Zyra e Kryeministrit

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti në konferencën për media pas takimit dhe diskutimit të liderëve të Ballkanit Perëndimor rreth Planit të Rritjes

22 Janar, 2024

Shkup, 22 janar 2024 

Të nderuar përfaqësues të mediave,

Të dashur qytetarë, 

Sot jemi në Shkup në formatin e Ballkanit Perëndimor Gjashtë me ftesën e Kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, për të diskutuar për Planin e Rritjes së Bashkimit Evropian.  

Plani i Rritjes synon që të na ofrojë neve, Ballkanit Perëndimor Gjashtë, me Bashkimin Evropian për integrim e anëtarësim aty nëpërmjet përfitimeve të Tregut Unik para anëtarësimit.

Ne kemi mirëpritur këtë plan pasi nuk na e ngadalëson anëtarësimin por e përshpejton atë duke e rritur shpejtësinë e reformave dhe konvergjencën mes Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor.

Pra, nëse Procesi i Berlinit konsistonte në Tregun e Përbashkët Rajonal, Plani i Rritjes konsiston në qasjen dhe pjesëmarrjen në Tregun Unik të Bashkimit Evropian.

Me nivelin aktual të rritjes ekonomike, produkti bruto i brendshëm mesatar për banorë në fuqinë blerëse në Ballkanin Perëndimor qëndron diku ndërmjet 30% dhe 50% të mesatares së Bashkimit Evropian. Plan i rritjes së bashku me Tregun e Përbashkët Rajonal mund ta shtojë edhe 10% rritjen ekonomike. Kjo do të arrihet bazuar në rregullat dhe standardet e Bashkimit Evropian si dhe kushtëzuar me respektim e zbatim të vlerave të Bashkimit Evropian. Pjesë e Planit të Rritjes është Tregu i Përbashkët Rajonal, në kuadër pra të Procesit të Berlinit, i cili synon heqjen e barrierave në katër liritë; lirisë së njerëzve, mallrave, shërbimit dhe kapitalit.  

Të gjithë e mbajmë mend se si para 10 viteve ish Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, pat deklaruar që gjatë mandatit të tij 5 vjeçar nuk do të ketë zgjerim të Bashkimit Evropian dhe nga kjo mungesë e ndjenjës së urgjencës për zgjerim të Bashkimit Evropian pat lindur si përgjigje Procesi i Berlinit. Ndërkaq, një dekadë më vonë, tani në përmbyllje të këtij mandati të Presidentes aktuale të Komisionit Evropian, zonjës Ursula von der Leyen, ne e kemi Planin e Rritjes i cili do të sjellë mbështetje financiare 6 miliardë euro për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor që duan të hyjnë në Bashkimin Evropian dhe me ç’rast mbështetja financiare varet nga puna dhe performanca veç e veç, ku nëse shtetet në procesin e Berlinit arrijnë diçka pozitive, ajo automatikisht bartet edhe tek Plani i Rritjes. Ndërkaq, nëse shtetet te Procesi i Berlinit pengojnë njëra-tjetrën, kjo nuk ka efekt tek Plani i Rritjes sepse në bazë të këtij plani që është ideuar nga zonja presidente von der Leyen, shtetet mund ta bllokojnë vetëm vetveten, por jo njëra-tjetrën. 

Ne sot si Qeveri e Republikës së Kosovës, do të dorëzojmë një listë të reformave për Planin e Rritjes tek Bashkimi Evropian. Kjo listë synon reformimin e mëtutjeshëm të administratës publike dhe avancimin e menaxhimit të financave publike. I kushton rëndësi të veçantë agjendës së gjelbër dhe digjitalizimit, zhvillimit të sektorit privat, investimeve dhe eksporteve, si dhe forcimit të të drejtave themelore. 

Gjithashtu po përgatisim një listë indikative të projekteve që synojnë mbylljen e boshllëqeve infrastrukturore dhe nxitjen e zhvillimit ekonomik që do të financohet përmes Fondit të Reformës dhe Rritjes, duke përshpejtuar kësisoj rritjen dhe konvergjencën në Bashkimin Evropian.

Siç e kemi dëshmuar në tre vitet e fundit me përmirësimin e treguesve demokratikë dhe ekonomikë, Kosova është shumë e gatshme përveç se e interesuar për reforma.

