Zyra e Kryeministrit

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti në Akademinë Përkujtimore në shënim të 25-vjetorit të Epopesë së UÇK-së

6 Mars, 2023


Prishtinë, 6 mars 2023

E nderuara familja Jashari,
I dashuri baca Rifat,
Të nderuara familje të martirëve, dëshmorëve, invalidëve e veteranëve të luftës çlirimtare,
Të nderuar deputetë të Parlamentit të Kosovës, e zëvendëskryeministra e ministra të Qeverisë,
Të nderuar oficerë e gjeneralë të ushtrisë sonë,
Të nderuar veprimtarë të çështjes kombëtare,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve të vendit, akademikë, profesorë e studentë,
Motra dhe vëllezër,
Zonja dhe zotërinj,
Të nderuar të pranishëm,

6 marsi është e dyta nga tri ditët e Epopesë së UÇK-së, mes 5 dhe 7 marsit të vitit 1998, kur për dy netë dhe tri ditë, në shtëpitë e Shaban Jasharit dhe në lagjen Jashari në Prekaz, u rezistua me armë përballë mijëra trupave policore të Serbisë, që po kryenin një aksion kriminal i cili vrau 59 veta. Gjatë ditës së djeshme, më 5 mars, kur i nisëm manifestimet e Epopesë së sivjetme të UÇK-së, në Kazermën “Adem Jashari”, ushtarët e FSK-së shtinë në ajër 24 plumba gjithsej. Ata plumba u shkrepën nga tytat e ushtrisë sonë, 3 sosh për nderim të Komandantit Adem Jashari dhe nga 3 prej 7 pushkësh për të 7-të zonat operative të UÇK-së. Ato pushkë të ushtarëve të Kosovës, rikthyen në ajër jehonën e krismave të pushkëve të Adem Jasharit, të Hamzës, të bacës Shaban si edhe të të tjerëve, që 25 vite më parë, ua ngrehën këmbëzat armëve të tyre për liri të popullit tonë.

Dëshmitarët e mbijetuar të asaj rezistence të lavdishme, sikur Gjenerali Bashkim Jashari, kujtojnë se si gjatë luftimeve, nga krismat shurdhuese të mijëra predhave të hedhura prej forcave serbe, ata nuk arrinin që t’i dëgjonin as krismat e armëve të tyre. Por ato krisma me jehonën e tyre të gjatë, u dëgjuan shumë më larg, nga populli i Kosovës dhe mbarë kombi shqiptar e deri te liderët e politikës dhe diplomacisë ndërkombëtare atë kohë. Sepse ishin ato krisma që e shumëfishuan mobilizimin e luftëtarëve vullnetarë në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ishin po ato krisma që frymëzuan gjithë luftën për liri deri në çlirimin e Kosovës nga Serbia në qershor të vitit 1999. Krismat e pushkëve të Jasharëve të Prekazit, u shumëzuan me numrin e ushtarëve të UÇK-së, duke u shumëfishuar dhe duke dhënë për rezultat krismat edhe më të mëdha të armëve të aleatëve tanë të Perëndimit, që na u bashkuan në luftë për çlirimin e Kosovës përmes ndërhyrjes së NATO-s.

Ndërkaq, pas luftës, valët e jehonës së krismave të pushkëve të Jasharëve në Prekaz, janë zgjatur dhe shtrirë mes nesh, nga atëherë e deri sot edhe 25 vite më pas. I dëgjojmë në frymëmarrjen tonë të përditshme të lirë, siç i ndjejmë bashkë me krenarinë që na e përcjellë ajo rezistencë e cila na e solli lirinë që e kemi sot. I dëgjojmë teksa na shoqërojnë nga para dhe pas, në shtigjet që na ka hapur lufta e drejtë e UÇK-së, duke na mundësuar të çlirohemi dhe pavarësohemi, si dhe të ndërtojmë Republikën e Kosovës dhe ushtrinë profesionale të saj, ashtu siç e kishte nismuar Adem Jashari me Hamzën dhe shokët, nën formacionet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Rezistenca e Jasharëve të Prekazit më 5, 6 dhe 7 mars 1998, ishte akti kulmor në dramën me shumë akte të përpjekjeve të popullit shqiptar për çlirimin e Kosovës nga Serbia pushtuese dhe okupatore. Në skenën e historisë moderne të Kosovës, Komandanti Adem Jashari nuk pati vetëm rol kyç, por ai ishte edhe autori edhe aktori i asaj shfaqje lufte të lavdishme, që ia solli lirinë Kosovës. Deri te Epopeja e 5, 6 dhe 7 marsit 1998, Adem Jashari erdhi pasi ishte përgatitur dhe stërvitur gjithë jetën, duke e shkruar dhe luajtur vetë rolin e tij në histori. Kur u armatos, u stërvit dhe e nisi luftën, ai nuk priti askë dhe nga askush t’i jepte rol në historinë e shqiptarëve, sepse ai e krijoi dhe e jetoi vetë rolin e tij si Kryekomandanti i të gjithë çlirimtarëve të Kosovës dhe i çdo përpjekje për liri. Shpeshherë, njerëzit nuk janë të vetëdijshëm në kohë reale teksa e bëjnë historinë. Por ky nuk ishte rasti me Adem Jasharin. Me ndërgjegjen e tij aq të thellë për nevojën që të luftohej për lirinë e Kosovës, ai na e dha shembullin më fisnik si individ dhe si frymë për luftëtarët e UÇK-së, për nivelet e larta që mund të arrijë vetëdija e një populli për liri.

