Zyra e Kryeministrit

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti në konferencën e përbashkët për media me zëvendësdrejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Fehmi Hoti

24 Shtator, 2023

Prishtinë, 24 shtator 2023

Të nderuara medie të pranishme,
Të dashur qytetarë,

Sapo kemi mbajtur një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurisë së Republikës së Kosovës.

Kjo mbledhje sot e Këshillit të Sigurisë u thirrë pas një sulmi agresor të bandave kriminale e terroriste të Serbisë jo vetëm ndaj Policisë së Kosovës, por edhe ndaj rendit, sigurisë dhe paqes sonë.

Në mëngjesin e hershëm, rreth orës 3:00, pas një sulmi të orkestruar, ka humbur jetën zyrtari ynë policor Afrim Bunjaku, me gradën rreshter, ndërsa në trajtim ndodhet edhe një zyrtar tjetër, Alban Rashiti, i cili fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetë. Ai sot do të lirohet nga spitali pas operacionit të suksesshëm që largoi një predhë nga ana e majtë e kraharorit të tij.

Zyrtarët policor tashmë edhe sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Kosovës, pasi që janë penguar në rrugë sot rreth orës tre të mëngjesit, janë sulmuar me armë të ndryshme përfshirë edhe granata dore e me zolla.

Sot është një ditë e rëndë për vendin tonë. Nga sot Policisë do t’i mungojë një pjesëtar i përkushtuar i saj, ashtu siç do t’i mungojë edhe familjes së tij e mbarë shoqërisë sonë. Por para se gjithash vrasja e tij duhet të kthehet në angazhim edhe më të shtuar në luftimin e bandave, strukturave ilegale, krimit e terrorizmit, që cenojnë sigurinë e qytetarëve dhe rendin kushtetues.

Sulmet e grupeve të armatosura me armë të të gjitha llojeve afër lokacionit ku është vrarë polici ynë po vazhdojnë akoma.

Ne e dënojmë këtë sulm kriminal e terrorist. Krimi i organizuar me mbështetje politike, financiare e logjistike nga Beogradi zyrtar po e sulmon shtetin tonë. Në këtë betejë ne mbrojmë dhe zbatojmë ligjshmërinë, mbrojmë dhe ruajmë qytetarët pa dallim dhe Kosovën e pavarur.

Kriminelët ekzekutorë dhe urdhërdhënësit e tyre do të dështojnë, do të kapen, gjykohen dhe dënohen. Qeveria e Republikës së Kosovës dhe institucionet e shtetit janë të gatshme dhe të bashkërenduara për t’iu përgjigjur krimit dhe kriminelëve, terrorit dhe terroristëve.

Si Qeveri e Republikës së Kosovës qëndrojmë pranë familjes së policit të rënë, policëve të plagosur e të lënduar dhe Policisë së Kosovës. Ne jemi në anën e drejtë, po punojmë dhe po angazhohemi për siguri, rend dhe ligj andaj në këtë rrugëtim jemi absolutisht bashkë.

I ftoj të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës të të gjitha komuniteteve që të ruajnë qetësinë dhe të tregojnë maturi duke i lejuar institucionet përgjegjëse të sigurisë që të kryejnë punën e tyre profesionale për të vendosur rend, ligj dhe për të sjellur siguri për të gjithë neve.

Ngushëllime edhe një herë të gjithëve për vdekjen e policit tonë, Afrim Bunjaku, i cili u vra mizorisht në mëngjesin e ditës së sotme, teksa ishte në krye të detyrës.

Siç thash dhe më herët sulmet mbi policinë tonë janë duke vazhduar. Janë së paku 30 persona të armatosur rëndë, profesionistë, ushtarakë a policë, të cilët ndodhen nën rrethimin e forcave tona policore dhe të cilët i ftoj që të dorëzohen te organet e tona të sigurisë. Pra, janë së paku 30 të tillë. Ata janë që po e sulmojnë policinë tonë edhe pasi që kanë vrarë Afrim Bunjakun e kanë plagosur Alban Rashitin.

