë disa rezultate që mund ti merrni mbase pasi të zbatohen të gjitha pjesët tjera falë presionit të shtuar që  Bashkësia ndërkombëtare mund të i’a bëjë Serbisë.

Si mund të kalohet nga një ekstrem ku nenet kryesore të Marrëveshjes zbatohen automatikisht në momentin e nënshkrimit të saj, në një version ku thuhet këto ndoshta i merrni në fund falë presionit të shtuar të Bashkësisë ndërkombëtare ndaj Serbisë.

Në versionin e 4 dhjetorit i cili përsëritet edhe me 16 mars thuhet që menjëherë pasi të prezantohet draft-statuti, kujtojmë draft statuti është prezantuar  me 2 maj, do të rrjedhë njohja reciproke e pasaportave. Tash ajo është vendosë krejt në fund, do të thotë është kujdes që të gjithë hapat që Kosova duhet të përmbushë, të zhvendosen lartë ndërkaq ato që Kosova i përfiton nga Marrëveshja të zhvendosen poshtë.  Kosova është vendosë para një situate ku është thënë ose do të pranonin një zbatim të mangët ku ju vetëm merrni obligime nuk merrni përfitime ose do të fajsoheni si palë jo konstruktive në dialog.

Për mua mediat kosovare me financim nga Serbia, janë ato media që regjistrohen në Kosovë me pronarë ng Serbia.

Pyetje: Kryeministër për të ecur tutje nga ajo që ndodhi dhe  thatë deri më tani është që sot ndërmjetësi i dialogut Miroslav Lajçak, do të informoj vendet anëtare të Unionit do të thotë për dështimin e takimit 14-tit që do të thotë, ndërmjetësit po ua lënë fajin juve që nuk pranuat një marrëveshje të kompromisit ashtu pretendojnë. Por, a është Kosova faktikisht tani përballë sanksioneve të Bashkimit Evropian dhe të SHBA-së, sepse edhe ambasadori i SHBA-së, Hovenier ka paralajmëruar se nëse nuk ka rezultat takimi i 14-të dhe gjendet fajtori, do të thotë edhe SHBA do t’i shqyrtojë ato mbështetjet ndaj Kosovës ?  Duke e ditur edhe çështjen e veriut sepse ndërmjetësit kanë përmendur atë ditë që në veri është një situatë e ndjeshme dhe pas këtij takimi që dështoi mund të ndodhin tensione duke paralajmëruar ata. Dhe një çështje tjetër, opozita iu ka kritikuar juve për dialogun qorrsokak, madje një kryetar i opozitës, Ramush Haradinaj, i’u ka kërkuar dorëheqjen si rruga më e mirë për vendin.

Kryeministri Kurti: Së pari ata që thonë se mund të ketë tensione e destabilizim në veriun e Kosovës, është mirë këtë t’ia tregojmë Policisë së Kosovës. Kush dëshiron të shkaktojë dhunë?

Unë i lutem të gjithë atyre të cilët paralajmërojnë dhunë në veri ta njoftojnë Policinë e Kosovës, çdo informacion të hollësishëm e konkret që kanë në mënyrë që ta parandalojnë.

Dhuna nuk është fatkeqësi natyrore, nuk është dukuri natyrore, nuk është si tërmeti ose zjarret e egra, stuhitë e vërshimet ose vullkanet. Unë kam dëgjuar shumë zyrtarë të ndryshëm që flasin për erupsionin e dhunës, unë nuk e di që në veri të Kosovës ka vullkan, po të kishim vullkan do të thoshim erupsioni i mundshëm i vullkanit në veri të Kosovës, por është dhunë.  Dhuna ka subjekte prapa që janë të dhunshëm dhe e bëjnë dhunën, kanë emra dhe mbiemra. Kjo është aryeja që unë i kam përmendur 45 emra dhe mbiemra që ne i kemi dhe një mori të tyre I kam lexuar edhe në Kuvendin e Republikës, se kam dashur të them që këta janë emra të përveçshëm nuk është qytetari serb, nuk është komuniteti serb, unë nuk i barazoj asnjëherë pushtetin e shtetin me popullin.

