Zyra e Kryeministrit

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti në ceremoninë e rreshtimit të FSK-së në shënim të 25-vjetorit të Epopesë së UÇK-së

5 Mars, 2023

E nderuara Presidente e Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani Sadriu,
I nderuari Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës z.Glauk Konjufca,
Të nderuar nënkryetarë të Kuvendit të Republikës, znj.Saranda Bogujevci,
Të nderuar zëvendëskryeministra, ministra e deputetë,
I nderuari Komandant i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari,
I nderuari baca Rifat, Rifat Jashari,
Shkëlqesi ambasadorë e përfaqësues diplomatikë të vendeve mike,
Të nderuara familje të dëshmorëve,
Të nderuar invalidë dhe veteranë të luftës çlirimtare,
Të nderuar ushtarakë të Forcës së Sigurisë së Kosovës,
Të nderuar partner të organizatave ndërkombëtare dhe vendore,
Të dashur qytetarë të Republikës,
Zonja dhe zotërinj,

Që nga marsi i vitit 1999, teksa ende ishte kohë lufte, kur Trupa Artistike Ushtarake “Hamëz Jashari” e përbërë nga aktorë dhe ushtarë, që me uniformë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës shënuan njëvjetorin e rezistencës së familjes Jashari, ushtria e Kosovës ka pasur rol qendror në përkujtimin e ngjarjeve të 5, 6 dhe 7 marsit 1998 në Prekaz. Atëbotë, përvjetori i parë i këtyre ngjarjeve ishte shënuar me moton “Ai është gjallë”, përpara se sërish të vinte marsi, e kjo ceremoni të bëhej e përvitshme dhe të shënohej me emrin Epopeja e UÇK-së, kështu siç e quajmë edhe sot.

Në këtë 25-vjetor të Epopesë së UÇK-së, le të kujtojmë fillet e kësaj tradite përkujtimore, të nisur më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1999, kur ushtarët e UÇK-së thanë për herë të parë: “Ai është gjallë”. Ato ditë ishte ende koha e luftës, e asaj lufte për të cilën Adem Jashari ishte përgatitur gjithë jetën dhe asaj lufte që ai ia kushtoi tërë jetën. U tha “Ai është gjallë” edhe pse ai kishte vdekur për liri, sepse ishte pikërisht rënia e tij heroike, që kishte bërë që Adem Jashari të mbetej i gjallë mes ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. “Ai është gjallë” edhe sot, veçanërisht sot, dhe veçanërisht te ju ushtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Është kështu sepse origjina e ushtrisë së Kosovës, duhet kërkuar në fund të viteve ‘80-të, atëherë kur Ademi nisi të fliste me shokët për nevojën që kishte Kosova për të patur ushtri. Andaj sot, ne e përmbushim edhe vizionin e atëhershëm të Adem Jasharit për ushtrinë e Kosovës, teksa e ndihmojmë Forcën e Sigurisë së Kosovës, e cila është në proces të transformimit në Forca të Armatosura të Kosovës, duke shtuar personelin dhe rritur kapacitetet, duke u pajisur me armatime moderne dhe duke u trajnuar e stërvitur në akademitë më të mira ushtarake të vendeve tona aleate.

Ashtu sikur më 1991, Adem Jashari ishte stërvitur nga oficerët e Ushtrisë së Shqipërisë, bashkë me rreth 100 vullnetarë të tjerë, mes të cilëve edhe ai që mund të quhet krahu tjetër i shqiponjës dykrerëshe, që UÇK-ja do ta mbante në kokë dhe në krah, Zahir Pajaziti.