Unë jam sot këtu para juve bashkë edhe me zëvendësdrejtorin e Policisë së Kosovës, Fehmi Hotin, dhe para se të kalojmë tek pyetjet tuaja dua të prezantoj fotografi nga vendi i ngjarjes në fshatin Banjskë të Zveçanit ku do të mund të shihni se nuk bëhet fjalë as për civil të armatosur dhe as për qytetarë të zakonshëm, por bëhet fjalë për një formacion me pjesëtarë që janë profesionistë, ushtarakë a policorë në Banjskë të Zveçanit, në dhe rrotull Manastirit apo Kishës atje.

Të gjitha këto fotografi gjithashtu do t’ua përcjellim edhe juve pas përfundimit të kësaj konference për media.

Siç mund të shihni këto automjete janë pa targa dhe janë automjete që nuk i posedojnë serbët lokal dhe askush që është civil në Republikën tonë.

Këta janë dy kamionët që janë vendosur tek ura për të bllokuar qarkullimin. Ju e shihni atje një person të uniformuar i cili mbanë një armë krahu që nuk është tipike për policinë.

Njerëz të armatosur rëndë me pajisje ushtarake, me maska të cilët janë rrotull Manastirit në Banjskë të Zveçanit.

Organet tona të sigurisë edhe Prokuroria me siguri do t’i zhvillojnë hetimet për të kuptuar më shumë për këto uniforma, të cilat siç shihet përveç xhipave që i kanë, kanë edhe një autoblindë aty. Kjo autoblindë nuk është e Policisë së Kosovës.

E vëreni se [personi në foto] ka një gjoksore e cila është tipike për uniformën dhe pajisjet në vendluftime e këtij personi të uniformuar që nuk e ka as uniformën e një polici të rregullt, por të dikujt që është i njësive speciale ushtarake ose policore. Shihni edhe një herë xhipat pa targa tek muri i Manastrit.

Këtu keni një person po ashtu të uniformuar i cili ka edhe helmetë dhe është duke bartur diçka që s’është lehtë e identifikueshme se çfarë paraqet.

E shihni këtu personi i uniformuar se si ka në shpinë këtë armën, që nuk e di cili është emri teknik i saj, por në mënyrë të popullarizuar e quajmë “zollë”. Pra mban një zollë në shpinë teksa kalon pranë xhipit pa targa.

Është e qartë se këta persona të uniformuar që janë së paku 30, ndonëse nuk vërehen distinktivët apo bexhat në uniformat e tyre, paraqesin një formacion të organizuar i cili ka ardhur të luftojë në Kosovë. Por unë ju bëj thirrje që të gjithë atyre, edhe si formacion edhe si individë, që t’i dorëzohen organeve të sigurisë të cilët kanë vendosur perimetrin rreth atyre në Banjskë të Zveçanit.

Kosova është vend demokratik, i përket të gjithëve pa dallim etnie dhe cenimet e këtilla të kushtetutshmërisë, ligjshmërisë, sigurisë, paqes, jetës e mirëqenies së qytetarëve janë të pa tolerueshme.

Andaj, para se të kalojmë të pyetje e juaja, më lejoni të përsëris edhe një herë thirrjen time si kryeministër i Republikës së Kosovës ndaj këtyre mbi 30 persona që të dorëzohen tek organet e sigurisë.

Ju faleminderit për vëmendjen tuaj.

Pyetjet dhe përgjigjet nga konferenca per media e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me zëvendësdrejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Fehmi Hoti

Pyetje….. a ka të plagosur për momentin. Sepse më thanë nga shkëmbimet që ka edhe të plagosur, mund të jetë plotësisht e pakonfirmuar, e pavërtetë. Andaj kërkoj falje paraprakisht po vetëm sa për konfirmim?