Ne besojmë së anëtarësimi në Bashkimin Evropian duhet të udhëhiqet nga meritat dhe të bazohet në vlera. Ky Plan i Rritjes nuk është vetëm një mundësi për reforma, por edhe shans për bashkëpunim dhe integrim më të ngushtë rajonal ndërmjet gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Prandaj, ne duhet të jemi konstruktiv në angazhimin tonë dhe të vetëdijshëm për fuqinë transformuese të vendimeve tona. E që rajoni i Ballkanit Perëndimor të integrohet ekonomikisht dhe që qytetarët të afrohen nevojitet që paqja me sundim ligji të mbizotërojë dhe kërcënimet e sigurisë të pushojnë.

Integrimi më i thellë dhe rritja e fluksit të njerëzve dhe mallrave kërkon edhe besim edhe njohje reciproke mes shteteve, pra vendeve, institucioneve dhe njerëzve.

Anëtarësimi në Bashkimin Evropian është në thelb një zgjedhje. Ka shtete dhe popuj të cilët përcaktohen që të mos anëtarësohen në Bashkimin Evropian. Por anëtarësimi në Bashkimin Evropian është synim i shtetit tonë, i institucioneve të sistemit, por gjithashtu edhe i popullsisë së vendit tonë me një mbështetje e cila sillet diku tek 94% sipas të gjitha matjeve të opinionit publik që bëhen rregullisht ndër shumë vite. 

E në një demokraci liberale pushteti i qeverisjes është i kufizuar siç dihet nga sundimi i ligjit, ndërkaq liria e të drejtat e individëve mbrohen nga kushtetuta. Prandaj përcaktimi për Bashkimin Evropian njëkohësisht përfaqëson edhe zgjedhje strategjike të udhëheqjes së një vendi, zgjedhje tashmë e bërë nga Republika e Kosovës.

Detyra jonë është që të realizojmë reformat dhe të përmbushim kushtet, kurse e Bashkimit Evropian është që të vlerësojë mbi bazën e meritave dhe të kujdeset për t’i ruajtur vlerat themelore të Bashkimit Evropian.

Unë ju falënderoj për vëmendjen tuaj dhe tash unë këtu jam me këshilltarët e mi nga Kryeministria, me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Muratin, si dhe me ambasadorin tonë të Republikës së Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Shkëlqesinë e tij, Florian Qehaja, dhe do të mund të ju përgjigjemi pyetjeve tuaja.

Pyetje: Është diskutuar, në qendër të vëmendjes ishte tregu i përbashkët rajonal. Më intereson të di në këtë rast Kosova po vazhdon të ndaloj produktet serbe të hyjnë në Kosovë. A lidhet kjo mes tjerash edhe me adresimin e sfidave të sigurisë, të cilat në fakt u përmendën nga ana juaj në kuadër të forumit këtu me liderët. Dhe cilat realisht janë sfidat e sigurisë përtej asaj që kemi parë në Banjskë, duke pasur parasysh edhe paralajmërimet për futjen e armatimit të Serbisë në Kosovë, siç edhe u pa në rastin e Banjskës?

Kryeministri Kurti: Tregu i përbashkët rajonal është thelbi i procesit të Berlinit, ndërkaq me Planin e Rritjes do të avancojmë më tej, meqenëse në mënyrë inkrementale dhe sektoriale do të rritet pjesëmarrja dhe qasja në tregun unik të Bashkimit Evropian.
Ne nuk kemi masa tregtare ndaj Serbisë, por ne kemi masa të sigurisë, për shkak se në vitin 2023 që porsa lamë pas, tri herë kemi pasur konfiskime, sekuestrime masive të armatimit dhe të municionit  në veri të Kosovës, përkatësisht në datat 23 qershor, 5 shtator dhe 24 shtator, atëherë kur na e vranë rreshterin e policisë, Heroin e Kosovës, Afrim Bunjakun.
I gjithë ky armatim është prodhuar në Serbi, dhe i gjithë ky armatim ka ardhur nga Serbia dhe kur kësaj ia shtojmë faktin që grupi paramilitar që e kreu sulmin terrorist e kriminal në Banjskë të Zveçanit, në masë të konsiderueshme pjesëtarët e atij grupi janë të lirë dhe në Serbi me në krye Milan Radoiçiqin, natyrisht që masat e sigurisë së Kosovës janë të domosdoshme. Pra, ne nuk kemi masa tregtare ndaj Serbisë. Kemi vetëm masa të sigurisë. Por, duhet ta theksoj që për shkak të kontrolleve të shtuara në vendkalimet kufitare, ka mundësi që edhe ndërmarrje të caktuara nuk janë edhe aq të interesuara të kalojnë kufirin e të vijnë në Kosovë sikurse dikur.
Ndërkaq, masat e sigurisë ne nuk mund t’i heqim përderisa e kemi atë grup paramilitar terrorist në Serbi që vepron i lirë dhe që në të njëjtën kohë na vijnë informacione se si po takohen e po riorganizohen pa i ndryshuar qëllimet dhe sjelljet e tyre.