Populli është burimi i sovranitetit, shteti është sovrani, me zgjedhjet demokratike qeveritë ndërrohen  kur dëshiron populli dhe prandaj janë ciklet elektorale, andaj nuk mund të flasim për një dhunë të natyrshme, dhuna është artificiale dhe ky artific i dhunës ka agjenci prapa, ka struktura prapa, ka individë me emra të përveçshëm, andaj të gjithë ata të cilët i frikësohen edhe paralajmërojnë destabilizim le të na tregojnë ku e bazojnë këtë konkretisht. Ne jemi që të hiqen masat ndaj neve sa më parë, mirëpo krejt çfarë është kërkuar prej neve e kemi bërë.

Kush ka besuar në fund të muajit maj, dhe në fillim të qershorit që do të kemi këso qetësie në veri në shtator. Po ka pas arrestime, ka pas konfiskime të municionit të armatimit, mirëpo lëndimet që janë shkaktuar janë pikërisht prej ekstremistëve të dhunshëm, prej atyre strukturave ilegale, edhe ndaj ushtarëve të KFOR-it, edhe ndaj juve gazetarëve edhe ndaj policisë serbe, pra deeskalimi, s’po them qind për qind por në masë shumë të madhe absolute tashmë ka ndodhur. Le të kujdesemi që të mos ketë ri-eskalim. Ata që edhe rieskalimin e quajnë erupsion i dhunës ose dhunë e paralajmëruar  që mund të shfaqen prandaj edhe njëherë i lus si kryeministër i Republikës së Kosovës çdo informacion që kanë t’ja japin policisë së vendit tonë.

Unë kam dëgju që opozita herë kërkon dorëheqjen time e herë kërkon shkarkimin tim e herë kërkon zgjedhje të parakohshme. Më lejoni të ju them që zgjedhjet e parakohshme në Kosovë nuk i konvenojnë as qeverisë dhe as opozitës. Opozitës nuk i konvenojnë zgjedhjet se i hup, e qeverisë nuk i konvenojnë zgjedhjet sepse zhduket opozita. Unë jam i interesuar që ta mundim në zgjedhje opozitën, por jo edhe ta zhdukim.

Pyetje:  Pas këtyre rrethanave të reja në dialog kryeministër çka tutje? A do të vazhdoni ju të negocioni me dialogun e Brukselit apo do të prisni deri në vitin e ardhshëm për zgjedhjet e reja në Bashkimin Evropian dhe rrjedhimisht edhe ndryshimin e ndërmjetësuesve?

Kryeministri: Tash është koha kur kemi nevojë për konsultime, me Brukselin së pari, dhe gjithashtu me Washingtonin, Parisin, Berlinin, Romën e kështu me radhë dhe këtë po e bëjmë por duhet t’i rikthehemi marrëveshjes bazike, tekstit të dakorduar në Bruksel e në Ohër, që duhet të shndërrohet në zbatim real në terren. Pra insistimi jonë do të jetë në këtë pikë dhe unë besoj që do të kemi diskutime përmbajtjesore  dhe vetë brenda BE-së në mënyrë që procesin ta kthejmë në binarë prej nga është nxjerrur me njëanshmërinë e emisarit Evropian.

Zvkm Bislimi: Masat e Kosovës janë vendosur në një letër që Komisioni Evropian i ka dërguar në adresën time ku thuhet ndaj Kosovës vendosen masa të përkohshme, të kthyeshme dhe të vendosura në një proces kredibil drejt eskalimit. Pas vendosjes së këtyre masave unë jam ftuar nga z. Lajcak për të diskutuar në Vjenë ose në Bratislavë për një …. që do të çonte në heqjen e masave. Kështu ka dal edhe rezultati i këtyre bisedimeve është marrëveshja e Bratislavës, 10 korrik që ka pas me vete po ashtu  jo në tekst por në frymë premtimin që  masat do të hiqen para takimit të 19 korrikut për arsye se ky ka qenë procesi kredibil  që qon në deeskalim. Para takimit të kryenegociatorëve më 19 korrik, kjo nuk ka ndodhur, po ashtu, ka pas një premtim eksplicit nga z. Lajcak që masat do të hiqen menjëherë pas takimit të 14 shtatorit me një letër që do e dërgojë z. Borrell te Komisioni Evropian. Në vend të kësaj z. Lajcak ka raportuar te vendet anëtare sa masat ndaj Kosovës kanë afat dhe rrjedhimisht duhet të mbeten në fuqi. I vetmi efekt që ato kanë prodhuar është ashpërsimi edhe më tej i fjalorit të Vuciq.