Zëvendësdrejtori Hoti: Deri më tani informacionet zyrtare që i kemi, i kemi për një rreshter të policisë të vrarë dhe dy kolegë poashtu të Policisë së Kosovës që janë, njëri është i lënduar dhe tjetri është i plagosur. Ndërsa nga pala tjetër zyrtarisht nuk kemi informacione ka a po nuk ka. Në momentin kur po flasim ka ende shkëmbim zjarri. Ky grup i armatosur apo këta persona të armatosur të cilët posedojnë kalibra të ndryshëm të armatimit, momentalisht janë të, qysh e tha edhe kryeministri janë të rrethuar. Ne i kemi marrë masat e sigurisë, kemi vendosur perimetrin e sigurisë, mirëpo deri në këto momente nuk kemi informacione zyrtare se ka të vrarë nga asnjëra palë përveç incidentit që ka ndodhur në mëngjes.

Pyetje: Faleminderit shumë. Kryeministër pas ngjarjeve të fundit edhe akteve terroriste që i quani ju dhe Policia e Kosovës, a do të rikthehen Njësitë Speciale të Kosovës në veri pas marrëveshjes për tërheqjen e tyre nga 25 për qind dhe po i shohim përmes fotografive që ka persona të armatosur edhe të veshur me veshje taktike, nuk po them kështu ushtarake, mirëpo automjetet që po thoni se nuk janë autoblinda të Policisë së Kosovës nuk është se ka qenë shumë e lehtë të futen në Kosovë a ka pasur ndonjë lëshim nga organet e sigurisë në Kosovë që nuk e kanë ditur më herët se po futet gjithë ky armatim në këtë kishë dhe gjithë këto automjete përreth kishës dhe meqenëse janë vendosur në këtë objekt fetar këta persona a mendoni që është një taktikë e tyre qe Policia të mos futet dhe mos të marrë mbase karakter tjetër ky konflikt apo kjo ngjarje?

Kryeministri Kurti: Kjo ditë dhe tash kjo orë nuk është e përshtatshme për mua si Kryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës që të bëj analiza e vlerësime cilësore mbi atë çfarë ende s’ka përfunduar. Por është e qartë se bëhet fjalë për formacion të organizuar i cili është i armatosur dhe që nuk janë civil të armatosur, por janë formacion profesional. Janë mbi 30 individë që e përbëjnë këtë formacion që ka hyrë në Kosovë dhe perimetri është i vendosur rrotull vendndodhjes së tyre. Pak para orës 3 të mëngjesit kur i kanë vërejtur policia jonë e rregullt dy kamionë në urën në Banjska të Zveçanit, së pari me bateri dore ndriçimi kanë parë që dera e njërit kamion është e hapur, ndërkaq një kamion tjetër ka diçka prej dritave ndezur. Dhe ajo përveçse e ka bllokuar qarkullimin ka qenë edhe një lloj përpjekje për të krijuar përshtypjen që bëhet fjalë për kontrabandë, të cilën policia a jonë e ka luftuar suksesshëm sidomos në këto dy vitet e fundit. Dhe me këtë rast kanë ardhur nga Zveçani përmes qendrës komanduese edhe dy automjete me policë, dhe janë bërë afër 10 sosh tek vendi i ngjarjes kur e kanë pësuar sulmin. Afrim Bunjaku poashtu është rreshter i policisë së rregullt.

Ky është sulm kriminal edhe terrorist me pasoja tragjike, mirëpo ka qenë një situatë në të cilën thjesht kanë mundur të pësojnë të gjithë policët që kanë qenë aty dhe të vritet jo një, po 9 ose 10 ose 8 meqenëse ende nuk e di saktësisht se sa kanë qenë mbrëmë në atë vend.