Dhe në tërë këtë histori, asgjë nuk ishte e rastësishme, ashtu siç e ka lënë në dëshmi me zërin e tij, vetë Adem Jashari, kur ka thënë: “Besa-besë vetëm një vdekje se tjetër s’ka në këtë jetë, dhe, një fjalë e mirë. Kemi thanë që çka të ndodhë, tanë së bashku do ta dhamë jetën”. Këto janë fjalë të thëna nga Adem Jashari dhe ajo besë e dhënë prej tij atë kohë si zotim e si besatim për të ardhmen, sot janë e vërteta e mirënjohur për atë të kaluar historike. Besatimi i Adem Jasharit për liri, se vetëm një vdekje e tjetër s’ka në këtë jetë, i solli atij vdekjen më fisnike, si i rënë dëshmor për liri, e që i dha Adem Jasharit frymë të pavdekshme mes të gjallëve, sepse “Ai është gjallë” edhe sot.

Adem Jashari është gjallë në kujtimet e atyre që patën fatin ta kenë në familje, në përvojat e atyre që e shoqëruan teksa printe në luftime, në mësimet e atyre që studiojnë për të nga historia dhe në jetët e secilit prej atyre që vendosin të ndjekin rrugën e të njëjtave ideale sikurse ai.

Prandaj jemi mbledhur sot këtu në këtë akademi përkujtimore, të nderuar të pranishëm, për Epopenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pikërisht për ta kujtuar rezistencën dhe sakrificën e familjes Jashari të Prekazit, si dhe luftën e Adem Jasharit me fjalët e tij, sikurse edhe me fjalët e Hamzës që thoshte: “S’kemi ku me shku na, këtu do ta bajmë vdekjen. Këtu ku të parët tanë kanë jetuar në shekuj, këtu edhe ne do ta bajmë vdekjen. Kurrë nuk do ta lëshojmë këtë vend. Do t’i përgjigjemi me aq sa kemi mundësi”. E këto fjalë të Hamzës dhe të Ademit, vinin nga edukimi patriotik dhe formimi i fortë prej babës së tyre Shabanit, që njësoj si djemtë e tij kishte thënë: “Edhe na këtu kemi lé, këtu kemi me vdekë, nuk kemi ku me shku. Kemi me luftu sa t’mujm’ edhe kur vjen vdekja, vdesim edhe udha e mbarë na koftë!”

Këto fjali aq të ngjashme nga ata të tre, Shabani, Hamza dhe Ademi, që ishin thënë në tri raste të ndara dhe të pasinkronizuara nga njëra-tjetra, janë fjalë të dala natyrshëm nga fryma e cila e udhëhoqi familjen Jashari, në rrugën e tyre të rezistencës për çlirimin e Kosovës. Shabani, Hamza dhe Ademi bashkë dhe me të rënët e tjerë të familjes Jashari, kanë rënë për lirinë e të gjithë neve, si dhe për lirinë e atyre që mbetën pas nesh. Pra, për bacin Rifat, për djemtë Muratin, Bashkimin, Lulzimin, Bekimin, dhe Fazliun si dhe për vajzat Besartën, Shqipen, Marigonën dhe Ilirianën. E ndër vitet e pasluftës, kësaj familje i janë shtuar edhe shumë anëtarë të tjerë, shumë anëtarë të rinj, që duke u përtrirë emrat e të rënëve të familjes nga Shabani, Hamza dhe Ademi e më tutje, ata kanë trupëzuar në jetë të reja njerëzore edhe frymën e atyre të rënëve për lirinë e Kosovës, duke na bërë me praninë e tyre sot ta ndjejmë këtë frymë edhe pas 25 viteve të rënies heroike të tyre. Paçi shumë lumturi e shëndet në jetë, ashtu siç patën shumë dashuri e guxim të parët tuaj deri në vdekje për atdheun tonë të përbashkët!

Lavdi familjes Jashari të Prekazit, lavdi luftës së drejtë të UÇK-së si dhe të gjithë të rënëve për lirinë e Kosovës.
Ju faleminderit!

Last modified: 6 Mars, 2023

Comments are closed.

×