Pyetje: Kryeministër, thatë që pati asimetri, pozicionim, pa balancim në aspektin, konkretisht akuzat ishin kundër emisarit Miroslav Lajçak. Të themi, rrezikun e tij, nëse mund ta quajmë ashtu në thonjëza, e kishte paralajmëruar edhe ish-presidenti Thaçi, në kohën kur është emëruar, kur ka thënë se nuk ia donë të mirën Kosovës, misioni i tij do të dështojë. A besoni edhe ju njëjtë si ish-presidenti Thaçi në këtë aspekt edhe, ish-baronesha Ashton, që e keni takuar ju, ka thënë se ia donë të mirën Kosovës Miroslav Lajçak? A iu ka thënë edhe juve në takimin e fundit që keni pasur? Kryeministër, a jeni lodhë duke i argumentuar faktorit ndërkombëtar, që nuk do ta themeloni atë Asociacion, të cilin po e kërkon Kosova, pasi që tash prej që jeni në pozitë, i keni kërkesat e njëjta sa i përket kësaj çështjeje dhe pse nuk merrni pjesë nëpër studio televizive?

Kryeministri Kurti: Mua më vjen keq që kjo është pyetja e fundit, por arsyeja pse është kjo pyetja e fundit që do t’i përgjigjemi, është për shkak se gazetarët që po e marrin fjalën po i bëjnë nga 3-4 pyetje. Pra, duhet të organizoheni që të bëni një pyetje dhe do të pyesni të gjithë.

Së pari, qartazi ka asimetri, ka mungesë të neutralitetit. Në veçanti, për bindjen time ka ndodhur një zmbrapsje e ndërmjetësit prej momentin kur Kosova e ka kaluar suksesshëm fazën e parë të anëtarësimit drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës, që ka ndodhë me datën 24 prill dhe në momentin kur ne e kalojmë fazën e parë suksesshëm drejt anëtarësimit në Këshill të Evropës dhe kalojmë me dy të tretat, Serbia voton kundër aty dhe as Lajçak as Borrell nuk vërshëllejnë me pipin, filikaçën e arbitrit, ai është momenti kur del treni nga binarët, për bindjen time, përfundimisht. Dikush mund të thotë se ka edhe më vonë edhe më herët, por shkelje më të qartë të fjalisë së fundit të nenit 4 të Marrëveshjes Bazike të Brukselit të 27 shkurtit, nuk ka pasur se me 24 prill dhe nuk kanë reaguar.

Prandaj, është inkurajuar shkelja, përveçse nuk është sanksionuar mosnënshkrimi.

Tash, unë, kush i ka qëllimet e mira e kush si ka qëllimet e mira, nuk mund të depërtoj në trurin e njerëzve. Unë shoh sjellje dhe veprime dhe për këtë jap vlerësimet dhe gjykimet e mia. Tash, a ia do të mirën, a s’ia do të mirën, kjo duhet të dëshmohet me vepra, duhet të dëshmohet me sjellje e unë ato i vlerësoj. Nuk vlerësoj çka kanë njerëzit në kohë, sepse fundja në kokë mund të kesh edhe ide të mira, por është e kotë për qytetarët dhe për shtetet, atëherë kur ato nuk realizohen në terren.

A je lodhur? Nuk lodhem kurrë unë, për asnjë gjë, hiq.

Faleminderit shumë.

 

Last modified: 18 Shtator, 2023

Comments are closed.

×