Një polic e kemi të plagosur dhe një të lënduar siç tha edhe zëvendës drejtori. Unë nuk kam dyshim që nuk bëhet fjalë për serbë të thjeshtë qytetarë të zakonshëm lokal të Kosovës por edhe njëherë po e theksoj formacion profesional i armatosur dhe i orkestruar. Për neve në këto momente më e rëndësishmja është që ata të dorëzohen tek organet e shëndetësisë.
Unë e kam të qartë se kanë ardhur të sulmojnë, kanë ardhur të destabilizojnë, kanë ardhur të luftojnë, mirëpo unë dua me një thirrje racionale të kërkoj prej tyre që të dorëzohen organeve tona të sigurisë e cila është policia më profesionale në Ballkan dhe jo vetëm dhe e një shteti demokratik i cili ka procedurat e drejta edhe të rregullta ligjore e gjyqësore. Nuk është kollaj kontrolli i kufirit në atë pjesë për shkak se Leposaviqi për nga territori është komuna e pestë në Kosovë nga madhësia.

Vija kufitare e Kosovës në Komunën e Leposaviqit me fqinjin tonë verior është shumë e gjatë, është përgjithësisht zonë malore. Dhe te Zveçani është një vendkalim kufitar i cili është dakorduar në Bruksel para shumë viteve që të bëhet vendkalim kufitar i integruar mirëpo nuk është zbatuar asnjëherë nga ana e Serbisë. Ai vend quhet Izvor. Në këtë anë është Zveçani në anën tjetër është Novi Pazari. Dhe ai vend kalimi kufitar Izvor nuk është vendkalim me integrim të menaxhuar të kufirit siç ka qenë dakordimi në Bruksel prej paraardhësve të mi në qeverisje sepse Serbia nuk e ka zbatuar. Serbia nuk e ka zbatuar as vendkalimin kufitar Kapia që ndodhet ndërmjet Kamenicës dhe Medvegjës dhe fshatin Sfircë e ndan në dysh. Pra bëhet fjalë për këto dy vendkalime kufitare të cilët do të duhej të ishin të rregullta zyrtare e publike por ja që nuk e kanë atë status ende për shkak se nuk zbatohet një marrëveshje e mëhershme dhe vendkalimi kufitar prej nga kanë hyrë gjithë këta persona e do një hetim më të gjatë që të kuptohet sepse nuk janë 1, 2 apo 5 persona, janë mbi 30 persona.

E thashë edhe njëherë është shumë i gjatë kufiri ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e në veçanti në komunën e Leposaviqit, nuk mund ta dimë ku ka qenë ky automjet më herët dhe nëse ka ardhur nga Serbia, kur ka ardhur e që natyrisht me gjasë ka ardhur nga Serbia, por nuk më takon mua si kryeministër të jep këso konstatimesh. Unë mund të flas me një dozë të gjasave të mëdha por janë organet hetuese ato të cilët duhet të na i zbardhin se këta xhipa e ajo autoblindë që po e shohim në fotografi e këta persona të uniformuar, kur, ku dhe si kanë hyrë në Kosovë.

Kryeministri Kurti: Në mënyrë të njëanshme ne e kemi zvogëluar praninë e Policisë së Kosovës në tri ndërtesat komunale në tri komunat veriore, dy herë nga 25 për qind, këtë e kemi bërë për të treguar vullnetin tonë të mirë. Sepse kishte edhe të atillë që konsideronin që prania e policisë kontribuon në eskalim, në fakt është e kundërta, policia jonë kontribuon në deeskalim. Unë besoj që kur shikojmë këto fotografi duhet të na kujtohet konfiskimi, sekuestrimi i municionit dhe i armatimit edhe në fund të qershorit, edhe tash së fundmi që u bë në Zveçan. Dy herë në Zveçan kishim konfiskime masive të armatimit dhe të municionit dhe tash në Zveçan po vijnë persona të cilët duan luftë dhe duan ta destabilizojnë Kosovën. Nuk ka asnjë marrëveshje apo rregull që ndalon Policinë Speciale të Kosovës, që të veprojë edhe në katër komunat në veri sikurse gjithandej në territorin e Republikës, ajo çfarë ne kemi trashëguar është një letër e ish-kryeministrit Thaçi, lidhur me praninë e Forcës së Sigurisë së Kosovës që duhet të bëhet në marrëveshje me KFOR-in, çfarëdo kalimi i lumit Ibër dhe ne e kemi respektuar dhe vazhdojmë ta respektojmë atë zotim të njëanshëm të Thaçit ndaj ish Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Rasmussen.

