Vjenë, 12 janar 2023
Ju faleminderit Kancelar Nehammer, për ftesën dhe pritjen tuaj të ngrohtë.
Kjo është vizita ime e parë zyrtare jashtë vendit këtë vit. Dhe ku më mirë të nisim sesa në Vjenën e bukur, në qytetin e kompozitorëve dhe dijetarëve të mëdhenj, dhe për aq shumë arsye të mira, po ashtu një portë ndaj Ballkanit Perëndimor. Jam i kënaqur të jem këtu.
Austria është një mike e ngushtë dhe një partnere e rëndësishme për Kosovën. Ajo na ka ndihmuar në luftën tonë çlirimtare dhe për të siguruar paqe, bashkë me ushtarët austriakë, të cilët, për aq shumë vjet, po shërbejnë në Forcën e NATO-së në Kosovë (KFOR). Po ashtu, Austria, për disa dekada, mbështetë veçanërisht sistemin arsimor të Kosovës.
Jemi mirënjohës për kontributin tuaj në paqe, siguri dhe prosperitet për vendin tonë, si dhe për rajonin.
Prej fillimit të viteve ’70-ta deri në fund të viteve ’90-ta, Austria u bë shtëpia e shumë prej qytetarëve tanë që shpëtuan nga okupimi dhe lufta. Sot ata punojnë, studiojnë dhe banojnë këtu. Rreth 70 mijë qytetarë të Kosovës banojnë dhe punojnë në Austri, duke shërbyer si ambasadorët tanë, nuk kemi vetëm një, dhe janë ura të gjalla ndërmjet dy vendeve dhe kulturave tona. Jemi shumë mirënjohës për këtë lidhje dhe mezi presim që marrëdhëniet tona miqësore t’i thellojmë dhe zgjerojmë edhe më shumë, në çdo drejtim.
Ky qytet, megjithatë, para më pak se dy dekadash, po ashtu ka qenë dëshmitar i negociatave të vështira dhe kompromiseve të dhimbshme, të cilat rezultuan, në fund, me pavarësinë e Kosovës. Dhe pas një muaji do të festojmë 15 vjet prej shpalljes së pavarësisë. Ne kemi një kushtetutë moderne evropiane, me të drejtat më të avancuara dhe gjithëpërfshirëse për minoritetet, jo vetëm në rajonin tonë, por edhe në Evropë e më tej.
Politikanë, diplomatë dhe aktivistë austriakë e kanë mbështetur Kosovën në kohët kur kemi qenë në nevojë. Dhe sot ata janë një zë i arsyes për Kosovën në institucionet e BE-së. Jemi thellësisht mirënjohës dhe kjo është një dëshmi e marrëdhënieve tona tradicionalisht të mira dhe miqësore.
Duke pasur në krah Austrinë si partner, jemi të sigurt që do të arrijmë qëllime të rëndësishme për Kosovën. Dhe disa nga këto qëllime i kemi ndarë bashkë në takimin e sotëm me Shkëlqesinë e Tij, Kancelarin Nehammer.
Do të vazhdojmë të punojmë në agjendën tonë të reformave, duke e trasuar rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, për të cilin kemi aplikuar para një muaji. Ne vlerësojmë mbështetjen e Austrisë për aplikimin tonë. Bazuar në disa vlerësime të pavarura, Kosova është shteti më demokratik në Ballkanin Perëndimor dhe synimi ynë është që të jemi një pjesë e barabartë dhe plotësisht e integruar e BE-së, jo nëpërmjet rrugës së shkurtër e as derës së pasme, por duke ndërtuar BE-në në vendin tonë, me qytetarët tanë dhe me një BE me të cilën ndajmë jo vetëm një kontinent, por edhe vlerat e sundimit të ligjit, demokracisë, pluralizmit politik, paqes dhe prosperitetit.
Ne aspirojmë të anëtarësohemi në Këshillin e Evropës. Dhe më lejoni t’ju falënderoj, nga thellësia e zemrës, Shkëlqesia Juaj, Kancelar Nehammer, për mbështetjen tuaj për aplikimin tonë. Integrimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe mekanizma të bashkëpunimit është i rëndësisë së lartë për paqe dhe prosperitet për të gjithë Ballkanin Perëndimor.
Kemi folur gjithashtu për agresionin e Rusisë ndaj Ukrainës dhe ia shpjegova Kancelarit Nehammer disa nga ndikimet malinje në Ballkanin Perëndimor përmes akterëve të ndryshëm aty.
Kosova dënoi menjëherë pushtimin dhe agresionin ushtarak të Rusisë në Ukrainë dhe iu bashkua sanksioneve të BE-së kundër Federatës Ruse. Kemi strehuar 12 gazetarë ukrainas, të cilët janë bërë banorë të kryeqytetit tonë, Prishtinës, dhe iu kemi ofruar atyre kushte të punës. Po ashtu, kemi ofruar që të strehojmë deri në 5 mijë refugjatë ukrainas.
E kam njoftuar Kancelarin Nehammer edhe për qasjen tonë konstruktive dhe kreative, dhe sigurisht proaktive, në dialogun me Serbinë. Dialogu duhet të na shpie drejt një marrëveshje për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve tona, me njohje reciproke në qendër.
Në anën tjetër, e sigurova Kancelarin që me qeverinë tonë reformiste, transparente dhe llogaridhënëse, dhe me fuqinë tonë punëtore të re dhe të talentuar, ka edhe më shumë hapësirë për bashkëpunim të shtuar në investimet ekonomike dhe shkëmbimet tregtare.
Pra, kemi biseduar se si mund të fuqizojmë edhe më shumë marrëdhëniet tashmë të shkëlqyeshme dypalëshe mes Austrisë dhe Kosovës në politikë, në edukim, në ekonomi dhe në kulturë.
Po ashtu kam ftuar Kancelarin Nehammer që këtë vit të vije në Kosovë bashkë me ndonjë nga delegacionet e shumta ekonomike të Austrisë.
Andaj, z. Kancelar, jeni i ftuar. Ju faleminderit shumë.
Last modified: 13 Janar, 2023