Pyetje: Valbona Bytyqi KTV: z. Kurti integrimi evropian, integrimi në Bashkimin Evropian në njëfarë forme për Kosovën dhe për Serbinë është i ndërlidhur edhe me dialogun ndërmjet tyre. A mundesh me na tregu nëse gjatë këtij takimi të liderëve të Ballkanit Perëndimor me ata të Bashkimit Evropian keni pasur mundësinë ose shansin që me marr dhe me diskutu këtë çështje, qoftë me përfaqësuesin prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës apo ndoshta edhe me vet presidentin Vuciq dhe me na tregu cilat janë hapat konkret të vazhdimit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. E dimë të gjithë atë se çfarë ka ndodhur prej shkurtit të vitit të shkruar, por çfarë mund të presim, këtë pjesë të parë të vitit sa i përket vazhdimit të bisedimeve Kosovë-Serbi?

Kryeministri Kurti: Së pari, çdo takim, ku unë kam mundësi që ta ngris këtë temë e theksoj faktin se është interes i shtetit të Kosovës, por është edhe korrektësi nga ana e Bashkimit Evropian, por edhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që procesi i normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, të ndahet nga procesi i anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian, meqenëse ne jemi një shtet normal, demokratik, i cili po duhet t’i normalizojë marrëdhëniet, me një shtet, i cili nuk është demokratik. Edhe sipas organizatave prestigjioze ndërkombëtare, vlerësohet si regjim hibrid dhe rrjedhimisht për shkak se nuk i kemi ende normale marrëdhëniet me Serbinë, nuk do të duhej të penalizohemi sa i përket vullnetit, dëshirës tonë, gatishmërisë, interesimit tonë për anëtarësim në Bashkim Evropian.

Me 15 dhjetor të vitit 2022, e kemi dorëzuar aplikacionin zyrtar në Pragë të Republikës çeke për anëtarësim në Bashkim Evropian. Ne presim që Komisioni Evropian, të na e dërgojë pyetësorin me mijëra pyetje. Do të jemi të durueshëm e të vëmendshëm që të përgjigjemi në të gjitha këto, por konsiderojmë që nuk është ferr që një shtet ku vullneti për t’u anëtarësuar në Bashkim Evropian është 94 për qind, të mbetet peng i çështjes së normalizimit me një shtet, ku vullneti për anëtarësim është 35 për qind dhe që ngelet prapa neve sa i përket sundimit të ligjit dhe respektimit të drejtave të njeriut, të drejtave të pakicave dhe lirisë së medias.

Andaj, unë gjithmonë e theksoj se duhet të ndahet procesi i anëtarësimit të Kosovës në Bashkim Evropian prej procesit të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.

Unë e kuptoj, që Bashkimi Evropian e ka në thelb të zgjerimit fqinjësinë e mirë, mirëpo, edhe ata duhet të na kuptojnë neve, që nuk është kollaj t’i normalizojmë marrëdhëniet me dikë, i cili nuk e ka as perëndimin por as demokracinë fort për qejf.

Sa kemi pasur sukses, mendoj, më shumë se sa që duket, por jo aq sa do të dëshironim ne.

Ndërkaq, sa i përket dialogut të mëtutjeshëm, tash për tash, kjo zhvillohet në relacionin midis kryenegociatorit, zëvendësit tim, Besnik Bislimit dhe lehtësuesit evropian, ndërmjetësuesit evropian, Përfaqësuesit Special, Lajçak.