Pyetje: Z. Kryeministër, Borrell dhe Lajçak, gjithherë ju kanë quajtur fajtor kur ju i keni luftuar grupet kriminale në pjesën veriore të Kosovës, dhe sot po e shohim një reagim të tyre edhe pas kërcënimeve të fundit të cilat kanë ardhur nga Serbia; A kanë dështuar të dy në këtë aspekt? Dhe pyetja e dytë është, unë vetë personalisht e kam intervistuar deputeten Alicia Kearns, të Britanisë së Madhe dhe e njëjta ka thënë se, armët po hyjnë nga Serbia në territorin e Kosovës dhe po vendosen në manastire dhe deklarata e saj sot u konfirmua; A ka qenë ndoshta më mirë ose nëse mund të themi më e mbrojtjes për neve për të reaguar më shumë ose më shpejtë në këto manastire që të konfiskohen armët? Faleminderit!

Kryeministri Kurti: Ju e dini se sa e ndjeshme është çështja e Kishave dhe Manastireve ortodokse, në Kosovë, ne nuk kemi informacion se çfarë ka, e çfarë nuk ka aty.
Por, ne kemi treguar kujdesin maksimal dhe do të vazhdojmë të bëjmë të njëjtën edhe në vijim por, gjithçka është shumë më lehtë dhe shumë më shpejtë nëse sot ngjanë dorëzimi i këtyre personave, të këtij formacioni profesionist të armatosur dhe nga këto fotografi secili prej neve po e vëren që nuk bëhet fjalë për njerëz të kontrabandës.
Policia jonë e lufton kontrabandën por, kjo nuk ka të bëjë me kontrabandë, kjo ka të bëjë me një formacion ushtarako-policor me armatim të kalibrit të madh që ka ardhur të luftojë në Kosovë.
Ne nuk duam luftë, ne duam paqe dhe ajo paqe do të mund të bëhet kur këta mbi 30 persona t’i dorëzohen organeve tona të sigurisë. Pra, edhe një herë nuk kemi të bëjmë me banda të kontrabandës se policia jonë zakonisht ka pasur punë me të tillë, banda të kontrabandës. Këto nuk janë banda të kontrabandës, këto janë formacione profesioniste, ushtarake a policore dhe i takon ekspertëve që të vlerësojnë se çka janë këto uniforma, këto pajisje dhe mbase të japin edhe vlerësimet e tyre profesionale mbi lëvizjet e tyre sepse, unë nuk jam i fushës që t’i di këto.

Pyetje: Kryeministër për dallim nga Bashkimi Evropian që nuk ka reaguar ende edhe pse kanë kaluar nëntë orë, Shtetet e Bashkuara kanë dënuar ashpër sulmin menjëherë dhe kanë kërkuar siç po kërkoni ju, arrestimin dhe dënimin e kriminelëve. A jeni duke bashkëpunuar ngushtë me ambasadorin amerikan në Kosovë, lidhur me si të dilet nga kjo situatë që ndodhemi tani, duke marrë parasysh se gjuajtjet me armë po vazhdojnë ende edhe kur po e mbani konferencën për media; dhe a e dini pse nuk ka reaguar BE ende apo jo? Faleminderit!

Kryeministri Kurti: Nuk jam në dijeni pse nuk ka reaguar ende Bashkimi Evropian, mirëpo unë përveçse tashmë kam qenë në kontakt me ambasadorin amerikan Jeffrey Hovenier, do të vendosi patjetër kontakt edhe me ambasadorin e Bashkimit Evropian, Thomas Szunyog, këtu.
Unë besoj që pas këtyre fakteve, pas këtyre të dhënave nuk ka askush pse të ketë dilema se ku ndodhemi sot dhe çfarë rreziku kemi do të thosha jo vetëm në Banjska të Zveçanit, meqenëse qartazi nuk bëhet fjalë për fshatarë të një lokaliteti në një komunë veriore po për profesionistë të cilët me maska, uniforma dhe kalibra të rëndë kanë ardhur që të destabilizojnë Kosovën dhe të luftojnë territorin e Republikës sonë. Këta nuk di se prej nga janë, nuk i kemi identifikuar si persona por po them si formacion organet tona të sigurisë do të mund të mësojnë më shumë atëherë kur ekspertët do ta bëjnë vlerësimin e tyre.