Pas këtyre stërvitjesh, Ademi, Hamza dhe shumë shokë të tjerë, të përbashkuar rreth idesë së luftës për çlirimin e Kosovës, do të krijonin grupet e para të armatosura, që më pas do të përbënin qelizat bërthamë prej të cilave do të ngjizej dhe lindte Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Ishte viti 1993, kur vëllai më i madh i tyre, Baci Rifat Jashari që punonte në Gjermani, do t’u dërgonte nga atje Hamzës dhe Ademit uniforma ushtarake. Janë ato uniforma me të cilat i kemi parë të veshur Ademin dhe Hamzën nëpër fotografitë dhe video-incizimet e asaj kohe. Edhe simbolikisht, ato mund të quhen uniformat e para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai që i kishte blerë ato uniforma ushtarake më 1993, duke e bërë kështu investimin më të madh dhe më të çmuar për Kosovën, Baci Rifat Jashari, sot është mes nesh, përballë mijëra uniformave që mbajnë të veshura ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Për më tepër që e tëra kjo po ndodhë në këtë ceremoni përkujtimore të 25-vjetorit të rënies heroike të Adem Jasharit, në kazermën qendrore të Forcave të Sigurisë së Kosovës, që mban emrin Kazerma “Adem Jashari”. Prandaj, ju ushtare dhe ushtarë, nënoficerë dhe oficerë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, sa herë që e veshni uniformën tuaj, mos harroni që po e mbani një uniformë të prejardhur nga uniforma e Adem Jasharit, Kryekomandatit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ashtu siç keni bërë sot, kur jeni përgatitur nën këtë uniformë nëpër kuadrate, për t’u rreshtuar para komandantit tuaj, Komandantit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jasharit, nipit të Komandantit Adem Jashari. Luftëtar i mbijetuar nga luftimet në Prekaz më 1998, ku ai kishte rezistuar bashkë me Ademin, Hamzën, Shabanin dhe të tjerët përballë mijëra policëve serbë dhe prej nga kishte arritur të dilte i gjallë, Gjeneral Bashkim Jashari, nuk është vetëm komandant i Forcës së Sigurisë së Kosovës, por edhe zgjatim dhe prani e drejtpërdrejtë e asaj historie të lavdishme luftëtarësh çlirimtarë, si dhe e asaj fryme vlerash kombëtare të përmbledhura te jeta dhe figura e Adem Jasharit.

Më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, anëtarët e familjes Jashari rezistuan në vendlindjen e tyre, aty ku ndër breza kishin mësuar ta donin atdheun dhe ku ishin edukuar të luftonin për lirinë e tij edhe me jetë. Në familjen e Shaban Jasharit në Prekaz, u luftua për tre ditë rresht, nën një rrethim të blinduar nga disa mijëra trupa policore të Serbisë, që me makineri ushtarake në përmasa frontale, qëlluan me predha dhe bombarduan në ritme shumë intensive mbi shtëpitë e Shabanit, duke vrarë gjithsej 59 njerëz.

Serbia fashiste e Millosheviqit, kishte menduar atë kohë gabimisht që duke vrarë Ademin dhe Hamzën, mund ta shuante UÇK-në dhe luftën e saj të drejtë për çlirimin e Kosovës. Por duke ndezur luftën në Prekaz, ajo vetëm sa e nxiti edhe më shumë mobilizimin dhe përbashkimin e njerëzve rreth Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që nga disa grupe personash të armatosur, me luftën e saj të drejtë dhe të çiltër, arriti ta fitonte edhe përkrahjen e Aleancës së NATO-s dhe veçanërisht të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që u përfshinë më pas në luftë për të dhënë bashkë goditjet përfundimtare Serbisë dhe për ta çliruar Kosovën në qershor të vitit 1999.

Ishte pikërisht kjo luftë, ajo që jo vetëm na çliroi nga pushtuesi e okupatori dhe më pas na e solli shtetin e Republikën, por edhe ajo që na krijoi hapësirë për të jetuar në liri dhe na e hapi rrugën për të ndërtuar institucione demokratike dhe të qëndrueshme. Kështu, nga një popull i shtypur dhe nga një vend i pushtuar në shekullin e kaluar, në këtë shekull jemi bërë një shoqëri moderne që respekton liritë dhe të drejtat e njeriut, si dhe që ka ndërtuar një shtet demokratik, që çdo ditë shkon duke u bërë më i fortë dhe më përparimtar.

I aftë për të mbrojtur qytetarët e vet dhe i përkushtuar për të krijuar mundësi të barabarta për secilin, shteti i Kosovës është jetësim institucional i idealeve të luftëtarëve dhe të rënëve për liri. Teksa merr pjesë edhe nëpër stërvitje të përbashkëta ushtarake me partnerët tanë strategjikë, gjersa përfshihet në operacione ndërkombëtare të ruajtjes së paqes, përderisa shtojmë pajisjet, aftësitë dhe buxhetin, Forca e Sigurisë së Kosovës, është realiteti ynë që po aktualizon vizionin e Adem Jasharit për ushtrinë e Kosovës.

Lavdi Kryekomandantit Adem Jashari, lavdi të gjithë të rënëve më 5, 6 dhe 7 mars 1998 si dhe të gjithë atyre që kanë dhënë jetën për lirinë e Kosovës!

Last modified: 5 Mars, 2023

Comments are closed.

×