Tash për tash, ky është rrafshi, në të cilin do të mund të përcaktojmë hapat e mëtutjeshëm, ndërkaq në nivelin e takimit të liderëve, nuk ka diçka të re, për çfarë, ftesa zakonisht na vjen nga Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, zëvendëspresidenti i Komisioni Evropian, Joseph Borrell.

Pyetje: Cila ishte arsyeja e mos mbajtjes së konferencës së përbashkët të planifikuar sipas agjendës zyrtare, meqenëse z.Vuçiq e ka bërë një gjë të tillë. Idetë e tij për Open Balkan apo ato që u raportuan ditëve të fundit se ka pasur një tendencë të liderëve të disa prej tyre edhe pjesëamrrës që të ndërtojnë një marrëveshje për Ballkanin e Hapur pa e përfshirë edhe Kosovën?

Kryeministri Kurti: Unë nuk jam në dijeni pse konferenca për media nuk ishte e përbashkët e të gjithë liderëve siç ishte paralajmëruar në fillim. Me të përfunduar takimi pas fjalës përmbyllëse të kryeministrit Kovaçevski ne u njoftuam që secili shtetas, burrështetas do të paraqiste para gazetarëve të veçantë në një konferencë të ndarë qëndrimet dhe do të përgjigjej.
Pra, do të duhej që organizatorët të tregonin pse konferenca nuk është e përbashkët, ndërkaq kjo nuk ka të bëjë me Ballkanin e Hapur, sepse është Bashkimi Evropian. Ballkani i Hapur nuk është mjaftueshëm evropian ndërkaq Ballkani evropian është mjaftueshëm i hapur.
Edhe ajo iniciativa për Ballkanin e Hapur nuk ka kontratë themelore, nuk ka kornizë institucionale, nuk ka mekanizëm për të zgjidhur mospajtimet, nuk ka strategji zhvillimi e as plan veprimi, nuk ka transparencë procesi dhe as informacion të publikuar dhe nuk i ka as rregullat e Bashkimit Evropian dhe as financimin e Bashkimit Evropian.
Ndërkaq, kjo çfarë u bë sot, u bë për planin e rritjes dhe bëhet fjalë për 6 miliardë euro, për 6 shtete që janë mjete të Bashkimit Evropian, natyrisht të lidhura për reformat që neve na duhen e i duam.

Pyetje: Tash Maqedonia janë edhe në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të cilat pothuajse e kanë të njëjtin afat a pritet të ketë kandidat shqiptar, nuk do të ketë kandidat shqiptar? Si e vlerësoni juve, duhet të ketë kandidat shqiptar për presidentin po flasim, pasi ka zëra që do të shkojë pro fronteve evropiane, nëse ka apo nuk ka e kështu me radhë, cili është komenti juaj për këtë dhe për pjesëmarrjen e Lëvizjes Vetëvendosje!, që po flitet. Kryeministër më fal, cili do të jetë roli i Lëvizjes Vetëvendosje!, në zgjedhjet parlamentare në Maqedoni sepse z. Ahmeti e ka quajtur këtë si përzierje në çështje të brendshme të Maqedonisë?

Kryeministri Kurti: Së pari i përket qytetarëve këtu, i përket partive politike që të vendosin se nëse do të kenë kandidat e kush do të jetë ai ose ajo. Në anën tjetër, Lëvizja Vetëvendosje!, nuk është e regjistruar në Maqedoninë e Veriut. Ne kemi aktivistë kemi edhe zyrtarë të subjektit tonë politik në Kosovë që vijnë nga Maqedonia e Veriut, mirëpo këtu nuk kemi qendër të Vetëvendosjes formalisht të regjistruar, andaj edhe ne si Lëvizje Vetëvendosje!, nuk është se marrim pjesë këtu.
Unë dëshiroj që të ketë pjesëmarrje sa më të lartë në zgjedhje sepse kjo i kontribuon demokracisë. Ne e dimë që regjistrimi i fundit i popullsisë përfshirë edhe mërgatën i ka nxjerrë shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, me një përqindje prej 29 për qind nëse nuk  gaboj dhe natyrisht që duhet të vendosin se a do të kenë kandidat e kush do të jetë ai ose ajo. Faleminderit shumë!

 

 

Last modified: 22 Janar, 2024

Comments are closed.

×