Pyetje: Kryeministër duke parë ndjeshmërinë e intervenimit në këto objekte kulti, kisha dhe manastire, a po i bjen kjo që po i përdorin këto kisha dhe manastire si pika të organizimit për sulmet ndaj pjesëtarëve të policisë dhe rendit kushtetues në atë pjesë të Republikës?

Kryeministri Kurti: Është evidente që kjo neve na ka bërë shumëfish më të kujdesshëm pikërisht për shkak se ndodhemi në rrethinën e një manastiri që një formacion kriminal, terrorist profesionist ushtarako-policor dëshiron ta shndërrojë edhe në një rrethanë lufte e krimi. Hetimet do të zbulojnë në hollësi se për kë bëhet fjalë këtu pse bash këtu, pse bash tani. Unë besoj që sot kur e gjithë Kosova është e pikëlluar për vdekjen pas vrasjes mizore që pësoi të rreshterit tonë Afrim Bunjaku, t’ua lëmë këtë gjë organeve të sigurisë dhe profesionistëve për analizat dhe vlerësimet e tjera, por sot ne po paraqesim këtu në ekran që tragjedia që po e pësojmë ku e ka shkakun.

Pyetje: Kryeministër a mund të cilësohet kjo domethënë si agresion ndaj Kosovës?

Kryeministri Kurti: Sot kemi mbajtur një mbledhje të Këshillit të Sigurisë dhe për cilësimet përfundimtare, me vlerësimet sa më të sakta ne nuk i përmbyllim tani në mesditën e së dielës, kur nuk na ndajnë as 12 orë nga vrasja e policit tonë. Unë do të kem takime edhe me partnerët dhe aleatët tanë ndërkombëtarë. Do t’ju japim pak kohë ekspertëve tanë të sigurisë që ta emërtojnë me fjalën e saktë atë çfarë ka ndodhur e nuk ka përfunduar ende në Kosovë. Pra, unë po e pres vlerësimin e profesionistëve që natyrisht është i domosdoshëm para çfarëdo qëndrimi politik.

Pyetje: Përveç këtij grupit të armatosur a ka ndonjë person civilë që ka mundur të jetë i ngujuar brenda manastirit, deri më tash a keni arritur që të kontaktoni me KFOR-in dhe a ka ndonjë pengesë ligjore që policia me bastis manastirin. Faleminderit?

Kryeministri Kurti: Ne nuk e dimë çfarë ka brenda në manastir, këto fotografi janë çfarë kemi parë jashtë manastirit, këta persona me shumë gjasa janë edhe në ndërtesat e shtëpitë rrotull sepse nuk janë që të gjithë në manastir dhe nuk e dimë nëse janë në manastir e sa janë në manastir dhe ta kuptoni që njoftimet janë duke ndryshuar jo nga ora në orë, por disa herë brenda orës, ndërkaq për atë se çfarë do të bëhet në vijim natyrisht që ne dëshirojmë që në njërën anë ta kemi ligjshmërinë të pa cenuar dhe ta zbatojmë ligjin, ndërkaq në anën tjetër na duhet që të kemi kujdes edhe për sigurinë dhe për minimizimin e çfarëdo pasoje që do të mund të shkaktohet nga zbatimi i ligjit që padyshim duhet të jetë i pakompromis. Ndoshta edhe zëvendësdrejtori mund të thotë diçka shtesë lidhur me këtë për shkak se këto janë operacione profesionale të policisë sonë.
Zëvendësdrejtori Hoti: Veç deshta edhe një plotësim të shkurtë sa i përket koordinimit me KFOR-in, që pyetët. Po jemi në koordinim të vazhdueshëm me KFOR-in dhe në këto momente kur po flasim ekipet tona janë në terren bashkë me KFOR-in, bashkë me ekipet e KFOR-it atje, ndërsa sa i përket pyetjes për ligjshmërinë se a kemi të drejtë apo nuk kemi të drejtë hetimet do ta tregojnë këtë nëse është përdor si strehë e grupit të organizuar apo nëse ka elemente të veprës penale që janë përdoru brenda manastirit atëherë është pjesë e vazhdimit të hetimeve me të cilët edhe do të marrim urdhëresë prej Gjykatës përkatëse.

Pyetje: Zotëri Kurti, a mendoni që ky rast mund ta tejkalojë Policinë e Kosovës, në kuptimin që mund për shkak të rrezikimit të sigurisë në vend mund të kërkohet ndonjë ndërhyrje duke e ditur kush është reagues tjerë? Edhe një çështje tjetër, e pohuat zotëri Hoti se sot jeni në kontakt me KFOR-in, por mbrëmë ose të themi në orët e para kur ka ndodhur sulmi, pas sa minutash ose pas çfarë periudhe kohore është kontaktuar nga ana e policisë zyrtarët e KFOR-it. Edhe një çështje tjetër, do të thotë ju ishit në Këshillin e Sigurisë, a ka pas indikacione qoftë në prej AKI-së, qoftë prej e keni njësinë e inteligjencës në polici për sulme të mundshme. Po ju referohem burimeve të pakonfirmuara brenda Policisë të cilët në këto momente po më thonë që në polici janë dyshime që bëhet fjalë për pjesëtarë të grupit Wagner. A mundem diçka në këtë aspekt?

Kryeministri Kurti: Së pari rrotull kufirit të Kosovës në anën e Serbisë ka vazhdimisht lëvizje dhe ne këto i kemi përcjellur me krejt çfarë mundemi e dimë. Edhe KFOR-i në masë të konsiderueshme i di të njëjtat. Prandaj, ne kemi qenë vixhilentë, mirëpo po e ritheksoj komuna e Leposaviqit është e pesta për nga sipërfaqja në Kosovë, nëse nuk gaboj i ka rreth 540 kilometra katrorë. 540 kilometra katrorë i bie një territor 27 kilometra me 20 kilometra, është territor shumë i madh, plus është kodrinoro-malor. Andaj është vështirë i kontrollueshëm në secilën pikë. Ashtu qysh e dimë ne kufirin, ashtu e di edhe ushtria e Serbisë, xhandarmëria e Serbisë e kështu me radhë. Por për të tjerat mbase edhe zëvendësdrejtori mund të përgjigjet më mirë se unë.

Zëvendësdrejtori Hoti: Fillimisht sa i përket informacioneve, do të ju informoj që kemi një bashkëpunim shumë të ngushtë me AKI-në dhe çdo informacion që e pranojmë prej tyre trajtohet në formën më serioze të mundshme. Sa i përket grupeve, grupit të cilit iu referuat, grupit Wagner, kemi pas informacione edhe më herët, kemi pas informacione që individë të grupit Wagner po lëvizin ose mund të lëvizin ose mund të sulmojnë. Të gjitha janë trajtuar, mirëpo deri më tani nuk kemi diçka të argumentuar, të faktuar që kanë qenë pjesëtar, sepse ju e dini që gjykatat na e kërkojnë gjithçka të dokumentuar, andaj si informacione i kemi trajtu dhe jemi duke i trajtuar. Ndërsa sa i përket informacionit që pyetet për KFOR-in, jo vetëm sot, jo vetëm mbrëmë, me KFOR-in jemi në kontakt të vazhdueshëm për gjitha veprimet që i ndërmerr policia jemi në koordinim të vazhdueshëm me KFOR-in.

Pyetje: Edhe një pyetje për kryeministrin ose zëvendësdrejtorin e policisë. Në bazë të informatave që po i’u vijnë në këto momente për shkak se plot media po raportojnë se burimet brenda policisë veçse kanë konfirmu se një person nga ana tjetër, pra nga kriminelët serbë, ka mbet i vrarë. A mundeni me konfirmu këtë gjë?

Kryeministri Kurti: Unë jam këtu në Prishtinë me zëvendësdrejtorin Fehmi Hoti, ndërkaq ministri i brendshëm, Xhelal Sveçla, dhe drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha, janë në kampin Belvedere. Pra ne jemi vazhdimisht në komunikim me njëri-tjetrin. Të vetmet momente kur nuk munda të jem në komunikim të vazhdueshëm janë këto në konferencën për media. Menjëherë do të vazhdojmë që të marrim edhe lajmet më të reja, por në këto momente që jam këtu para jush unë nuk mund ta konfirmojë këtë. Në momentin që Policia e Kosovës na jep njoftimin zyrtar padyshim që do ta ndaj me juve.
Ju faleminderit shumë sepse na duhet që të vazhdojmë punën tash. Është situatë e jashtëzakonshme dhe na duhet patjetër që të vazhdojmë komunikimin dhe përgatitjet e planifikimet tona për t’u përballur me këtë formacion kriminal të cilin edhe njëherë po e them, e ftoj që t’i dorëzohet organeve tona të sigurisë. Faleminderit.


Faleminderit për pyetjen tuaj, ne e dimë se sot ndodhi një sulm kriminal dhe terrorist mbi policinë e Kosovës, me ç’rast është vrarë/ka vdekur polici i rregullt Afrim Bunjaku i cili ishte nga komuna e Vushtrisë dhe gjithashtu është plagosur polici tjetër Alban Rashiti, nga Gjilani. Ne kemi shprehur ngushëllimet tona më të thella familjes dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës. Padyshim, nga këto fotografi shihet se këta nuk janë civil të armatosur e as nuk janë bandat e kontrabandimit, këto janë forca profesionale ushtarake dhe policore, të cilët kanë hyrë në teritorin tonë, dhe me këtë rast edhe brenda Manastirit edhe jashtë tij, pranë mureve të jashtme të tij po shihen edhe automjetet e blinduara të cilat nuk kanë targa dhe gjithashtu edhe armatim i rëndë i këtyre formacioneve. Unë kërkoj nga të gjithë këta individ që t’i dorëzohen organeve të sigurisë sepse ne dëshirojmë që rregulli dhe ligji, paqja dhe siguria të sundojnë për të gjithë qytetarët pa asnjë dallim, domethënë, kjo nuk është asnjë lloj lufte me civilë të armatosur por me njerëz të cilët janë të armatosur me armatim të rëndë dhe paraqesin rrezikshmëri të madhe , jo vetëm për rendin kushtetues dhe ligjin në Kosovë por edhe për sigurinë e të gjithë qytetarëve.

Prandaj, unë i lus qytetarët e të gjitha komuniteteve në Kosovë që të mbajnë qetësinë, të përcjellin raportimet zyrtare dhe në këtë mënyrë të jenë të informuar siç duhet dhe drejtë. Meqenëse këta individë të këtyre formacioneve përveç uniformave kanë edhe maska ne nuk kemi arritur që të identifikojmë këndo prej tyre por organet e hetuesisë dhe të sigurisë sigurisht do të japin raportimin për atë se çfarë kanë gjetur dhe çka mendojnë.

Tani, më e rëndësishmja është që askush tjetër të mos vdes/vritet, që të mos ketë luftime aty, e për këtë është e nevojshme që këto formacione t’i dorëzohen organeve të sigurisë sepse përndryshe janë të rrethuar në një perimetër nga forcat tona aty. Mendoj se tani është më e rendësishmja që kjo të përfundoj në mënyrë të qetë dhe pozitive dhe më pastaj do të na duhet të shohim se çka dhe si tutje.

Last modified: 26 Shtator, 2023

Comments are closed.

×